PD, gati në shtator për “revolucion demokratik”

 

Partia Demokratike u ka dhënë fund hamendjeve verore për ardhje në pushtet në bazë të një koalicioni me një prej dy forcave politike, PS apo LSI. Deklarata e Edi Ramës dhe më pas ajo e Ilir Metës, la të kuptohet se marrëdhëniet mes tyre nuk janë të mira, por as aq të këqija sa të sjellin krizë ndarje  tek majta. Pushteti është i ëmbël, ndaj askush prej tyre nuk ka ndërmend të bëjë ndonjë lëvizje të fortë që mund t’ua heqë nga duart në gjysmën e mandatit qeverisës.

Për këtë qëllim, Partia Demokratike ka ndryshuar strategji. Në mesin e gushtit, kur drejtuesit kryesorë të institucioneve janë me pushime, Partia Demokratike ka nisur sulmet ndaj Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim. Në qendër të sulmeve të PD-së gjatë muajve të fundit kanë qenë Ministria e Brendshme, Ministria e Shëndetësisë, Drejtoria e Doganave, Tatimet, Ministria e Financave dhe sigurisht, Kryeministri Edi Rama. Të gjitha institucionet që janë akuzuar i përkasin Partisë Socialiste. Por deklarata e djeshme e nënkryetarit të PD-së, Edmond Spaho, nuk sulmonte vetëm Kryeministrin, por edhe kreun e Kuvendit dhe aleatin kryesor të qeverisjes së majtë, Ilir Meta. Numri dy i PD-së e ka cilësuar po aq fajtore LSI-së, sa dhe Partinë Socialiste në politikat qeverisëse që janë ndjekur deri më sot. Madje dhe për kritikat e Metës dy ditë më parë për modelin e taksave, Spaho sillte në vëmendje faktin se reformat janë miratuar edhe nga deputetët e LSI-së. Shkurt, për PD-në, PS dhe LSI janë dy gjysmat e një pushteti me të cilin opozita nuk mund të bashkëpunojë.

Qëndrimi i Spahos në një moment tjetër mund të merrej si një retorikë politike pa rëndësi e ditës. Por duke parë deklaratat e bëra nga deputetë si Genc Pollo dhe deputetë të tjerë të PD-së që shohin si mënyrë për të ardhur në pushtet vetëm një koalicion me dy forcat e tjera, duket se PD-ja e ka ndarë mendjen për të mos kërkuar më aleanca. Të paktën publikisht, deputetët e PD-së nuk po e çorientojnë më elektoratin e djathtë duke aluduar se do të vijnë në pushtet duke bërë aleancë me LSI-në, apo edhe një aleancë më Partinë Socialiste. Ky ndryshim planesh i paraprin edhe fazës tjetër të aksionit të Partisë Demokratike në shtator. Më shumë se një herë, Basha ka deklaruar se me nisjen e sesionit të ri parlamentar, do të nisin dhe protestat e opozitës. Tashmë selia blu është tamam në opozitë, pra pa pikë pushteti e leku.  Edhe karburantin do ta marrin me racion !

 Në 6 shtator, nis sesioni i ri parlamentar dhe në krye të axhendës është një prej reformave kryesore të vendit, ajo në drejtësi. Kjo reformë do të kërkojë ndryshimin e një sërë ligjesh që kërkojnë shumicë të cilësuar votash dhe mund të shkojë deri në ndryshimin e Kushtetutës. Veç kësaj, Kryeministri ka paralajmëruar disa aksione që pritet të sjellin impakt në opinion, si ai për tatimet dhe kontrollin e bizneseve.

Përballë reformave të qeverisë, opozita do të ndërmarrë protestat e para, që siç thuhet nga vetë demokratët, do të jenë më të mëdhatë. Pak ditë më parë ishte Sali Berisha që kërkoi “revolucion demokratik”, çka kuptohet sipas ish-liderit të PD-së, bllokim ditë e natë i bulevardit “ Deshmorët e Kombit” e sidomos para kryeministrisë. Por edhe Basha  dje ka dhënë sinjalin e parë  zyrtar për protesta. Në profilin e tij në Facebook ka hequr foton zyrtare dhe ka vendosur pamje nga protestat e muajve të kaluar të opozitës. Pas dy vitesh përpjekje për të sjellë një opozitë të moderuar, Basha duket se ka vendosur të ndryshojë strategji. Rezultatet e zgjedhjeve faktuan se mënyra sesi e ndërtoi PD-në nuk dha rezultatet e duhur. Ndaj kursi i anijes së PD-së do të priret drejt protestave të forta dhe një opozite më radikale. Për Ramën dhe Metën, shtatori është muaji i reformave dhe nisja e periudhës që do të përcaktojë suksesin ose dështimin e këtij mandati qeverisës. Për Bashën, shtatori është hapi i parë drejt zgjedhjeve të vitit 2017.

Nëse zbatohet skenari i Berishës për “revolucion demokratik” vendi do futet në spirale krizash të mëdha,duke e rënduar edhe më shumë situatën ekonomike e politike e mund të shkoj drejt konfrontimit të popullit demokrat me qeverinë, nga ku nuk i dihet se si del fundi. Dihet se demokratët bëjnë protesta me të forta se sa socialistët, kështu që shtatori, duke qenë edhe muaji i fresket e ku mund të flihet edhe në bulevard, do të jetë pikë kthese për opozitën.

Radikalizmi mund ta shpëtojë opozitën, e cila nuk ka zgjidhje tjetër për të ngritur popullin e saj opozitar dhe të pakënaqurit e mazhorancës, të cilët nuk kanë përfituar asnjë gram pushtet tash dy vite.

 

  

 

 

SHKARKO APP