Opozita përgatitet për destabilizimin e vendit

Më 21 qershor të vitit 2015 shqiptarët duhet të shkojnë para kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj lokalë. Presidenti i vendit Bujar Nishani, shpalli dje dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve, siç parashikohet nga Kushtetuta. Po dje, organi më i lartë i drejtësisë në vend, Gjykata Kushtetuese, i dha fund një dileme të gjatë politike lidhur me vlefshmërinë e reformës së re territoriale. Juristët e Gjykatës Kushtetuese vlerësuan se reforma që e ndan vendin në 61 njësi administrative, nga 374 që ishin më parë është e vlefshme. Me vendimin e institucionit më të lartë të drejtësisë, pretendimet politike dhe ligjore mbi reformën duhet të kishin marrë fund dje. Kur flet Gjykata Kushtetuese, çdo qëndrim është i tepërt dhe argumentet nuk zënë më vend. Partitë duhet të nisin punën për një vit elektoral, duke përzgjedhur kandidatët, duke hartuar platformat elektorale dhe duke përmirësuar ligjin që zgjedhjet të jenë jo një hap më para, por një model për vendin. Por nuk ndodhi kështu. Zgjedhjet e 21 qershorit janë edhe më të rrezikuara se më parë. Një deklaratë e bërë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka hequr çdo mundësi për një zhvillim politik normal gjatë 2015-ës. Basha tha se reforma territoriale është një ndarje e pushtetit sipas dëshirave të kreut të PS-së, Edi Rama dhe kreut të LSI-së, Ilir Meta. Për pasojë, Basha shprehet se PD-ja nuk do ta njohë kurrë këtë ndarje territoriale. Pra, përgatitje për përplasje mes palëve, turmave.

Lidhur me aksionin në vazhdim, Basha ka paraqitur një pjesë të skenarit. Ai tha se opozita do të ndjekë të gjithë hapat kundër këtij procesi. Por në këtë pikë, nuk është e qartë për çfarë hapash e ka fjalën kreu i opozitës. Pas Gjykatës Kushtetuese, në Shqipëri nuk ka ndonjë institucion që mund të marrë vendime për këtë çështje. Mosnjohja e kësaj gjykate, vendimet e së cilës barazohen me Kushtetutën, mund të kthehet në një problem për Partinë Demokratike. Pasi edhe nëse synon të ndërkombëtarizojë çështjen është e vështirë të bindë  diplomatët e huaj, se një parti politike mund të kundërshtojë një vendim të një institucioni të lartë të drejtësisë. Ka dhe një argument tjetër që nuk shkon në favor të PD-së lidhur me Gjykatën Kushtetuese. Një pjesë e mirë të anëtarëve të saj janë zgjedhur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe njihen për afërsi që kanë pasur me këtë forcë politike. Ndaj ankesa ndaj vendimit të tyre, duket se nuk bind as vetë demokratët. Bile disa prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese janë miq të ngushtë të ish-kryeministrit Berisha.

Në qëndrimin e djeshëm, kreu i opozitës la të kuptohet se veç hapave proceduralë, opozita do të ndjekë dhe rrugë të tjera reagimi. Ai tha se PD-ja do të mbështesë 70 mijë firmat e qytetarëve që janë kundër ndarjes së re administrative. “Partia Demokratike do të jetë në krah të tyre, do të jetë zëdhënëse e fuqishme e zërit të tyre, përfaqësuese e interesit të tyre dhe drejtuese e protestës së tyre të drejtë dhe legjitime kundër kësaj maskarade”, – shtoi kreu i selisë blu. Duke se protestat janë skema e vetme e reagimit që i ka mbetur opozitës. Nëse sheh gjithë aksionin e Partisë Demokratike që nga dalja në opozitë, rezulton se gjithmonë ka kërkuar motive për të krijuar një përplasje të madhe. Mes rreshtave të deklaratës së Bashës, dukej se për PD-në ky është momenti. Për PD-në, ndarja territoriale do të thotë ndryshim i skemave dhe balancave politike në gjithë vendin dhe duke shfrytëzuar pakënaqësinë e qytetarëve synon të krijojë një situatë destabilizuese në vend. Kjo nuk do të jetë si protesta e deputetëve të opozitës për furgonët, këtë herë për ta diçka më e madhe është në lojë, ndaj dhe protestat masive nuk do të mungojnë.

Praktikisht, me mosnjohjen e reformës territoriale, Partia Demokratike ka vendosur dje dhe bojkotimin e zgjedhjeve vendore. Një parti që nuk njeh Kushtetutën e vendit dhe bojkoton zgjedhjet ka si opsion vetëm ushtrimin e aktivitetit mosbindjen civile dhe anarkinë. Por skema duket se akoma nuk është zbardhur e gjitha. Lulzim Basha duket se ka nevojë për t’u bërë lider i fortë dhe këtë do ta tregojë duke udhëhequr turmat në protesta e në përplasje. Por përplasjet duan rikthimin në lojë të Sali Berishës, pasi vetëm ai e njeh mirë artin e përplasjes dhe të presionit. Lideri i ri i selisë së PD-së ka informacione se me këtë ndarje nuk fiton as 30 përqind të bashkive dhe më pas do të quhet humbje e tij politike e mund të ngjallen kundërshtarët në PD, prandaj nuk do të futet në zgjedhjet vendore. Mosfutja do të krijojë situata të pakëndshme politike kur turmat në muajt maj-qershor të vitit të ardhshëm të rrethojnë Kryeministrinë, e aq më tepër që kriza ekonomike po bën kërdinë në popull, pa harruar edhe masat represive ligjore të qeverisë për energjinë elektrike, ujin, etj, mund të rritin numrin e protestuesve në shesh. Siç duket, Lulzim Basha ka llogoritur përballjen në shesh me Edi Ramën, duke patur turmat pas vetes.

Kjo është rrugë pa krye nëse thuhet publikisht se nuk futemi në zgjedhje e më pas detyrohesh të futesh nga presioni i ndërkombëtarëve. Ndaj ajo çka tha dje pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese lideri demokrat, nuk besohet të jetë thënë në gjaknxehtësi e sipër. Nëse është thënë që të ndiqet kjo rrugë përplasjeje me Ramën, atëherë punët ndryshojnë dhe duhet që të presim përplasje të forta vitin e ardhshëm, por për zgjedhje që nuk do të njihen nga PD-ja.

Mosnjohja sjell destabilitet dhe sherr. 

SHKARKO APP