Pa asnjë mëshirë!
Rreth 1984 mësues janë pa arsimin përkatës, gjë që do të thotë se nuk janë të kualifikuar për dijet që u japin nxënësve dhe praktikisht nuk duhet të ishin në këtë vend pune. Pra, 1984 veta janë ato që edukojnë brezin e ri të Shqipërisë me mosdijet e tyre. Një turp i madh, një superskandal që duhet ndëshkuar. Po ashtu, rreth 2065 mësues japin mësim jashtë profilit të tyre, pra kanë marrë përsipër dhënien e lëndëve për të cilat nuk kanë njohuritë e nevojshme. Më saktë, një mësues fizkulture jep biokimi, kurse një mësues fizike jep histori, apo një mësues aritmetike jep lëndën e gjeografisë! Si për tu vënë kapak çudive shqiptare, mes gjithë kësaj paaftësie janë dhe 1184 mësues tepër! Këta nuk dihet se kë mësojnë dhe çfarë bëjnë nëpër shkolla. Ajo që dihet është se në fund të muajit marrin rrogën si gjithë të tjerët. Ky nivel i arsimtarëve në vend, ka kostot e veta. Nga llogaritjet e Ministrisë së Arsimit janë rreth 170 mijë nxënës të cilët kanë marrë mësime nga një kjo kategori mësuesish. Pra, 26 për qind e nxënësve në gjithë vendin kanë marrë mësime nga arsimtarë që nuk kanë pasur as njohuritë dhe as profilin e duhur për këtë profesion. Ose edhe më saktë është bërë sikur kanë mësuar! Kjo është e pafalshme, pasi mbi brezin e ri politika, shteti shqiptar, ndër vite ka investuar padijen, duke e shformuar edukimin që në bankat e para të shkollës. Ndofta kjo është dhe një prej arsyeve që tash sa vite kemi një brez që nuk edukohet e nuk mëson, porse shkon thjesht në shkollë sa për të marrë një dëftesë. Kjo është e turpshme!
Në Shqipëri paligjshmëria dhe abuzimi gjatë këtyre viteve është kthyer në mënyrë jetese. Janë mbi 600 mijë lidhje të paligjshme energjie, praktikisht vjedhje, janë qindra mijë ndërtime të paligjshme, dhjetëra universitete që funksiononin si kioska dhe shifrat e djeshme të arsimit parauniversitar mund të duken vetëm si një detaj i dorës së dytë, mes mijëra problemeve që ka vendi. Por nëse do të kërkohet arsyeja e nivelit të dobët të njohurive sot në gjimnaze dhe në universitete, arsyeja lidhet pikërisht me këto të dhëna. Niveli i demokracisë dhe qytetarëve shqiptarë që do të jetë nesër, varet nga brezat që po rriten sot. Me të dhënat e djeshme të Ministrisë së Arsimit, rezulton se brezi që po vjen është e dënuar të cilësohet si një gjeneratë “injorantësh” dhe njerëzish që nuk po formohen për një shtet që synon të hyjë në Bashkimin Europian. Drejtuesit e universiteteve ankohen gjithnjë e më shumë për nivelin e ulët të maturantëve që vijnë në auditore, ndërsa mësuesit e gjimnazit thonë se niveli i dobët vjen që nga arsimi fillor. Nuk ka sesi të ndodh ndryshe, kur rezulton se shumica e mësuesve në arsimin parashkollor nuk është në profilin e duhur dhe një pjesë edhe mësues nuk mund të quhen. Emërimet nepotike, klienteliste, korruptive dhe së fundmi politike në arsim kanë sjellë sot humbjen e gjithë seriozitetit të sistemit parauniversitar. Në zgjedhjet e fundit elektorale, ishin mësuesit ata që ishin në ballë të fushatave të kandidatëve për deputetë. Arsimi, për shkak të numrit të madh të të punësuarve që ka, është një nga sektorët më të lakmuar për partitë politike, si dhe më i kollajti për tu gjetur punë militantëve. Duke e kthyer arsimin në një pazar të kryetarëve lokalë të degëve të partive dhe duke e lënë ndërrimin e mësuesve dhe drejtorëve në dorë të humorit të deputetëve të zonës, situata është kjo që shihet në këtë raport. Kemi mësues të paaftë, që po nxjerrin nga bankat qytetarë të paaftë dhe njerëz që nuk do të jenë në gjendje të studiojnë dhe as të përshtaten në tregun e punës. Kjo është kostoja më e madhe që politika e këtyre viteve i ka dhënë shoqërisë shqiptare. Korrupsioni me arsimin nis që në bankat fillore, ku nxënësit nuk ka kush i mëson dhe për të marrë notën duhet që prindërit të paguajnë dhurata të shtrenjta në çdo 7 Mars, për të marrë me të mirë mësuesit injorantë, siç del nga raporti i djeshëm. Kështu, korrupsioni në arsim nis nga shkolla fillore për të vijuar tek diploma e fakultetit dhe në fund mbyllet me korrupsionin për një vend pune. Kjo është situata e arsimit dhe punësimit sot dhe nëse nuk ndërhyhet do të jetë kështu edhe për 20 apo 30 vitet e ardhshme.
