Parlamenti si zyrë biznesi për oligarkët, miraton ligje në favor të 5 vetave

-Presidenti Meta kthen një ligj jashtëzakonisht korruptiv të hartuar nga oligarkët me dorën e qeverisë dhe me votat e deputetëve, ku një drejtor administrate caktohet të jap koncensione disa milionë euro miqve të qeverisë. Kjo duhet hetuar nga SPAK.

Presidenti Ilir Meta ka kthyer dje në Kuvend ligjin “Për Metrologjinë”. Ndryshimet në ligj janë propozuar nga qeveria dhe synojnë që shërbimin për verifikimin e pajisjeve matëse, siç janë pompat e karburanteve, gazit dhe mjetet e tjera, të kryhet nga subjekte private. Procesi i verifikimit të këtyre mjeteve, që deri më sot kryhet normalisht nga shteti, u jepet bizneseve private. Kompanitë private do të marrin pagesa më të larta nga buxheti i shtetit dhe do të rrisin faturat e shërbimit për qytetarët, për një punë që fare mirë e kryejnë institucionet shtetërore. Por nuk është vetëm koncesioni si skandali kryesor në këtë projektligj. Në vendimin e miratuar nga parlamenti parashikohet që kontratën e koncesionit me biznesin privat ta firmos drejtori i Metrologjinë. Bëhet fjalë për kontrata miliona euro që qoftë edhe formalisht duhet të kalojë nëpër verifikimin e disa institucioneve. Por duket se Rilindja është lodhur nga burokracitë dhe gjithë procedurën e tenderit e lë në dorën e një drejtori të administratës, i cili i seleksionon kompanitë sipas urdhrave nga qeveria ose interesave të tjerë.
Shkeljet në këtë nismë të qeverisë dhe Kuvendit janë aq skandaloze, sa në arsyet e kthimit të ligjit, Presidenti Ilir Meta shprehet hapur se “është një ndër ligjet me përmbajtje më të lartë antikushtetutshmërie, në shkelje flagrante të parimeve themelore kushtetuese të funksionimit të tregut të lirë dhe konkurues, duke përbërë dhe shembullin tipik dhe të përsëritur, të fenomenit të “korrupsionit legjislativ””.
Konkretisht ligji rrëzon gjithë procedurat e tenderave dhe e lë në dorë caktimin e kompanisë fituese vetëm në bazë të një autorizimi që jep drejtori i institucionit. Ligji nuk ka procedurë të qartë sesi përzgjidhet kompania, nuk vendos kritere ligjore për konkurimin e bizneseve dhe ajo që duket dhe më absurde lidhet me faktin se pasi jep koncesionin, shteti nuk e kontrollon dot biznesin privat për punën që bën.
Skandali nuk përfundon vetëm me kaq. Nga mënyra sesi janë hartuar nenet e ligjit, duket sikur qeveria dhe Parlamenti kanë miratuar një ligj duke e përcaktuar që më parë kompaninë fituese. Ndërkohë çështja e verifikimit të instrumentave matës lidhet direkt me shërbimet dhe sigurinë e qytetarëve. Dhënia e këtij shërimi një apo disa kompanive që nuk mbajnë asnjë përgjegjësi ligjore, mund të kthehet në një kosto shtesë për qytetarët. “Mbikëqyrja e tregut dhe inspektimi metrologjik janë funksione shtetërore që garantojnë saktësinë e instrumenteve matës. Lënia në dorë të subjekteve private, në mënyrë të pakontrolluar, siç përcaktohet në dispozitat e tjera të ligjit të poshtevidentuara, cenon direkt këtë funksion publik, i cili në mënyrë të pashmangshme do të sjell hapësira për abuzime që sjellin si pasojë dëmtimin e interesave të qytetarëve dhe të interesit publik”,- deklaroi kreu i shtetit në argumentet për rrëzimin e ligjit.
Abuzimet me këtë ligj janë skandaloze. Parlamenti ka miratuar një ligj që përcakton që në fillim se kush do të jetë kompania fituese, por dhe i njeh të drejtën kompanisë të fitojë dhe tenderin e radhës kur t’i përfundojë kontrata. Pra biznesmenit ose biznesmenëve që do të marrin këtë koncesion, u jepet një kontratë e përjetshme, e sanksionuar në ligj. Rilindja ka plotë histori të dyshimta korrupsioni flagrant, por me këtë projekt ka kaluar çdo limit. Jo vetëm e përzgjedh me ligj fituesin e “tenderit”, por edhe i cakton fitoren e tenderit pasardhës. Ligji është bërë për një ose disa biznesmen dhe në mënyrë të qartë kemi shkelje të shumta ligjore.
Për shkak të gafave juridike dhe dyshimeve për korrupsion, Presidenti Ilir Meta ka kërkuar që SPAK të nisë hetimet ndaj për mënyrën sesi ky projekt kaloi në Parlament. Ky projekt ligj është akti më i fundit që tregon se Parlament e ka humbur prej kohësh rolin dhe misionin që ka për të kontrolluar qeverinë. Parlamenti ka kaluar pa asnjë diskutim këtë projekt dhe në vend të bënte analizë financiare, teknike dhe ligjore, ka shërbyer më shumë si noter për të zyrtarizuar një aferë korruptive. Më shumë se organ ligjvënës që mbron interesat e qytetarëve, Kuvendi ngjan sot me një zyrë biznesi për oligarkët.
Mili Xhani

SHKARKO APP