Pakti si mëshirë e Rames?

Nga Andi Bushati

Zëra gjithnjë e më të shumtë brenda të majtës po mundohen ta paraqesin paktin e firmosur midis PS-së dhe PD-së si një zemërgjerësi të kryeministrit Rama ndaj udhëheqjes në hall të opozitës. Duke u nisur nga fakti se një numër i konsiderueshëm deputetësh të saj kishin vendosur ta kapërcenin me çdo kusht pragun e Parlamentit, ata e shohin atë që ndodhi si një “mëshirë“ të shumicës për të mos nxitur përçarjen e kundërshtarit; si një mundësi që iu dha Berishës dhe Bashës, për të mos u vënë përballë faktit të kryer, kur figura të larta të kësaj partie si Patozi, Bregu, Ruli, apo edhe deputetë të nivetit të dytë (afro një duzinë), ishin përgatitur t‘i sfidonin.

Por në fakt, ajo që ndodhi të mërkurën në Parlament është krejt e kundërta e një akti zemërgjerësie.  Ajo është një lojë e pastër përllogaritjesh politike.

Kjo marrëveshje nuk është një pakt në interes të publikut. Askush, edhe pas nënshkrimit të saj, nuk do të jetë i sigurtë se përfundoi koha e “deputetëve të fortë“, apo se këtej e tutje shumica nuk do të votojë ligje që kërkoijnë 84 vota sipas tekave të saj.

Askush nuk mund të vërë bast se do të kemi një klimë më të çtensionuar politike. Pas kulisave të këtij pakti është luajtur një lojë e vërtetë nervash dhe përfitimesh.

Në pamje të parë më në hall ishin Berisha dhe Basha. Duke qenë se skadimi i afatit kur deputetët humbisnin mandatet kishte arritur në limit, duke qenë se shumë prej tyre kishin deklaruar se nuk do të bënin harakiri në emër të interesave perverse të ish kryeministrit, ata duhej të gjenin me çdo kusht një alibi, për t‘i dhënë fund bojkotit. Por, këtë rikthim në Parlament duhet ta bënin jo duke u futur në sallë me bisht ndër shalë. As duke u rikthyer nën presionin e çarjes së Partisë, apo të përkujdesjes për pagat e munguara të deputetëve. Ata duhet të kujdeseshin për të treguar se kishin arritur një fitore. Se kishin bërë një pakt me bekimin ndërkombëtar, që forconte rolin e opozitës në vend. Dhe, së paku në fasadë, ata e arritën këtë. Pak rëndësi ka nëse marrveshja e votuar nuk ka as thelb e as përmbajtje. Pak rëndësi ka se ajo nuk i siguron asgjë më shumë PD-së sesa thjesht ruajtjen e fytyrës së atyre që frymëzuan bojkotin.

Pikërisht në emër të shancit të dhënë për të ruajtur fytyrën, shumë zëra brenda të majtës po ironizojnë, apo po e kritikojnë kryeministrin e tyre se u tregua “i mëshirshëm“. Në të vërtetë Rama as nuk u bë më i butë ndaj kundërshtarëve të vet dhe as nuk deshi të shpëtojë imazhin e tyre. Në vendimin për firmosjen e këtij pakti (nënshrimin e të cilit personalisht e refuzoj me neveri dhe me këmbëngulje gjatë gjithë kohës) edhe ai ka bërë llogaritë e tij. Më e rëndësishme sesa ta përdhoste opozitën, për kryeministrin ishte që ta kishte atë në Parlament. Më e rëndësishme sesa të turpëronte kundërshtarin, ishte që ta përdorte atë për interesat e tij.

Eksperienca e tij në opozitë i ka treguar se edhe kur mbron një kauzë fallco përmes destruktivitetit dhe bojkotit, në fund rezultatet vijnë vetë. Mjafton që pushteti të tregohet arrogant, mospërfillës dhe sfidues ndaj pakicës. Rama nuk mund të bënte gabimin e Berishës kur të thoshte se vendi ishte normal edhe kur opozita ishte jashtë Parlamentit, boll që reformat të vazhdonin, rrugët të ndërtoheshin dhe ekonomia të ecte me ritmet gjermane. Ai e dinte mirë se edhe kauza e shpikur e opozitës së sotme mund të kthehej nesër në një problem. Sepse nëse PD-ja do të vendoste t‘i digjte mandatet e saj, njeriu që do të kishte më shumë kosto do te ishte vetë ai, që do të paraqitej si kryeministi i një vendi anormal dhe me demokraci të cunguar. Po t‘i shtosh këtij skenari edhe mundësinë që ruga e destruktivitetit të shkonte deri në mospjesmarrjen në zgjedhjet lokale, kostot bëheshin edhe më të rënda. Edi Rama nuk donte këtë. Ai donte tjetër gjë. Donte një PD brenda Parlamentit, ku ai ka një shumicë dërrmuese, dhe një opozitë që të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, sipas hartës që ai ka vizatuar vetë. Ndaj ai u dhuroi në vigjilje të Krishtlindjeve paktin e shumëpritur kundërshtarëve të vet. Ai nuk u tregua as i mëshirshëm as zemërgjerë me ta. Ai nuk kishte hall as t‘i shpëtonte nga përçarja, as t‘u shpëtonte fytyrën. Ai thjesht bëri llogaritë e veta duke u përpjekur të fitonte sa më shumë.

"Lapsi.al"

SHKARKO APP