Pas studentëve, vjen protesta e emigrantëve
Shqiptarët që jetojnë në emigracion mblidhen në Tiranë më 28 dhjetor në një miting para kryeministrisë kundër krimit, korrupsionit dhe varfërisë. Qeveria ka ndaluar fishekzjarrët këtë vit, por në vend të zhurmës së tyre do të jenë protestat ato që do shoqërojnë fundvitin. Banorët e Unazës së Re dolën edhe në ditën e Krishtlindjeve në protestë për të kundërshtuar shembjen e pronave të tyre. Studentët edhe pse shumica që vijnë nga rrethet kanë shkuar pranë familjeve për festa, dje ishin sërish në një protestë simbolike para Kryeministrisë. Me premtimin se do të kthehen fuqishëm në janar me protesta masive, ata dje i dhuruan kreut të qeverisë një Kushtetutë dhe një palë pantallona serioze. Mesazhi i të rinjve është se kreu i qeverisë duhet të lexoje Kushtetutën e vendit që u jep të drejtë studentëve në kërkesat e tyre, si dhe në mënyrë ironike i sugjeruan që herë tjetër të vishet me pantallona serioze dhe jo me çitjane. Ndërsa protestat e studentëve dhe Unazës së Re pritet të nisin me ritëm të ashpër në Janar, një tjetër protestë e veçantë është duke u përgatitur këto ditë në Tiranë. Mijëra emigrantë që kanë ardhur për festat si çdo vit në Shqipëri, këtë herë kanë vendosur që jo vetëm të festojnë me të afërmit, por edhe të protestojnë. Nisma për protestën e emigrantëve shqiptarë, ashtu si ajo e studentëve, ka nisur në mënyrë spontane me thirrje në rrjete sociale. Një nga organizatorët e saj është Genc Sejko, një personazh që njihet gjerësisht në Shqipëri si “Njeriu i memeve”. I riu që prej vitesh jeton në Londër në pak kohë ka arritur t’i ktheje mesazhet dhe fotomontazhet e tij në Facebook në modelin më të mirë të të bërit opozitë qytetare. Me vetëm pak fjalë ironike dhe një foto të zakonshme të kryeministrit apo të ministrave, Sejko dhe të tjerë si ai, në rrjetet sociale arrijnë të thonë atë që shumë shqiptarë mendojnë për politikën dhe mënyrën sesi po qeveriset vendi. Efekti i kësaj metode opozitare u pa më së miri dhe në protestën e studentëve, ku pas thirrjeve në rrjetet sociale, të rinjtë u mblodhën në shesh me mijëra dhe nuk mbanin fjalime, por vetëm parulla dhe “meme” ironike. Është një metodë e re e reagimit ndaj qeverisë, larg fjalimeve dhe mitingjeve partiake, por që jep efekt në masivizimin e protestave. Në këtë mënyrë është organizuar dhe protesta e së premtes me 28 dhjetor. Thirrjes së bërë në rrjetet sociale i janë përgjigjur me mijëra qytetarë. Shumica e tyre janë emigrantë që të premten nuk do të protestojnë vetëm për hallet e tyre, por do të shprehin reagimin për mënyrën sesi po qeveriset Shqipëria. Edhe pse shumë prej tyre nuk i lidhin më shumë gjëra më Shqipërinë, pasi kanë ndërtuar jetën e tyre në vendet ku kanë emigruar, ata thonë se protesta ka si qëllim denoncimin e korrupsionit dhe tronditjen e këtij sistemi qeverisës që po shkatërron vendin. Protesta është thirrur nga emigrantët edhe për shkak të një mesazhi që duan t’i japin shoqërisë. Veç studentëve dhe kategorive si banorët e “Astirit”, që po protestojnë vetëm kur u shkuan fadromat te shtëpitë, qytetarët e tjerë këto vite nuk janë ngritur asnjëherë në protestë. Nuk kanë protestuar për çmimin e naftës, për taksat dhe as për korrupsionin që i prek të gjithë, si të majtë dhe të djathtë. Ndaj dhe emigrantët kanë vendosur që të thërrasin në shesh gjithë shqiptarët, për të protestuar për të drejtat e tyre. Një protestë e ngjashme u zhvillua në shtator në Rumani, ku ishin emigrantët ata që protestuan për drejtësinë e kapur dhe korrupsionin qeveritar derisa e detyruan qeverinë të tërhiqet.
Tubimi i thirrur më 28 dhjetor dhe pse ka organizator shqiptarët emigrantë është i hapur për gjithë qytetarët e tjerë. Apeleve në rrjetet sociale u janë përgjigjur me mijëra qytetarë, intelektualë dhe njerëz të njohur të skenës publike. Ndërkohë që edhe një pjesë e studentëve që kanë protestuar këto ditë pritet të jenë në shesh, duke e kthyer tubimin në një protestë kombëtare.
Protestat po e trondisin qeverinë. Shoqëria shqiptare po zgjohet.