PD dhe LSI: Më 13 prill Edi Rama nuk shpëton!
-Lidershipi opozitar deklaron se nuk ka kthim në shtëpi për protestuesit e ditës së shtunë, pa rrëzuar kryeministrin. Ndërkohë policia e shtetit është vendosur në gjendje gatishmerie të lartë, kurse Garda ka rritur numrin e rojeve për Edi Ramën. Të gjitha lëvizjet e kryeministrit shoqërohen me masa të forta sigurie.
Pas djegies së mandateve, opozita ka vendosur dy kushte të panegociueshme të cilat janë: qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Janë dy kërkesa që nuk mund të cilësohen si tekanjoze, siç i quan mazhoranca, por qëndrime të domosdoshme që vijnë pas 6 vitesh qeverisje problematike të Edi Ramës me korrupsion në rritje, rënie të gjithë sistemit të drejtësisë, bashkëpunim e bashkëdrejtim me krimin e organizuar dhe blerje të zgjedhjeve. Çdo zgjidhje e pjesshme e krizës aktuale politike do të ishte momentale, për të sjellë më pas një krizë edhe më të rëndë. Ndërkohë që Shqipëria hyn në kolaps politik dhe social çdo ditë e më tepër, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të shmanget nga përgjegjësia politike deri në pikën që e mohon se në Shqipëri ka një krizë. Qëndrimet e kryeministrit për të hyrë në zgjedhje vendore pa opozitën, si dhe tentativat për të miratuar reformën zgjedhore me deputetët e blerë, kanë rritur edhe më shumë tensionet politike. Përballë protestave masive dhe daljes së opozitës nga sistemi, kreu i qeverisë po mundohet të krijojë idenë se demokracia funksion dhe me deputetë të blerë dhe se zgjedhjet mund të bëhen dhe pa kundërshtarë realë.
Kjo është çmenduri! Nuk ka sesi të ketë zgjedhje pa opozitën. Dje edhe “Zëri Amerikës” e Elez Biberaj, drejtor për Euroazinë në radion shtetrore amerikane, theksuan se kryeministri Rama drejton me arrogancë, me korrupsion dhe krim.
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim deklarojnë se të shtunën e ardhshme në Tiranë (13 prill) pritet të mbahet një nga protestat më të mëdha kundër qeverisë “Rama”. Detajet e tubimit masiv dhe mënyra e reagimit qytetar mbahet sekret nga opozita, por të gjithë organizatorët premtojnë së me 13 prill do të ketë surpriza për qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama. Gjithë procesi i përgatitjes së kësaj proteste flet se do të jetë krejt ndryshe nga herët e tjera. Ora e zgjedhur, vendi dhe mesazhet që do të jepen janë përzgjedhur me një simbolikë të veçantë nga ana e opozitës, ku populli nuk do përmbahet më si deri më tani.
Jo rastësisht protesta më masive do të nis në mbrëmje. Sipas njoftimeve të opozitës qytetarët do të mblidhen në orën 18:00 para Kryeministrisë dhe përgjatë gjithë Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Zhvillimi përgjatë mbrëmjes i një tubimi paraqet dhe një sfidë për forcat e rendit e personelin që siguron zyrën e kryeministrit Edi Rama. Por pjesë e surprizave të kësaj protestë është dhe kohë zgjatja e saj. Ish-deputetët të opozitës thonë se tubimi do të nis në orën 18:00, por nuk ka një afat mbarimi, ç’ka nënkupton se protesta do të ketë karakter ultimativ dhe do të vazhdojë deri në plotësimin e kushteve për qeveri tranzitore. Policia e Shtetit pritet të mos jap leje për tubimin, por një qëndrim i tillë i forcave të rendit mund të acarojë edhe me tepër situatën para Kryeministrisë.
Anëtari i Kryesisë së PD, Kreshnik Çollaku, paralajmëroi dje se megjithë masat që Garda e Republikës ka marrë për të blinduar hyrjen e godinës së Kryeministrisë më 13 prill qytetarët, nuk do t’i ndalojë asgjë. Ai aludoi se ashtu si të premten në Kukës, tashmë qytetarët po e ndjekin këmba këmbës Kryeministrin. Gjatë kësaj jave në Tiranë pritet të vijnë disa përfaqësues ndërkombëtare me misionin për të zgjidhur krizën. Deri më sot, Edi Rama të vetmen ofertë që ka bërë për opozitën është ftesa për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Më shumë sesa tërheqje e kryeministrit, ky propozim është cilësuar nga opozita si një tallje. Protestat nuk kërkojnë rregullimin e Kodit Zgjedhor, por largimin e kryeministrit dhe qeveri tranzitore. Ndërkohë dje “Zëri Amerikës” transmetoi një analizë në lidhje me “pranverën ballkanike”, e cila ka përfshirë Serbinë, Malin e Zi dhe Shqipërinë, ku qeveritë janë të korruptuara dhe po vjen ora e largimit të tyre. Ndërkohë kryeministri Rama nga Lezha prapë këmbëngul se nuk ka zgjedhje të parakohshme parlamentare, çka e ka ngritur tensionin politik dhe data 13 prill do jetë datë pa kthim pas dhe kthim në shtëpi, thonë në selitë e PD dhe LSI.
Pa rrëzuar kryeministrin këtë radhë nuk ikim- ky është vendimi final i lidershipit opozitar./Qamil Xhani/