Opozita fasadë që po sajon Kryeministri Edi Rama

Nisin pazaret për mandatet e deputetëve nga listat e kandidatëve të pavotuar. Skema e PS që i hedhë benzinë zjarrit dhe zhbën çdo mundësi për zgjidhjen e krizës

Pas disa javësh heshtje, kryeministri Edi Rama shqiptoi dje një gjysmë festë për dialog drejtuar opozitës. Nga Samiti i Diasporës, kreu i qeverisë përmendi nevojën e diskutimeve me opozitën. Por ftesa u bë më në mënyrën më jo serioze duke rikthyer në vëmendjen shprehjen e përdorur kur kreu i qeverisë tallej me studentët me shprehjen; “Kur do flasim?”. Më shumë se dëshira për dialog, vetëofrimin e kryeministrit duket se diktoi solemniteti i takimit me shqiptarët e diasporës, teksa pak më vonë edhe ministri Pandeli Majko deklaroi se “qeveria tranzitore” është vija e kuqe që nuk do negociohet me opozitën. Në fakt opozita nuk ka kërkuar asnjë dialog me Edi Ramën, por ka paraqitur kushtet e saj që nisin me largimin e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie tanzitore për integrimin dhe zgjedhjet. Janë kërkesa që pasqyrojnë gjithë problematikën që ka ngritur opozita këto vite dhe mos reagimi i mazhorancës bëri që të ndërmarrin dhe hapin ekstrem për të djegur mandatet e deputetëve. Gjithë rruga që ka nisur opozita me protesta, bojkote dhe djegie mandatesh është e pamundur dhe as ata vet nuk e besojnë se zgjidhen vetëm me një takim tjetër me Ramën. Përkundrazi zgjidhja e krizës nis kur kreu i qeverisë dhe të tjerë në PS të kuptojnë se Edi Rama është pjesë e problemit dhe jo pjesë zgjidhjes së ngëçit politik.
Por ndërsa nga PS kanë nisur të vijnë sinjalet e para në dukje për negociatat, lëvizjet e qeverisë tregojnë se në zbatim është venë një tjetër plan që jo vetëm nuk zgjidh krizën, por e bën atë edhe më të rëndë. Pas qëndrimeve të fillimit të mazhorancës, ku thuhej se mund të qeverisin pa opozitën, tashmë kanë kaluar në skemën e krijimit të një opozitë fasadë. Shenja e parë u dha me deputetët 2-3 deputetët nga grupet kryesore parlamentare të opozitës që janë joshur të mos e dorëzojë mandatin. Edhe pse formalisht këta deputetët nuk përfaqësojnë më opozitën zyrtare, PS partinë socialiste mjaftojnë që dikur kanë qenë në radhët e opozitës dhe sot do t’i përdorë si përfaqësuesit e opozitës zyrtare. Veç këtyre deputetëve, dy ditët e fundit, mazhoranca është hedhur në sulm për të bindur emra të veçantë nga lista e kandidatëve opozitarë të vitit 2017 për të pranuar mandatin. Pjesa më e madhe e kandidatëve kanë firmosur deklaratën që nuk pranojnë mandatin që kur opozita dogji formalisht mandatet zyrtare. Por me listave me qindra kandidatë ka dhe emra që janë peshkuar me kujdes nga mazhorancë gjatë këtyre ditëve. Janë kandidat që renditen nga fundi i listave dhe prej kohësh duket se kanë bërë zgjedhje të tjera politike duke u rreshtuar pranë Partisë Socialiste. Një pjesë e tyre, tashmë janë thirrur për të bërë dhe shërbimin e fundit ndaj Rilindjes duke u vendosur si opozita false e qeverisë së Partisë Socialiste. Deri dje, thirrjes së PS i janë përgjigjur rreth 10 emra, një pjesë e të cilëve opinioni publik i dëgjonte për herë të parë si emra kandidatësh. Sigurisht arsyet e vendimeve të tilla të kandidatëve mund të jenë dhe personale, por në situatën aktuale zgjedhja që ata kanë bërë për të hyrë në Kuvend nuk shpjegohet ndryshe vetëm se me fijet dhe interesat e pushtetit. Fakti është se shumica e tyre nuk kanë marrë vota, por në lista janë futur ndoshta edhe për të plotësuar listën që kërkon KQZ-ja në çdo fushatë. Tashmë këta kandidat, të pavotuar dhe të pa mandatuar nga partitë, po servieren nga PS si njerëz që do të bëjnë opozitën në Kuvend. Është një skemë jo vetëm e pamoralshme politikisht, por edhe e rrezikshme për vendin. Sepse qeveria jo vetëm detyroi opozitën reale të dalë nga Kuvendi, por ka marrë guximin që të zgjedhë dhe emrat që do të jenë opozita fasadë e saj. Çfarë është më skandaloze është se një pjesë e PS e ka seriozisht me këtë skenar. Deputetë të PS dhe drejtues të qeverinë, thonë se një zëvendësim i tillë i opozitës është normal. Në fakt, një skemë e tillë është njëlloj si t’i hedhësh benzinë zjarrit dhe ta bësh edhe më radikale opozitën zyrtare të vendit.
Prej më shumë se 10 ditësh vendi është pa Parlament funksional dhe institucionet në kolaps. Është një krizë që nuk zgjidhet me deputetë të blerë, sepse ata që po pranojnë mandatin nuk janë më të opozitës, por vetëm deputetët e rinj të qeverisë.

SHKARKO APP