Paratë e Bankës jashtë Shqipërisë
Një pjesë e parave të vjedhura nga Banka e Shqipërisë dyshohet se kanë përfunduar jashtë vendit. Prokurorët që po hetojnë zhdukjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit, kanë të dhëna se një pjesë e mirë e parave të vjedhura mund të ketë dalë jashtë Shqipërisë. Burime nga organi i akuzës thanë dje për “Koha Jonë” se disa prej kompanive të transferimit të parave në Shqipëri, kanë konfirmuar ekzistencën e transaksioneve jashtë vendit të personave që janë në hetim për vjedhjen e Bankës. Kompanitë e transfertave nuk kanë dhënë detaje të tjera lidhur me shumën dhe vendet e origjinës se ku janë transferuar paratë. Për këtë qëllim, Prokuroria ka lëshuar disa ditë më parë një urdhër-sekuestro drejtuar kompanive për të marrë të dhënat e transfertave për personat që janë nën hetim. Burimet nga prokuroria thanë se brenda pak ditëve pritet përgjigja e kompanive pas urdhër-sekuestros, nga ku do të dalin informacionet e sakta se sa është shuma që është depozituar jashtë vendit. Në mënyrë jo zyrtare, thuhet se personat që kanë kryer transfera janë Ardian Bitraj, Mimoza Bruzia, të dy punonjës të Thesarit dhe Kleves Bejtja, nipi i Bitrajt i cili është dhe autori kryesor i vjedhjes. Dosja për të tre këta persona nuk është mbyllur ende nga prokuroria, siç duket në pritje të të dhënave të fundit lidhur me transferat e parave. Ardian Bitraj ka qenë përgjegjës i Arkës Stok në Departamentin e Emisionit, ose siç njihet ndryshe Dega e Thesarit në Linzë, ndërsa Mimoza Bruzia ka qenë përgjegjëse e Arkës në Veprim po në këtë departament. Hetimet e prokurorisë kanë nxjerrë si përgjegjës kryesor për shkeljen e rregullores dhe vjedhjen këta dy persona. Ndërkohë, skandali i vjedhjes së bankës ka përfshirë gjithsej 19 persona, mes tyre dhe ish-guverantorin Ardian Fullani. Përgjegjësi i vetëm që ka pranuar marrjen e parave është Ardian Bitraj, i cili ka deklaruar se të gjithë shumën, rreth 6 milionë dollarë, që ka marrë nga banka i ka shpenzuar në lojëra fatit. Sipas tij, shuma është humbur në baste dhe kazino gjatë kampionatit botëror të futbollit, ku ka vendosur qindra miliona lekë për ndeshje që kanë rezultuar humbëse. Por pavarësisht kësaj, shfajësimi i Bitrajt nuk mund të verifikohet. Kjo për shkak se shumica e lojërave të fatit nuk mbajnë të dhëna të sakta lidhur me vendosjen e basteve. Kjo ka bërë që me me daljen në dritë të skandalit, prokuroria të mos besojë variantin e humbjes së parave në lojëra fati. Hetimet për transferta u shtrinë në gjithë sistemin bankar në vend. Por siç bëjnë me dije burime nga prokuroria, nuk ka pasur të dhëna për transferimin e parave nëpërmjet bankave të nivelit të dytë që operojnë në Shqipëri. Prokuroria kërkoi edhe sekuestrimin e të gjitha aseteve dhe pronave që ka pasur i dyshuari kryesor për vjedhjen Ardian Bitraj, por nga verifikimi rezultoi se kishte një shumë modeste në bankë dhe në pronësi vetëm një apartament të blerë me kredi. Këto detaje kanë shtuar dhe më shumë dyshimet për “fluturimin” jashtë vendit të parave.
Të dhënat e fundit që ka siguruar prokuroria nga kompanitë e transfertave të parave pritet të ndryshojnë fatin e hetimeve. Zbardhja e shumës dhe e vendit ku kanë përfunduar paratë e Bankës së Shqipërisë, mund të përfshijnë në hetime edhe persona të tjerë. Nëse konfirmohen dyshimet e Prokurorisë, vjedhja nuk mund të jetë vetëm pasojë e neglizhencës së rregullores së Bankës së Shqipërisë, por një veprimtari kriminale e organizuar. Burimet nga Prokuroria thanë se po përgatiten edhe për disa fletë arreste të tjera, por nuk specifikuan për cilët emra janë përpiluar fletë arrestet.
Këto ditë gjykata pritet të japë vendimin për grupin e parë të të akuzuarve për vjedhjen e bankës, të cilët kanë kërkuar gjykim te shkurtuar. Vjedhja e Bankës së Shqipërisë është një nga skandalet më të mëdha të viteve të fundit. Prokuroria shpalli si të akuzuar 19 të pandehur, duke përfshirë dhe ish-kreun e bankës Ardian Fullani, si dhe inspektoren e përgjithshme Elivar Golemi. Por ka pak ditë që prokurorët janë hedhur në sulm për të gjetur dokumenta shtesë për transferimin e këtyre parave jashtë shtetit. Prandaj edhe kanë kërkuar shtyrjen e hetimeve për këto përsona, pasi grupi hetimor ka vendosur me vendim gjykate përgjimin e numrave të telefonave të disa personave të rëndësishëm që mund të kenë informacion për transferimin e shumave të mëdha, që sipas një plani janë ndarë në pika të ndryshme e transferuar me emra të ndryshëm. Të njëjtat burime theksojnë se janë përgatitur për të sekuestruar gjithçka që lidhet me këtë hetim si dhe po survejojnë një biznesmen që mendohet se ka bërë të mundur kalimin e parave jashtë shtetit. Po kështu kanë sekuestruar në disa pika edhe kasetat filmike të disa bizneseve përballë për të argumentuar akuzën e tyre.
Gjithsesi pas kësaj duket se hetimet janë futur në një labirinth ku mund të ketë emra të tjerë të ndaluar në ditët e ardhshme.