Opozita, ultimatum Ramës: Realizo 9 kushtet gjermane!
-Më 25 shtator, parlamenti gjerman miratoi një rezolutë, e cila ishte “pro” hapjes së negociatave me Shqipërinë, por pas plotësimit të 9 kushteve nga qeveria “Rama”. Kushtet nisin nga ngritja e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, reforma zgjedhore, arrestimi i zyrtarëve që akuzohen për korrupsion dhe vjedhje votash, deri te legjitimiteti i zgjedhjeve moniste të 30 qershorit. Të 9 kushtet e Gjermanisë, nënkuptojnë edhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike që po kalon vendi.
Pas dështimit me negociatat dhe pas hedhjes së fajit Francës, strategjia e re e qeverisë “Rama” është që të paraqesë opozitën si bllokuese të integrimit. Gjithë qëndrimet e kryeministrit Edi Rama të ditëve të fundit synojnë të paraqesin PD, LSI dhe partitë e tjera, si një opozitë edhe më te keqe se ajo në Maqedoninë e Veriut. Në reagimet dhe “betejën” me citate të Edi Ramës kundër PD, mungon vetëm akuza direkte e tij për lidhje të opozitës me faktorë rusë, kinezë dhe armiq të tjerë të jashtëm që nuk duan integrimin e vendit. . Në këtë mënyrë e ka gati justifikimin për opozitën bllokuese të integrimit në BE. Ndërkohë partitë e opozitës duket se kanë një tjetër projekt kundër qeverisë. Debatit për bllokimin e negociatave dhe krizën politike kanë vendosur t’i përgjigje me qëndrimin e Bundestagut gjerman.
Më 25 shtator, parlamenti gjerman miratoi një rezolutë e cila ishte “pro” hapjes së negociatave me Shqipërinë, por pas plotësimit të 9 kushteve nga qeveria “Rama”. Kushtet nisin nga ngritja e Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, reforma zgjedhore, arrestimi i zyrtarëve që akuzohen për korrupsion dhe vjedhje votash, deri te legjitimiteti i zgjedhjeve moniste të 30 qershorit. Të 9 kushtet e Gjermanisë, nënkuptojnë edhe zgjidhjen e krizës së rëndë politike që po kalon vendi.
Vetëm pranimi i tyre nga qeveria “Rama” konfirmon se situata në Shqipëri nuk ka të bëjë me një qeverisje normale, por me një shtet në nivel parademokratik. Kërkesa për arrestime të të akuzuarve për korrupsion dhe hetim të dosjeve për vjedhjen e zgjedhjeve vë në bankën e të akuzuarve gjysmën e kryesisë së PS dhe njerëzve afër kryeministrit Edi Rama. Përmbushja e këtyre pikave dhe zbatimi serioz i tyre do të krijonte brenda qeverisë tensione dhe përplasje që mund të detyronte Ramën të shikonte si të vetëm dalje zgjedhjet e parakohshme. Por në Këshillin e Europës u miratua propozimi francez dhe sot Edi Rama tallet me shqiptarët. Ai po shkruan për politikat ndërkombëtare, e jo për problemet reale që ka në Shqipëri. Ndërkohë shkaqet e mos hapjes së negociatave dhe zgjidhja e krizës politike në vend, gjenden të pasqyruara në 9 pikat e Bundestagut gjerman. Këtë fakt ia kujtuan Edi Ramës dhe PS-së të dielën edhe drejtuesit e grupeve kryesore politike në Gjermani. Nënkryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul dhe deputeti Christian Schmidt, në një deklaratë pas vendimit të Këshillit të Europës iu kujtonin qeverisë shqiptare se, pavarësisht qëndrimit të Francës nuk duhet të humbasin kohë me reformat. “Vendimi i kushtëzuar i Bundestagut të Shtatorit, i cili përcakton kushte të qarta për hapjen e negociatave të pranimit, duhet të tregojë gjithashtu rrugën e miratimit për shqetësimet franceze, holandeze dhe daneze”,- thuhet në deklaratën e CDU/CSU.
Pra, drejtuesit e grupit politikë më të madh në Gjermani, i kujtojnë qeverisë “Rama” se pas disa muajsh çështja e Shqipërisë do diskutohet sërish në KE dhe mënyra e vetme, që këtë herë të mos ketë ankesa nga asnjë shtet, përfshirë dhe Francën, është plotësimi i kushteve të Bundestagut. Opozita kërkon pikërisht të njëjtën gjë. Në euforinë anti-franceze qeveria po përpiqet të shmanget nga thelbi i problemeve që ka vendi. Le të postojë gjithë ditën kryeministri qëndrime mjaft pozitive të liderëve të BE, fakti është se Shqipëria s’ka gjykata, s’ka votime të ligjshme, nuk ka asnjë bilanc pozitiv në dënimin e korrupsionit e krimit dhe sigurisht nuk ka ende reformë zgjedhor që do sjellë një zgjedhje normale. Të gjitha këto probleme, do apo nuk do Edi Rama, duhen zgjidhur edhe si kushte të Gjermanisë, Francës dhe gjithë vendeve të tjera. Ndaj opozita tashmë ka në krah dhe ndërkombëtarët kur kërkon zbatimin sa më parë të këtyre kushteve, duke nisur nga reforma zgjedhore, e cila sjellë më afër dhe zgjedhjet e parakohshme.
Nëse kryeministri vazhdon t’i shmanget përgjegjësisë, skenari tjetër i protestave është gjithmonë gati dhe është prezantuar nga opozita. Nëse nuk nis zbatimi i 9 pikave të Gjermanisë, opozitës s’i mbetet tjetër veç të përdorë protestat dhe mjetet të tjera kundër qeverisë. “Zbërthimi i 9 pikave dhe oferta jonë. Këtu fillon aksioni i ri politik. Nëse bie në vesh të shurdhët do të përdorim dhe mjete më të dhunshme se mjetet e tjera normale politike”,- deklaroi Dashamir Shehi. Ndërsa Nard Ndoka shtoi se nëse kushtet nuk plotësohen, opozita do nisë protestat e fuqishme që do të rrëzojnë Edi Ramën.
Më e prerë ishte ish-deputetja e PD-së, Grida Duma e cila deklaroi se nuk duhet të humbasë asnjë minutë opozita deri në rrëzimin e kryeministrit.
Mili Xhani