“Opozita e re”: Ne do të vijojmë të përçajmë gjithë Shqipërinë

“Opozita”, fasadë në parlament, është bërë më e denjë për kryeministrin se sa disa deputetë militantë të PS-së. Bile Rama e përdor këtë opozitë për ti mbyllur gojën disa deputetëve rebelë në mazhorancë.

-Misionin e këtij parlamenti dhe kësaj mazhorance, më mirë se kushdo e ilustron gafa e sinqertë e deputetes Rudina Hajdari, drejtueses së deputetëve të “opozitës” së re, kur tha se: “Ne do të vijojmë të përçajmë gjithë Shqipërinë”. Edhe pse gafë, në fakt tregon atë që po bën ky Parlament prej muajsh.

Parlamenti nisi dje sesionin e ri, pas pushimeve të gjata të deputetëve në resortet e huaja turistike. Sesionet e reja të Kuvendit janë të rëndësishme pasi përcaktojnë ngjarjet më kryesore të kalendarit politik për një vend, siç janë ligjet apo reformat. Por nuk është ky rasti kur një Parlament përcakton mënyrën e sjelljes së politike në Shqipëri. Që nga muaji shkurt i këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë e ka humbur peshën politike dhe rëndësinë që ka institucioni kryesor vendimmarrës. Djegia e mandateve të opozitës i hoqi mazhorancës së PS fasadën e fundit të një qeverisje normale. Zëvendësimi i deputetëve të zgjedhur të opozitës me të rinj nga lista në bazë të pagesave, blerjeve, presioneve dhe korrupsionit, e ktheu këtë institucion në një kopje të “Pazarit të Miloti”. Deputetët e rinj të “opozitës” u blenë nga PS-ja dhe pazari vijon ende me blerje votash për ligje, koncesione. Natyrisht janë pak deputetë që kanë dinjitet, por janë shumë pak në atë masë rilindase.

Ndaj dhe dje nuk u mblodh Parlamenti për sesionin e ri, por u hap sezoni i ri i “Pazarit të Milotit”. Në sallë ishin deputetët të Partisë Socialiste dhe deputetët e tjerë që kush ua ka mbushur mendjen që të thonë se përfaqësojnë “opozitën”, një Zot e di. Në fakt, një pjesë e tyre e kuptojnë se nuk përfaqësojnë më as veten në atë sallë, por janë vetëm disa shtojca të PS. Që janë pjesë e PS e tregon edhe fakti se në votimet e kaluara kanë votuar njëlloj si deputetët e PS. Madje dhe kur nga PS ka pasur qëndrime kundër qeverisë për ndonjë ligj, “opozitarët” e rinj kanë votuar më shpejtë sesa socialistët e bindur. Kjo lloj opozitë nuk përbën as rrezikun më të vogël për Edi Ramën, përkundrazi sjellja e tyre prej kamikazi kërcënon çdo zë të arsyeshëm kritik brenda PS. Sepse në momentin që dikush mendon të thotë ndonjë fjalë kundër Ramës, “opozitarët” e rinj janë gati të kalojnë me PS për të shtrënguar radhët rrotull Edi Ramës.

Parlamenti ka rënë moralisht që në muajin shkurt dhe hapja e sesionit dje vetëm sa e vërtetoi këtë gjë. Nga fjalimet që u mbajtën dje kuptohet se përfaqësuesit e institucionit më të rëndësishëm në Shqipëri aq që e kanë idenë se në çfarë kolapsi është futur vendi. Institucionet kanë rënë, pasi në 30 qershor qeveria bëri dhe aktin e fundit të vrasjes së një demokracie duke hyrë në zgjedhje, të vetëm. Një parti dhe një njeri kontrollon gjithë shtetin e pushtetet duke tejkaluar skenarin me të keq të autoritarizmit. Korrupsioni dhe koncesionet si formë e re grabitje janë kthyer modelin e vetëm qeverisës. Ndërsa integrimi në BE, një nga prioritet e klasës politike në 30 vjet, është harruar dhe nuk është më në axhendën e kësaj qeverie dhe as këtij parlamenti. Në këtë krizë të jashtëzakonshme, nga zyrtarët e lartë të PS nuk ka qoftë dhe një zë të arsyeshëm. Taulant Balla, numri dy i PS dhe njeriu që flet vetëm pasi merr SMS nga Rama, dje nuk dha asnjë shenjë se situata kaotike do të ndryshojë. Me të njëjtën gjuhë si të kryeministrit, Balla e cilësoi si sukses punën e këtij pseudoparlamenti. Ndërsa çështjes kryesore që ka të bëjë më mënyrën sesi do të sillen me opozitën reale jashtë Kuvendit ai bëri një “lëshim”. I vetmi lëshim që bën PS është ai i dhënies së një karrige bosh për opozitën reale në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Kjo që nga PS-ja quhet lëshim, në fakt është një tallje e radhës. Sepse bëhet fjalë vetëm një karrige në komisionin e mbledhjeve të reformës, pasi miratimi i saj në Kuvend do të bëhet nga deputetët e PS dhe deputetët e “Pazarit të Milotit”. Ky qëndrim i PS do të thotë se kriza e nisur prej kohësh do të vijojë edhe më e fortë këta muaj që vijnë.

Ndërkohë misionin e këtij parlamenti dhe kësaj mazhorance, më mirë se kushdo e ilustron gafa e sinqertë e Rudina Hajdarit, drejtueses së deputetëve të “opozitës” së re, ku tha se: “Ne do të vijojmë të përçajmë gjithë Shqipërinë”. Edhe pse gafë, në fakt tregon atë që po bën ky Parlament prej muajsh.

Mili Xhani

SHKARKO APP