Deklarata e Kryeministri Edi Rama, pas publikimi të raportit ishte shpresëdhënëse për vendosjen e rregullave. “Brenda muajit dhjetor ky sistem të jetë përtokë, i rrafshuar. Asnjë mësues pa arsimin përkatës. Asnjë mësues jashtë profilit dhe asnjë mësues që nuk figuron me shkollë të mos mund t’i marrë më shtetit përmes taksave të shqiptarëve asnjë rrogë, duke filluar nga janari i ardhshëm. Të marrësh një mësues në sistem nuk është të marrësh një njeri në punë, por një misionar dhe ta bësh atë pjesë të një misioni të madh që nuk është tjetërsuar në këtë vend asnjëherë”,- deklaroi Rama. Ndërkohë opozita e sheh në një tjetër optikë qëndrimin e kryeministrit. Sipas ish-kryeministrit Sali Berisha, deklarata e Ramës ka si synim largimin e mësuesve për të mbushur radhët me militantë të Partisë Socialiste. Por ky nuk është një nga ato rastet kur mund të bëhet politikë. Minimalisht, nga ish-kryeministri apo ministrat e arsimit të qeverisë “Berisha” duhet të kishte një ndjesë, për situatën ku e kanë katandisur arsimin. Kthimi i kësaj reformë në objekt të politikës së ditës është dëmi më i madh që PD-ja mund ti bëjë arsimit për herë të dytë. Nëse PD nuk pati kurajën të bënte vetë reforma të tilla dhe nuk pranon se e kishte gabim, gjëja më e mirë që do të bënte është heshtja. Reforma e premtuar dje nga Kryeministri Edi Rama ka kostot e veta, pasi do të largohen nga puna mijëra persona që cilësohen mësues. Në fakt, çështja nuk duhet shtruar kështu. Ata nuk kanë arsimin dhe as kualifikimin, praktikisht nuk janë arsimtarë, por vetëm persona që kanë zënë një vend pune me rrogë shtetërore. Këtu nuk flitet për fatin personal të disave, por për të ardhmen e shoqërisë dhe investimin më të rëndësishëm në jetë të qindra mijëra prindërve tek fëmijët, ndaj nuk duhet patur mëshirë. Askush nuk mund të tallet me të ardhmen.
Kjo që guxoi dhe bëri ministrja Lindita Nikolla është për tu përshëndetur, pasi duhet një punë e madhe nga kjo Ministri për ta rregulluar arsimin në fjalë. Është një përkushtim për të ndryshuar një sistem, një sistem që ishte kthyer në punësim thjesht militantësh partiakë. Ndërsa Edi Rama po bën atë që nuk e ka asnjë kryeministër; të humb vota elektorale kur mund ti shtonte vetëm e vetëm që të vendos njëherë e mirë një sistem vlerash për vendin, për brezin e ri. Është një kosto, ndërkohë që mund të bënte siç kanë bërë paraardhësit e tij për të shtuar vota duke punësuar militantë.
Një guxim për tu lavdëruar, pasi po shikohet se ka ardhur për bërë shtet, duke humbur pushtet, pra vota. Asnjë kryeministër nuk do ta bënte. Edi Rama, po!