Pazari PS-PD fuqizon LSI-në

Marrëveshja PS-PD për zgjedhjet e 25 qershorit ka sjellë ndryshime të mëdha në skenën politike. Ky pakt mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës shmangu destabilitetin dhe rikonfiguroi gjithë pozicionet e palëve. Këtë “qeveri besimi” realisht e ka kërkuar Ilir Meta në mënyrë që të mos shkohet pa opozitën në zgjedhje. Por informacionet shkojnë se PS dhe PD kanë bërë marrëveshje të fshehtë që të bashkëqeverisin edhe pas zgjedhjeve, çka tregon se kanë ndarë tortën e pushtetit, ku një pjesë e mori selia blu që tani para zgjedhjeve. E mira do të ishte që ta pohonte selia rozë dhe selia blu, pasi mbetet një e drejtë e tyre për marrëveshjet politike. Por duhet t’ia thonë publikut. Dhe jo të dilte, rastësisht, dje në Elbasan nga nënkryetari i PD-së Edmond Spaho, i cili gjatë fjalimit nuk tha asnjë fjalë për kryeministrin Rama, por u turr ndaj LSI dhe PDIU, duke pohuar se të dyja do jenë në opozitë pas zgjedhjeve. Pra PD do jetë në pushtet! Me kë, me Edi Ramën?! Po të ishte ndryshe do të thoshte se PS, LSI dhe PDIU do jenë në opozitë, por e veçoi PS-në duke nënkuptuar se do jetë bashkë me PD.

 Kjo aleancë e re edhe pse është një lëvizje që shmangu përplasjen ka ngritur shumë pikëpyetje për efekte negative që mund të prodhojë. Efekti i parë është dëmtimi që u bënë partive të vogla. Edhe pse Basha dhe Rama thonë se marrëveshja vendosi që PS dhe PD të hynin në garë pa koalicione me partitë e tjera, sepse nuk kishte kohë, e vërteta është ndryshe. Të dy kryetarët kanë rënë dakord me vetëdije të plotë për të eliminuar partitë e tjera aleate. Dalja në koalicion dhe kërkesat e partive të vogla, kanë qenë një shqetësim i hershëm i  partive të mëdha. Në entuziazmin që ka krijuar arritja e marrëveshjes së re, Rama dhe Basha kanë menduar se u ka ardhur rasti për të hequr qafe njëherë e mirë partitë e tjera.

 Të gjitha partitë e vogla do ta kenë shumë të vështirë mbijetesën politike në këto zgjedhje. Kjo vlen për të gjitha partitë e majta dhe të djathta, përveç Lëvizjes Socialiste për Iintegrim. Arsyeja është e thjeshtë, LSI-ja që prej vitit 2009 nuk mund të quhet më parti e vogël dhe nuk bën pjesë të subjektet politike që janë satelite të dy forcave kryesore. Nëse bëhet një verifikim i votave që kjo forcë politike ka marrë që nga themelimi, rezulton se është e vetmja parti që në çdo zgjedhje thuajse ka dyfishuar rezultatin e saj.

Në zgjedhjet e vitit 2013 LSI mori 180 mijë vota që i dhanë 16 mandate deputetësh. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2015, LSI ka arritur rezultatin më spektakolar si subjekt politik. Në total, dy vite më parë LSI ka marrë 260 mijë vota, ose rreth 20 për qind të elektoratit shqiptar. Këto shifra, duke pasur parasysh gjithmonë faktin e rritjes së kësaj partie, flasin se edhe pa koalicionin me PS, LSI-ja sërish do të jetë një forcë kryesore në lojën politike pas 25 qershorit dhe vendos sërish se kush do të jetë mazhoranca e re. Analiza se këto vota të LSI vijnë nga PS është e gabuar, për shkak se socialistët asnjë herë nuk e kanë ndihmuar LSI edhe pse kanë qenë në një koalicion. Mjaftojmë të kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 2015-ës, për shkak se PS nuk bashkoi votat me LSI u humbën disa nga bashkitë ku kandidonin përfaqësues të LSI. Bile porosia e drejtuesve të PS-së ishin që “votat jepjani PD, por jo LSI!”. Ndaj 260 mijë votat e LSI-së në vitin 2015 janë reale dhe nuk kanë ardhur as nga PS dhe aq më pak nga PD. Duke u bazuar në këto të dhëna, Ilir Meta dje bëri parashikimin e parë për numrin e mandateve të do të marrë LSI. “Edhe për vitin 2013 LSI-ja nuk ka përfituar nga PS-ja. Përfitimi ka qenë reciprok, sepse LSI ka marrë 180 mijë vota, ndërkohë që ka marrë 16 mandate. 16 mandate në 2013, 34 mandate në 2015. Tani të gjithë ata që dinë matematikë dhe e dinë që forca e LSI-së është rinia e kuptojnë se ku është rezultati në 2017-n”,- tha kreu i Kuvendit dhe ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta. Duke u bazuar në rezultatet e vitit 2015, Meta parashikoi se LSI ka të paktën 7 mandate të sigurta në Tiranë, 4 mandate në Durrës, 4 në Fier, 4 në Elbasan, 3 në Korçë dhe në qarqet e tjera. Sondazhet tregojnë se pas pazarit PS-PD për bashkëqeverisje edhe pas zgjedhjeve, po sjelle irritim të bazës socialiste dhe asaj demokrate, të cilat ndjehen të tradhtuara. Kjo do sjellë rritje për LSI, por edhe për LIBRA të Ben Blushit, çka do të sjellë, që LSI të përcaktojë qeverinë e re pas 25 qershorit.

Surpriza e thënë nga Meta do jetë me 26 qershor.

Por përveç votave aktuale, LSI ka një avantazh elektoral që i ka ardhur “dhuratë” nga marrëvesha PS-PD. Duke dalë vetëm në zgjedhje LSI nuk ka më detyrime për të marrë dhe koston e qeverisjes së Partisë Socialiste. Drejtuesit dhe kandidatët e LSI garojnë me një program me vete dhe moralisht nuk kanë përse të japin llogari apo mbajnë përgjegjësi për kanabisimin që i bëri vendit Rama apo për koncesionet  dhe abuzimet qindra milion euro që bëri dhe vazhdon të bëjë PS-ja. Por tani me lejen e PD-së.

Avantazhi tjetër i LSI në këtë zgjedhje është raporti me PD. Në fushatën e vitit 2013, koalicioni me PS-LSI u kritikua pasi LSI vinte pas 4 vjet qeverisje me Partinë Demokratike. Marrëveshja Rama-Basha është aq e panatyrshme sa ka legjitimuar tashmë çdo koalicion dhe çdo lëvizje politike të LSI. Kur vetë socialistët sot po ndajnë pushtet dhe karriget me PD-në, LSI nuk mund të ketë asnjë kosto nga një koalicion i bërë 8 vite më parë, koalicion që solli heqjen e vizave dhe futjen e vendit në NATO.

Përveç LSI përfiton ndjeshëm edhe Ben Blushi, pasi duke parë publiku se si e bënë pazarin Rama dhe Basha, janë zhgënjyese edhe për elektoratin gri. Blushi bëri dje në parlament një fjalim mbi funeralin e pazarit Basha-Rama, çka i ka dërmuar PS dhe PD.

 LSI, PDIU dhe LIBRA do jenë partitë e vlerës dhe parimit, kurse PS dhe PD e nxorën pisllekun dhe marifetet për të mbajtur njëra tjetrën në pushtet dhe për ndarë çfarë ka mbetur pa u vjedhur në këtë shtet.

Qamil Xhani

SHKARKO APP