Opozita po planifikon protesta të dhunshme
dje se protestat janë e vetmja gjuhë që do të përdorë opozita ndaj mazhorancës e sidomos kundër kryeministrit Edi Rama. Sipas Edi Palokës, aksioni i PD-së do të ndjekë linjën e ashpër edhe pse deputetët e saj rrezikojnë të humbasin mandatin e ligjvënësit. Në 18 dhjetor përfundon sesioni parlamentar i Kuvendit dhe nuk ka një afat për mbledhjen e tij. Bojkoti i deputetëve të Partisë Demokratike ka nisur në datën 10 korrik dhe në bazë të Kushtetutës, nëse ligjvënësit e PD-së nuk shkojnë në Kuvend, në datën 10 janar automatikisht humbasin mandatet. Por afatet kohore dhe mandatet duket se nuk e shqetësojnë selinë blu. Sipas Palokës, mandatet nuk u janë dhënë nga qytetarët për të marrë pjesë në një farsë ku mblidhen deputetët kriminelë e të korruptuar. “Mandatet na i kanë dhënë njerëzit jo për t'u bërë farsë, në një vend ku mblidhen gjoja deputetë dhe një gjoja qeveri. Ne do të merremi me njerëzit dhe sigurisht që përgjigjia do të jetë vetëm protesta. Protestë ndaj një qeverie dhe ndaj një Kryeministri, që nuk ka fjalë tjetër veç ‘burg’. Ky është Rama, kështu që me një njeri të tillë unë mendoj që vetëm me protesta dhe forma të tjera mund të merresh vesh", – tha Paloka dje për TCH. Deklarata e bërë nga Paloka mund të cilësohej si një vrull opozitari, nëse do të ishte bërë nga një deputet i ri i partisë. Por deklarata e djeshme është e para e Palokës si nënkryetar i Partisë Demokratike, pas zgjedhjeve që u bënë në parti. Pra, tashmë ai flet jo vetëm në emër të deputetëve, por edhe në emër të kryetarit Lulzim Basha. Protestat janë një mjet legjitim i opozitës dhe nënkryetari i PD-së ka thënë diçka që e ka përsëritur shpesh Basha kohë e fundit. Ajo që nuk kuptohet është se çfarë do të thotë me Paloka me “forma të tjera”. Format e tjera pas protestave, zakonisht në fjalorin politik në Shqipëri, janë demonstratat e dhunshme dhe anarkia. Fakti që më 10 janar deputetët e PD-së humbasin ligjërisht mandatet e deputetit, a mos vallë është një lojë me dy sense; e para për të vënë në provë Edi Ramën e Ilir Metën nëse kanë takat të zbatojnë ligjin dhe Kushtetutën, ku të gjithë deputetët e PD-së e humbasin mandatin, që do të thotë nuk mund të hyjnë më në sallën e Kuvendit; dhe e dyta, mundet të jetë skemë që me këtë formë proteste dhe bojkoti, po shkojnë drejt humbjes me dëshirë të mandatëve të deputetit dhe si rrjedhojë, të shkojnë drejt zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare, pasi ligjërisht nuk e mbajnë mandatin e deputetit e kësisoj, vjen edhe pasoja se pa një opozitë nuk mund të ecet në një vend normal demokratik. Lojë e një thike me dy maja! Por kjo sjellje mund të jetë edhe një mënyrë djallëzore e selisë blu që të godasë edhe të vjetrit e PD-së, që janë gjithë vrer nga moszgjedhja në kupolën drejtuese të PD-së. E ndaj për të spostuar ndonjë goditje nga brenda nga ata që kanë mbetur, mundet që taktikisht PD-ja po vë në skenë linjën e ashpër. Deklarata e Palokës shkon në këtë drejtim; bojkot, protesta dhe forma të tjera. Çështja e djegies së mandateve po diskutohet ethshëm këto ditë në selinë blu. Janë shumë deputetë që realisht do të donin të ishin në Kuvend, por vendimi politik e ndalon diçka të tillë. Ndërkohë, një pjesë e grupimit radikal të opozitës, që parapëlqen format e ashpra, e ka marrë seriozisht çështjen e bojkotit, madje dhe me koston e humbjes së mandatit për të kaluar në ofensivë, bllokimi total të qeverisjes me demonstrata të dhunshme. Logjika politike në këtë rast parashikon tensione, megjithatë një skenar ekstrem vërtitet si opsion në selinë e PD-së. Duke humbur mandatet, Partia Demokratike kërkon jo vetëm tensionimin e situatës, por delegjitimimin e mazhorancës. Mbështetësit e kësaj ideje e cilësojnë shkuarjen në Kuvend të kotë, pasi edhe nëse do të jenë në sallë, përballë shumicës gati absolute të numrave të PS dhe LSI nuk ka asnjë kuptim pjesëmarrja për dekor, sipas tyre. Largimi përfundimisht nga Kuvendi shihet si një mundësi për të krijuar një ngërç që nuk ka ndodhur më parë në skenën politike, e për pasojë, do të krijojë jo pak probleme për imazhin e mazhorancës tek ndërkombëtarët. Duke i shtuar këtij skenari dhe protestat masive, PD-ja synon të ketë gati një krizë totale politike në vend. Qëllimi është humbja e legjitimitetit të mazhorancës, për ta vënë atë përballë nevojës emergjente për zgjidhje të shpejta politike, ose edhe zgjedhjeve të detyrueshme.
Skenari duket se është huazuar nga bojkoti i Kryeministrit Edi Rama pas vitit 2009. Megjithatë, në momentet e fundit dhe deputetët e Partisë Socialiste pranuan të shkonin në Kuvend, pasi efekti i humbjes së mandateve mund të ndëshkonte rëndë vetë PS-në. Por PD nuk është PS kur flitet për radikalizëm dhe forma të ashpra proteste! Deklaratat e zyrtarëve të PD-së se do të shkojnë në Kuvend pasi të plotësohen kushtet, duket se janë pretekste të mirëfillta. Edhe sikur mazhoranca t’ua plotësojë të gjitha kushtet, sërish do të gjejnë disa të tjera për të bojkotuar. Tashmë që kreu i PD-së, Lulzim Basha përfundoi ristrukturimin e partisë dhe zgjedhjen e drejtuesve të forumeve të saj, është i qetë për të filluar stinën e protestave. Me a duket, ai po përdor strategjinë e tensionit politik, pasi jo vetëm që forcon imazhin e një lideri që di të flasë në seminare me të huaj, por edhe të drejtuesit që e drejton turmën në format shqiptare të përballjes.
Nisur nga numri i madh i protestuesve në mitingun e fundit, si dhe nga disa masa shtrënguese të qeverisë që kanë prodhuar edhe shumë pakënaqësi, ndonëse duhen medeomos, selia blu po planifikon të kalojë në ofensivë kundër Kryeministrit. Në të vërtetë, masat që po ndërmerr qeveria janë të domosdoshme për të vendosur ligjin kudo e mbi këdo, ndonëse mund të ketë një stopim, që numri i të pakënaqurve të mos rritet frikshëm. Ka nevojë, siç thuhet, “edhe kërbaçin, por edhe kulaçin!” ndonëse e mira ishte të fillonte me “kulaçin”. Synimi i PD-së është ta çojë vendin drejt zgjedhjeve në një ditë, ato parlamentare dhe ato vendore në një ditë vitin e ardhshëm. E kjo skemë, po merr trajtë më të qartë përditë.