Pas BREXIT, Brukseli kthen sytë nga Ballkani
Samiti i Parisit për Ballkanin Perëndimor nuk ka rëndësi vetëm për projektet që u miratuan, por edhe për mesazhin që Brukseli dha këto ditë ndaj rajonit tonë. Në kryeqytetin Francës, në prani të Presidentit Fransua Hollande, Kancelares Gjermane, Angela Merkel dhe drejtuesve të Komisionit Europian, Kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë Hercegovinës dhe Maqedonisë, u theksua qartë vazhdimi i procesit të integrimit të rajonit në Bashkimin Europian.
Deklarata e përbashkët dhe mesazhet e Kancelares Merkel, Presidentit Hollande dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini, nuk lënë vend për dyshime. E ardhmja e rajonit mbetet vetëm integrimi. Diçka e tillë është thënë vazhdimisht nga zyrtarët e Brukselit, por në këto ditë të vështira për BE-në pas daljes së Britanisë së Madhe nga Unioni, marrin një rëndësi të veçantë, pasi edhe vetë BE synon të tregojë forcë dhe zgjerim pas goditjes britanike, e cila ishte dërmuese. Sepse referendumi në Britaninë e Madhe (BREXIT) shtoi frikën e vendeve anëtarë të BE-së për zgjerimin e mëtejshëm. Problemet që ngritën përkrahësit e referendumit lidheshin me emigrantët dhe futjen në union të vendeve nga Ballkani që realisht kanë probleme me ligjin, kriminalitetin dhe funksionimin e shtetit. Mesazhet e para që erdhën nga Brukseli pas BREXIT ishin për frenim të proceseve të anëtarsimit dhe rishikim të gjithë politikave të Bashkimit Europian. Po mesazhet që u dhanë këto dy ditë flasin hapur se vendet e rajonit, mes tyre dhe Kosova kanë një të ardhme të qartë për tu bërë pjesë e BE. Edhe pse koha e integrimit do të jetë e gjatë, qeveritë e rajonit morën përgjigjen publike se projektet nuk do të mbeten në mes. Pra do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë dhe pavarësisht asaj që ndodhi me Britaninë, BE-ja mbetet i vetmi projekt i përbashkët. Ky është një lajm i mirë, sepse pa projektin e BE-së, Ballkani rikthehet në gjendjen e mëparshme me konflikte dhe ndikime të interesave gjeopolitike që nuk kanë të bëjnë me NATO dhe Brukselin.
Në këtë drejtim, ndodhja e BREXIT pavarësisht tronditjes që solli në BE, për rajonin e Ballkanit ka shtuar shanset e integrimit. Sepse më në fund, Brukseli i ktheu sytë nga Ballkani duke e marrë seriozisht çështjen e integrimit të tyre.
Veç kësaj, Samiti i Parisit ka vlerën e vetë edhe për projektet konkrete që Bashkimi Europian do të investojnë në rajonin tonë. Ky ishte takimi i tretë që zhvillohet këto vite. Por ndryshe nga herët e tjera, në Paris u firmosën marrëveshjet dhe fonde konkrete, ku përfituese direkte është dhe Shqipëria. Projekti i parë ka të bëjë me investimet në infrastrukturë dhe konkretisht në hekurudha. Janë 3 projekte të reja hekurudhore të cilat kushtojnë 100 milionë euro. Një prej tyre është projekti i paraqitur nga Shqipëria për rehabilitimin e Hekurudhës Tiranë-Durrë dhe ndërtimin e degëzimit për në Rinas. Vlera e projektit është 82 milionë euro, nga të cilat granti i Bashkimit Europian që u miratua në Samit është 35 milionë euro. Ndërsa Kosova ka përfituar nga projekti hekurudhor me Serbinë, duke mundësuar rikonstruksionin e linjës Fushë Kosovë- Mitrovicë.
Veç projekteve hekurudhore, Shqipëria në këtë Samit ka marrë rolin e një qendre rajonale për politikat rinore. Një meritë të padiskutueshme për marrjen e këtij projekti ka Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, e cila arriti të bindë vendet e BE-së për hapjen e kësaj zyre rinore që do bashkojë të rinjtë e gjithë vendeve të Ballkanit në Tiranë. Presidenti Francez Fransua Hollande e cilësoi këtë nismë si një projekt që do shërbej për “mbylljen e plagëve të së kaluarës mes vendeve të rajonit”. Zyra Rajonale e Bashkëpunimit Rinor u ideua si nismë nga kryeministri Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Qëllimi i saj do të jetë “mbështetja e aktiviteteve që promovojnë ripajtimin mes popujve, si dhe të programeve mbi diversitetin, shkëmbimet ndërkulturore, pjesëmarrjen qytetare dhe promovimin e vlerave demokratike”. Vendet e Ballkanit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja.
Samiti i radhës për vendet e rajonit do të mbahet në Itali në vitin 2017. Sigurisht, projektet që mund të kishte marrë Shqipëria nga BE mund të ishin më të mëdha dhe më të shumta në numër. Megjithatë, ky takim ishte pozitiv për një arsye të thjeshtë. Pas BREXIT, Brukseli dhe BE-ja kthyen sytë nga Ballkani dhe procesi i integrimit do të vazhdojë.
Por duhet që politika shqiptare të jetë me e përgjegjshme dhe të ketë si prioritet konsensusin për reformat e jo përjashtimin e opozitës. Ndaj si mesazh pozitiv mund të jetë edhe intervista e Fatmir Xhafës në Tema TV ku tha se mazhoranca po përgatit një variant për nenin 88 që ta miratojmë të gjithë sebashku. Nëse PS dhe Rama e kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit, siç kërkon LSI, edhe me PD, Shqipëria do të jetë një hap para vendeve të Ballkanit Perendimor.