OSBE frenon Ramën: Prit gjykatën për Teatrin
Nisma antiligjore e qeverisë “Rama” për të shembur godinën e Teatrit Kombëtar ka marrë dje goditjen e parë nga ndërkombëtarët. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger, në një përgjigje publike ndaj ankesës së artistëve që kundërshtojnë shembjen dhe po përplasen me policinë e shtetit, kërkoi nga palët që të presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Mesazhi që zyrtari i lartë i OSBE dërgoi për artistët vlen më shumë se çdo qëndrim tjetër lidhur me mënyrën sesi po sillet qeveria. Thomas Greminger, në përgjigjen e tij për artistët që kishin kërkuar takim me të, i referohet ankimimit që Presidenti Ilir Meta bëri dy ditë më parë në Gjykatën Kushtetuese. Ankimi i presidentit ndaj gjykatës më të lartë në vend kërkon shpalljen antikushtetues të ligjit të miratuar nga Kuvendi për të shembur Teatrin Kombëtar. Ky ligj parashikon pritjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e disa kullave për biznes në truallin ku ndodhet sot Teatri Kombëtar. “Duke pasur parasysh zhvillimin e djeshëm, përkatësisht Presidentin e Republikës, duke paraqitur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me ligjin e posaçëm për ndërtimin e ndërtesës së re të Teatrit Kombëtar, të gjitha palët duhet të presin vendimin e Gjykatës së Lartë para se të vazhdojnë më tutje kjo çështje”,- deklaroi dje Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger. Në këtë deklaratë të shkurtër vlen të theksohet se zyrtari i OSBE u bënë thirrje palëve që të mos ndërmarrin asnjë hap derisa të ngrihet Gjykata Kushtetuese. Artistët që protestojnë prej më shumë se një viti dhe janë dhunuar nga policia nuk kanë çfarë hapi të ndërmarrin.
Ata duan që Teatri Kombëtar ekzistues të mos shembet, por vetëm të riksotruktohet me një projekt që nuk cenon pronën publike dhe as vlerat kulturore të objektit. Në këtë pikë, mesazhi i shefit të OSBE ishte për qeverinë. E vetmja palë që ngutet për të shembur godinën është qeveria “Rama”. Për shkak se ligji është miratuar një vit më parë dhe kontrata e dyshimtë mes qeverisë dhe kompanisë private që do të ndërtojë kullat është firmosur, kryeministri Edi Rama e ka marrë vet përsipër shembjen e godinës, me çdo çmim. Edhe pse vendi është në krizën me të rëndë politike që pas ’97-ës, kryeministri Edi Rama çdo ditë komenton dhe provokon artistët duke garantuar se godina do të shembet shumë shpejt. Ndaj thirrja e OSBE për tu frenuar dhe të pritet vendimi i gjykatës u drejtohej “palëve”, por godiste vetëm qeverinë “Rama”. Çështja e Teatrit Kombëtar nuk është politike, pavarësisht se opozita si çdo forcë politike e përgjegjshme, ka marrë përgjegjësitë e saj përballë artistëve për të mbrojtur një pasuri publike. Qëndrimi i qeverisë ndaj Teatrit Kombëtar është një skandal që ka brenda tij; vjedhjen e pronës publike nga privati, korrupsionin qeveritar, shkatërrimin e pasurisë kulturore dhe abuzime që tejkalojnë gjithë aferat korruptive të mëparshme. Padia që kreu i shtetit ka bërë në Gjykatën Kushtetuese rendit gjithë shkeljet ligjore që kanë të bëjë me ligjet bazë të shtetit dhe faktojnë se në rastin e teatrit krejt shteti është vënë plotësisht në shërbim të oligarkëve dhe jo të qytetarëve dhe aq më pak të artistëve.
Shefi më i madh i OSBE dje foli qartë dhe prerë: Qeveria të mos ndërhyjë pa folur gjykata kushtetuese për këtë ligj të ankimuar nga Presidenti. /Q.Xhani/