Parlamenti i SHQUP-it

Vendosja e deputetëve në sallë, deri diku dhe mobilimi, radha e fjalimeve dhe drejtimi i takimit ishte në miniaturë një seancë e punimeve të Kuvendit. Madje, nuk mungonte dhe “drejtuesi” i seancës, që në këtë rast ishte kreu i grupit parlamentar Edi Paloka. Ai drejtonte mbledhjen, u jepte fjalën deputetëve dhe në njëfarë mënyre, mbante dhe minutazhin e çdo folësi. Tamam si kryetari i Parlamentit. Gjithsej, deputetët e Partisë Demokratike bënë dje 31 amendamente për projektbuxhetin e vitit 2015. Mund të ishin dhe 32 apo më shumë, por selia blu ka zgjedhur të përdorë shifra që kanë domethënie për opinionin dhe që lidhen me numrat e shansit. Pak ditë më parë ishte kreu i PD-së, Lulzim Basha ai që lëshoi një ultimatum ndaj Ramës me 9 kërkesa. Në të gjitha fjalimet e deputetëve të djathtë renditeshin vetëm dështimet e qeverisë, si dhe mungesa e realizimit të premtimeve në buxhetin që pritet të kalojë në Kuvend. Fjalimi më i rëndësishëm, njëkohësisht dhe më i gjati, u rezervua për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ndryshe nga detajet teknike të deputetëve, Berisha u tregua më i prerë në kërkesat e opozitës. Sipas tij, “kryeministri Edi Rama është një rrezik kombëtar dhe duhet të largohet në mënyrë urgjente”. Për rreth një orë, ish-kryeministri foli i pashqetësuar në “Parlamentin” e SHQUP-it, pasi askush nuk mund t’ia ndërpriste fjalën. Më mirë dhe më e dobishme do të ishte sikur opozita të shkonte në parlamentin e votuar dhe t’ia përplaste në sy kryeministrit Rama. E jo në një “parlament të SHQUP-it”! Imagjinoni sikur ish-kryeministri të përballej me kryeministrin në sallën e parlamentit. Edhe qeveria do të ishte më e rezervuar dhe e kujdesshme kur ka përballë Sali Berishën. Ndaj ajo skenë që bënë dje nuk ka efekt. Në sallën e parlamentit real, qytetarët do të shikonin debatin, sherrin, platformat, idetë, projektet e secilës palë politike.

Shfaqja e djeshme e Partisë Demokratike ngre disa probleme për mënyrën sesi e sheh opozita funksionin e saj politik. Është e drejta legjitime e saj të paraqesë vërejtje dhe ankesa për buxhetin. Po ashtu, është e drejtë  të zhvillojë konferenca pa fund në selinë e saj dhe të lëshojë akuza ndaj mazhorancës, rëndësi ka që të jenë me fakte dhe bindëse. Dje dëgjuam se krimi është rritur, se taksat janë rritur, se vendi po keqqeveriset, se mungojnë investimet. Në fakt, këto deklarata do të kishin tjetër efekt në Kuvend, pasi bashkë me akuzat, qytetarët do të kishin mundësinë të dëgjonin dhe qëndrimet e ministrave përkatës për çdo akuzë të Partisë Demokratike. Ndaj “Parlamenti” i djeshëm i PD-së ishte një monolog i gjatë i secilit prej deputetëve, ku një pjesë e akuzave dukeshin si dëshira të opozitës që punët të shkojnë më keq dhe jo si fakte reale.

Deputetët e Partisë Demokratike janë votuar në zgjedhjet e 23 qershorit të vitit 2013 për të qenë zëri i votuesve në Parlament. Dje ata ishin pjesë e një shfaqje që mund të ketë produkt mediatik, por nuk realizon asgjë në praktikë. Gjithsej 31 amendamentet e famshme që u prezantuan si të ishin formula që zgjidh hallet e gjithë shqiptarëve, mbetën për diskutim vetëm në sallën e SHQUP-it. Në komisionet parlamentare të Kuvendit nuk është dorëzuar asnjë amendament për projektbuxhetin nga ana e PD-së. Thelbi i Kuvendit të djeshëm të PD-së nuk është përmirësimi i buxhetit, por vetëm shfaqja mediatike. Do ishte normale që amendimet e selisë blu të hidheshin për diskutim në seancën ku miratohet buxheti. Aty do të dukej konsensusi politik, pasi për disa prej tyre, mazhoranca dhe mund të pranonte miratimin. Qëndrimeve të PD-së dje u mungonte oponenca, ashtu siç Parlamentit i mungon opozita. Nuk mjafton vetëm të thuhen gjërat e duhura, ato duhen thënë dhe në vendin e duhur e vendi i duhur është në Parlament. Jo në sallën e lokalit të dikurshëm të oficerëve në SHQUP, ndonëse është seli partie. Në këtë mënyrë, PD-ja do të ishte në misionin e saj për të përmirësuar realisht projektbuxhetin me kritika që i shërbejnë vendit, por me shfaqen e djeshme, i hoqi mundësinë çdo konsensusi.

Në sallën e Kuvendit debati do të ishte një gjë perfekte për të dyja palët, mazhorancë dhe opozitë. Populli do të kishte mundësinë edhe të shikonte se kush mban premtimin dhe cili ka garanci për të qeverisur në vitin 2017. Por jo nga “Parlamenti i SHQUP-it”, pasi mbetet një gjetje e gabuar kushdo që e ka projektuar idenë e mbrëmshme.

Edhe kryeministri Rama e kalon më lehtë projektbuxhetin në parlament pa një opozitë reale. Edhe për qeverinë nuk është mirë një debat pa debat real e përballje projektesh. Pra, PD-ja jo vetëm i bën dëm vetes, por indirekt edhe vendit, duke mos shkuar në sallën e parlamentit.

Projektbuxheti 2015 do të miratohet pa asnjë debat, pa duel, pa asnjë përballje projektesh ekonomike sy më sy.

SHKARKO APP