Kryeministri gati ligjin kundra mediave online. Gjoba të mëdha dhe mbyllje të mediave*
Nga Aleksandra Bogdani –
Projektligjet e publikuara të premten nga qeveria kanë pësuar vetëm ndryshime kozmetike ndaj drafteve fillestare të shumëkritikuara; duke parashikuar rregullimin e ankesave dhe korrigjimeve nga AMA si dhe gjoba marramendëse të aplikuara përmes ligjit të AKEP.
Dy projektligjet kyçe të së ashtuquajturës “paketa antishpifje” e qeverisë Rama e vendosin median në internet nën policimin e Autoritetit të Mediave Audiovizive, AMA dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP si dhe ekspozojnë atë ndaj gjobave të dyfishta nga të dy institucionet. Të publikuara të premten në faqen e Këshillit të Ministrave, draftet kanë pësuar vetëm ndryshime kozmetike nga variantet fillestare, të cilat u kritikuan gjerësisht nga organizatat vendase dhe ndërkombëtare të medias si antikushtetuese dhe drakoniane. [Lexo projektligjet e plota]
Ndryshimet e ligjit “Për median audiovizive..” i qëndrojnë konceptit të regjistrimit të mediave në internet, ndonëse nuk e bëjnë atë të detyrueshëm. “Ofertuesit e shërbimeve të medias që nuk janë regjistruar në këtë regjistër…nuk do të përfitojnë lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër,” sugjeron projektligji.
Draftet janë kufizuar gjithashtu në parashikimet fillestare drastike për mbylljen e mediave, por i lënë AKEP-it kompetenca të gjera për ndërhyrjen në përmbajtje si dhe i vendosin ato nën thundrën e gjobave marramendëse që AKEP aplikon ndaj kompanive të telekomunikacionit. Autoriteti i Mediave Audiovizive ndryshon emërtimin në Autoritetin e Mediave Shqiptare dhe e zgjeron fushën e vet të veprimit mbi çdo publikim elektronik me përmbajtje editoriale; ku përfshihen portalet, faqet në internet të mediave të shkruara apo edhe blogjet individuale.
Projektligjet u imponojnë publikimeve online një sërë detyrimesh, duke përfshirë parimet etike të respektimit të privatësisë, dinjitetin e qytetarëve dhe mbrojtjen e integritetit të të miturve. Në qendër të projektligjit vendoset rregullimi nga AMA i ankesave, korrigjimit të informacionit apo i të drejtës për përgjigje – çështje këto që sipas standardeve ndërkombëtare i përkasin vetërregullimit të medias apo zgjidhen në instancë të fundit në gjykatë.
Ndërkohë, sesionet e hapura të Kuvendit apo të organeve të tjera shtetërore përjashtohen nga detyrimet për ankesat; duke prezumuar se raportimet rreth tyre janë të vërteta. Projektligji detyron çdo publikim online që të shqyrtojë çdo ankesë me shkrim nga çdo person për programet e publikuara prej tij, përfshirë dhe kërkesa për heqje të përmbajtjes.
Në rast se mediat online e rrëzojnë ankesën ose nuk kthejnë përgjigje brenda 72 orësh, e drejta për shqyrtimin e saj i kalon Këshillit të Ankesave në AMA. Nëse Këshilli i Ankesave merr një vendim të ndryshëm nga media përkatëse, vendos sanksione, ndërkohë që media detyrohet brenda 48 orësh të publikojë konkluzionin e Këshillit të Ankesave, në mënyrë të ngjashme dhe kohë të njëjtë me shkrimin.
Projektligji i qeverisë shkon edhe më tej duke futur në lojë Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP. Në nenin 132 të ligjit, mediat jo vetëm që detyrohen të publikojnë “formulën e ndjesës” sipas formës dhe përmbajtjes së përcaktuar nga AMA dhe heqjen e shkrimit të mëparshëm, por në faqen e tyre do të shfaqet përmes AKEP-it njoftimi i mësipërm në formën e një “pop up”-i.
Projektligjet i japin të drejtë AKEP-it të bllokojë aksesin në internet, në rastet kur evidenton “pornografi me fëmijë; vepra për qëllime terroriste apo shkelje të sigurisë kombëtare”. AKEP merr gjithashtu përsipër të zbatojë vendimet e AMA-s përmes vendosjes së “pop up”eve në faqet përkatëse të internetit.
Seksioni i penaliteteve është i paqartë, por i ekspozon mediat në internet ndaj gjobave marramendëse prej të dyja autoriteteve. Sipas projektligjit “Për mediat audiovizive…”, gjobat shkojnë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë për konkluzionet e Këshillit të Ankesave për shkelje të privatësisë, dinjitetit, integritetit të të miturve dhe 800 mijë lekë për mosrespektimin e vendimit të Këshillit të Ankesave.
Ndërkohë, mediat online penalizohen edhe nga ndryshimet në ligjin “Për komunikimet elektronike..”, me gjoba të parashikuara në nenin 137 të tij për personat fizikë deri në 10 milionë lekë dhe për personat juridikë deri në 100 milionë lekë. BIRN i kërkoi zyrës së shtypit të kryeministrit Rama që të qartësonte nivelin e gjobave të parashikuara nga projektligjet për median online, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi./BIRN/
*Titulli i redaksisë