Opozita, koha për koalicionin e madh
-Opozita është ide, qëndrim, frymë, por në fund është dhe projekt zyrtar. PD-ja duhet të zyrtarizojë raportet me aleatët dhe të përcaktojë objektivat afatgjata që ka gjithë koalicioni. Një proces i tillë nuk është ndarje ofiqesh, por domosdoshmëri për të treguar se përballë Edi Ramës nuk është thjeshtë opozita, por alternativa më e mirë kombëtare për shqiptarët. Opozita nuk ka më luksin të përjashtojë askënd nga kontributet për projektin e saj.
Afati i fundit i vendosur për miratimin e reformës zgjedhore është 31 maj. Kjo reformë, për kohën në të cilën po bëhet dhe historikun e përplasjeve politike dy vjeçare nuk pritet të prodhojë ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm. PS nuk pranon prekjen e sistemit dhe as ka marrë në konsideratë një propozim të ambasadores së SHBA për këtë temë. Nga ajo që shihet deri tani, kjo etapë e reformës, do të jetë vetëm zbatim i një kushti të BE për negociatat, por jo zgjidhje e problemeve 30 vjeçare me zgjedhjet. Reforma duhet bërë, por përqendrimi i gjithë energjive të opozitës në këtë projekt, sikur zgjedhjet i fiton vetëm nëse bëhet reforma është humbje kohe dhe tjetër alibi për Edi Ramën. Problemet e zgjedhjeve nuk marrin fund nëse vendos me ligj që lekët e fushatës i paguan shteti apo nëse në lista fut më shumë gra dhe më pak burra. Për sa kohë PS-ja që ka jo vetëm shumicën, por gjithë Parlamentin dhe nuk pranon asnjë diskutim për sistemin, listat e hapura dhe mos vjedhjen e votës, pjesa tjetër e reformës është makiazh. Por opozita nuk ka më kohë të merret me makiazhin dhe të gjej justifikime për qeverinë. Opozitës i duhet që pas datës 31 majit të jetë gati, njëlloj sikur zgjedhjet të zhvillohen më 1 qershor. Nuk ka rëndësi se kur Edi Rama do të bindet. Mund ta ndajë mendjen për zgjedhje në vjeshtë apo pranverën tjetër se nuk mund ta shtyjë pa fund. Një ditë, brenda afateve kushtetuese, PS-ja do të detyrohet të hyjë në zgjedhje dhe opozita nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur në organizimin e saj.
Pikë së pari, Partia Demokratike si forca më e madhe e opozitës duhet të mos humbasë kohë në shpalljen zyrtare të koalicionit që do të qeverisë nesër vendin. Opozita është ide, qëndrim, frymë, por në fund është dhe projekt zyrtar. PD-ja duhet të zyrtarizojë raportet me aleatët dhe të përcaktojë objektivat afatgjata që ka gjithë koalicioni. Një proces i tillë nuk është ndarje ofiqesh, por domosdoshmëri për të treguar se përballë Edi Ramës nuk është thjeshtë opozita, por alternativa më e mirë kombëtare për shqiptarët. Opozita nuk ka më luksin të përjashtojë askënd nga kontributet për projektin e saj. Të larguar nga PD, parti të “vogla”, qejfmbetur, shoqëri civile dhe çdo element me vlerë për opozitën dhe shoqërinë duhet të kenë mundësinë të jenë në kampin anti-qeveritar. Çdo zë që përfaqëson vlera dhe nuk është pjesë e zullumeve të rilindjes duhet të thirret për të dhënë kontributin në opozitë. Çdo kush vendos sipas dëshirës, bindjeve edhe sigurisht interesave, por Lulzim Basha ka detyrën morale që kujtdo t’i dalë borxhit për ta bërë pjesë të projektit opozitar. Përballë ka një qeveri dhe kryeministër të konsumuar politikisht, por me shumë pushtet dhe financime se kushdo tjetër para tij, kurdo që zgjedhjet të zhvillohen do të jenë një betejë e ashpër, e cila kërkon që të mos përjashtohet asnjë kontribut. Shtyrja e krijimit të koalicionit të madh për në momentet e fundit do të sjellë vetëm problemet e zakonshme dhe keqkuptimet që krijohen zakonisht kur gjërat lihen në minutën e fundit.
Pas 7 vitesh qeverisje Edi Rama e di se propaganda e tij e ka humbur shkëlqimin e dikurshëm dhe pas i shkojnë vetëm interesaxhinjtë dhe bashkëpuntorët në afera. Mënyra e vetme për ta mbajtur në këmbë pushtetin e tij, veç parave të pista, shkeljeve ligjore dhe vjedhjes së votës është përçarja e opozitës dhe diversioni. Këtë lojë ka treguar se di ta luajë mirë ndaj dhe çdo vonesë në thirrjen e aleancës së madhe të shqiptarëve kundër qeverisë i jep kohë Edi Ramës.
Mili Xhani