PD- LSI: Reforma kalon nga Venecia

 

Reforma në Drejtësi ka marrë një kthesë pas rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Dokumenti i paraqitur nga Partia Socialiste në këtë komision u kthye prapa me mjaft ndryshime nga ekspertët ndërkombëtarë të drejtësisë. Për Partinë Demokratike draftit të hartuar vetëm nga maxhoranca duke anashkaluar Presidentin dhe opozitën Venecia i ka rrëzuar rreth 70 për qind të propozimeve. Ekspertët e PS-së pretendojnë se komisioni nuk rrëzoi totalisht propozimet e tyre, por kërkonte konsensus. Pavarësisht qëndrimit të palëve, fakti është se dokumenti që solli Venecia në Tiranë kërkon riformulimin shumë prej projekteve për të cilat ekspertët e huaj kanë dryshime dhe nuk i cilësojnë si të nevojshme. Në gjithë sintezën e dokumentit të Venecias vihet theksi tek dy pika. E para, reforma është urgjente dhe duhet të realizohet, por jo në formën që ekspertët e PS-së kanë punuar deri tani. Dhe e dyta, çdo ndryshim duhet të kalojë me konsensus.

Dje janë dhënë sinjalet e para të një konsensusi, që çuditërisht nuk ka ardhur nga Partia Socialiste, por nga Partia Demokratike. Fillimisht ish-kryeministri Sali Berisha, në një takim me ambasadorin Donald Lu, deklaroi se “Komisioni i Venecias ka pasqyruar të gjitha vërenjtet e opozitës për reformën”. Një qëndrim i tillë, që sipas Berishës është thënë dhe nga Ambasadori Amerikan Donald Lu e fut në një fazë të re debatin për këtë projekt. Për Berishën, gjithë puna për realizimin e ndryshimeve ligjore tashmë duhet të vazhdojë mbi dokumentin e Venecias.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha pas takimit me ambasadorin Donald Lu ka qenë dhe më sfidues. Në prononcimin e dhënë për mediat, Basha ftoi Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që nëse duan të bëjnë reformën, e vetmja mënyrë është t’i përmbahen rekomandimeve të reja. “Sot kam një mesazh që i drejtohet drejtpërdrejt Edi Ramës, Ilir Metës dhe deputetëve të shumicës. Këtu kam draftin e propozimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi. Kjo është harta e rrugës që partitë politike dhe partitë parlamentare duhet të ndjekin për të përfunduar me sukses reformën në drejtësi”,- u shpreh Basha.

Opozita ka dhënë konsensusin brenda një dite. Jo rastësisht ambasadori Donald Lu ka takuar fillimisht ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e Partisë Demokratike. Në dy takime ka marrë miratimin e ish-drejtuesit të PD-së, Berisha, që është ende faktor tek e djathta, por i ka shkëputur Bashës dhe premtimin se PD do të jetë në Parlament dhe komisione për arritjen e konsensusit.  Vetëm disa ditë më parë nga PD-ja kishte qëndrime për bojkotim të reformës.

Lëvizja Socialiste për Integrim, aleati kryesor i koalicionit qeverisës, beson më shumë tek Komisioni i Venecias sesa tek ekspertët e dy partive kryesore politike apo tek populizmi që po ndërmerret në publik.Nënkryetari i LSI dhe kreu i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili tha dje se ky komision “është gjykatësi i vetëm më i besueshëm dhe i nivelit më të lartë profesional”. Nisur nga ky dokument i ndërkombëtarëve, në emër të LSI, Vasili tha se kjo forcë politike është e gatshme të bëjë pjesën e vetë duke synuar një reformë profesionale. Një reformë që sipas tij duhet të jetë “larg nga dilentatizmi dhe populizmi që nuk bëjnë gjë tjetër përveçse do të riciklonin eksperimentet, por dhe gabimet e mëdha të së shkuarës”.  Dhe kur flitet për gabime të mëdha, LSI duket se ka parasysh konsensusin PD-PS për ndryshimin brenda një nate të Kushtetutës në vitin 2008. LSI është për një reformë që të diskutohet jo vetëm mes politikanëve, por kryesisht ekspertëve. Ndaj këto javë pritet që LSI të zhvillojë disa dëgjesa publike për njohjen në detaje të reformës. Takime ku ne vend të politikanëve do të jenë ekspertët ata që do vlerësojnë se çfarë reforme i duhet vendit.

Në këtë pranim të rekomandimeve të Venecias nga PD dhe LSI, këto dy ditë ka munguar një qëndrim zyrtar nga Partia Socialiste. Në seancën e së hënës, deputetët e PS nuk ishin të qartë nëse Venecia u kishte dhënë të drejtë për draftin apo e kishte rrëzuar. Dy ditë më parë, kreu i Komisionit të Ligjeve zgjodhi vetëm pjesët e rekomandimeve ku flitej se reforma duhet, por nuk u ndal në detaje. Në kohën që PD dhe LSI kanë konfirmuar zyrtarisht konsensus është koha që dhe PS të bëjë të njëjtën gjë.

Kur opozita flet me gojën e dy drejtuesve të saj dhe LSI nxjerrë numrin dy të partisë për të konfirmuar konsensusin, Partia Socialiste është mjaftuar vetëm me qëndrime sporadike deputetësh. Pas rekomandimeve të Venecias nis puna reale e reformës në drejtësi. Deri para një jave kishim vetëm ide, tani është një dokument konkret që duhet diskutuar.

Tani fillon puna e specialistëve të reformës,ndërsa deklaratat dhe komentet politike duhet të rrijnë larg tyre.

 

 

SHKARKO APP