Orët e dorës së gjyqtarëve
Konferenca Kombëtare e Gjyqësorit ka qenë një takimin i hidhur për shumicën e gjyqtarëve të korruptuar në vend. Ambasadori Amerikan, Donald Lu me tone të ashpra ka deklaruar se një pjesë e tyre mund të përfundojnë në burg. Në fjalimin e mbajtur para njerëzve më të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë në vend, ka folur shqip dhe qartë për të gjithë. Ai nuk ka folur në parim për korrupsionin në drejtësi, por ka sjellë shembull konkretet për mënyrën sesi mund të dallohet dikush që është i korruptuar.
“Nëse jeni gjyqtar i korruptuar… ju nxitoni ta lini këtë profesion mënjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti. Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: nëse keni marrë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykatë, jeni i korruptuar. Edhe nëse e ke bërë vetëm një herë, ke thyer ligjin dhe nuk je i përshtatshëm për gjyqtar. Nëse ulni kokën dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime ka të ngjarë që të jeni gjyqtarë të korruptuar”,- u shpreh ambasadori Lu. Dhe do të shkoni në burg.
Në konferencat gjyqësore të organizuara disa kohë më parë gjyqtarët shfaqeshin në sallë si në parada mode, me orë të markave “Cariter” dhe “Rolex” që kushtojnë deri në 100 mijë euro dhe me kostume që duhet t’u kenë kushtuar sa rroga e dy viteve bashkë. Një gjyqtar shqiptar paguhet mesatarisht nga 1 deri në 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj, sipas hierarkisë, dhe është absurde të mendosh vetëm me pagën e shtetit këta gjyqtarë kanë blerë makina që arrijnë në 100 mijë ero dhe disa shtëpi në Tiranë apo resortet turistike. E justifikueshme kur shikon gjyqtarë me kostume që kushtojnë minimumi 5 mijë euro apo me nga makina të reja; një për gjatë javës e një tjetër për fundjavë. Ndaj, shembulli i marrë dje prej ambasadorit Amerikan është me domethënësi dhe tregon realisht se zbulimi i korrupsionit në radhët e sistemit të drejtësisë nuk është aq i vështirë. Nisur nga debati që prej kohësh ka nisur për sistemin e drejtësisë, një pjesë e gjyqtarëve dje në Konferencë i kishin hequr orët e shtrenjta dhe stolitë që dëshmonin pasuri dhe luks. Ndërsa një pjesë tjetër që kishin ora të shtrenjta nxituan të shkonin nëpër qoshe dhe t’i hiqnin me shpejtësi orët nga duart sapo foli Donald Lu. Një gjyqtar i rëndësishëm i Tiranës për pak sa nuk u rrëzua në koridor duke vrapuar për të fshehur orën, por e ndihmoi një kryetar gjykate i një qytetit bregdetar.
Kjo është deklarata e radhës nga Ambasadori Amerikan, i cili si rrallë herë është investuar personalisht dhe me gjithë autoritetin e diplomatit të një vendi strategjik për realizimin e reformës në drejtësi. Është diplomati që ka folur si asnjë njeri tjetër me emra personash që kanë kryer krime dhe janë liruar nga gjykata. Ka folur për ndikime të politikës në sistemin e drejtësisë dhe ka kërkuar nga gjyqtarët e ndershëm që të bëjnë diferencën me të tjerët që janë të korruptuar.
Por Donald Lu nuk është treguar i ashpër vetëm për gjyqtarët. Mjafton të kuptojmë disa muaj më parë, kur ambasadori Amerikan ishte ai që ngriti zërin për dekriminalizimin e politikës. U paraqiti drejtuesve të selive kryesore emrat e kandidatëve me precedentë penalë dhe kur ishte nevoja reagoi publikisht ndaj disa kandidaturave. Në pak kohë të qëndrimit të tij në Shqipëri, ambasadori Lu ka zgjedhur të përballet me problemet e klasës politike dhe t’ua thotë në sy shqiptarëve dhe politikanëve se ku çalojnë problemet. Si rrallëherë ambasador amerikan që nuk ka folur kaq hapur e me guxim, ambasadori Lu do të mbahet mend si ambasadori që rregulloi sistemin e drejtësisë, duke iu qëndruar mbi kokë të korruptuarëve dhe klasës politike, të cilët e kanë shkatërruar Shqipërinë tash 25 vite demokraci.
Qëndrimet e tij për reformën në drejtësi janë më të ashprat edhe për një arsye tjetër. Shtetet e Bashkuara të Amerikës me anë të institucioneve që operojnë në Shqipëri kanë financuar gjatë viteve të fundit dhjetra miliona dollarë për sistemin e drejtësisë. Gjithë ky investim rezulton të mos japë efekt në kohën kur një grup gjyqtarësh të korruptuar bëjnë pis gjithë sistemin. Ndaj reforma në drejtësi është mënyra më e mirë për ta pastruar sistemin aktual. Dhe pa bërë reformën në drejtësi është e kotë tu kërkosh gjyqtarëve që të dënojnë politikanët e korruptuar apo të inkriminuar. Pastrimi nis nga drejtësia dhe ambasadori Lu duket se nuk do të heq dorë deri në miratimin e reformës.
“Do të shkoni në burg !”-iu drejtua ambsadori Lu gjyqtarëve. Natyrisht të korruptuarit. Dhe sapo mbaroi konferenca e gjyqësorit një pjesë vrapuan tek “Gabi” për të blerë kostume të lira që të duken si “varfnjakë”. Ndërsa sot gjyqtarët e korruptuar do të kenë marrë ora të thjeshta, ndërkohë që kamerat e fshehta të disa mediave po investohen për të publikuar emrat më problematikë që nuk e justifikojnë pasurinë e tyre të raportuar ose të fshehur nën emra të tjerë.
Redaksia e gazetës “Koha Jonë” po bën gati një dosje me pasuritë e gjyqtarëve, të cilat i ka marrë në ILKPDKI si dhe nga shërbimet e specializuara të krimit ekonomik, për t’ia dhënë publikut të gjykojë se si i kanë vënë pasuritë gjyqtarët e dosjes së ILKPDKI.