PD-PS-LSI, betejë politike me bandat
Dy ditë më parë, Tirana u trondit nga dy atentate me armë zjarri. Ngjarjet mund të mos kenë lidhje me njëra-tjetrën, siç thuhet dhe në versionin e policisë, por protagonistët e saj duket se ishin pjesë e së njëjtës bandë. Emiliano Shullazi, një emër i njohur për problemet që ka pasur me ligjin është në qendër të gjithë historisë. Ndërsa përfshirja e një punonjësi të policisë në ngjarjen e Rrugës së Kavajës ka komplikuar dhe më tepër skenarët. Hamendjet e opozitës dhe mediave për atë çfarë ndodhi në kryeqytet kanë shkuar përtej cakut të policisë. Zyrtarisht kemi një person të vrarë, Arianit Sterio, i cili sipas të dhënave jozyrtare mund të jetë vrasës me pagesë dhe ka pasur mision ekzekutimin e 4 personave në Rrugën e Kavajës. Objektivi i tij kanë qenë Pajtim Serjani, 32- vjeç; Denis Ramani, 28- vjeç; Ditmir Reçi, 33- vjeç dhe Roland Meta, 37- vjeç; ky i fundit me detyrë punonjës policie pranë Njësisë së Operacioneve Speciale në Tiranë. Gjatë tentativës, Sterio ka plagosur Pajtim Serjanin, por gjatë shkëmbimit të zjarrit është vrarë nga punonjësi i policisë, Roland Meta. Disa minuta më parë sesa të ndodhte ngjarja në Rrugën e Kavajës, Emiljano Shullazit dhe Gilmano Danit u është bërë një atentat në Qafën e Kasharit, nga ku ka mbetur i plagosur Shullazi. Filli që i lidh dy ngjarjet është fakti se Pajtim Serjani dhe Emiliano Shullazi njihen si anëtarë të së njëjtës bandë, sipas mediave dhe policisë. Policia ka bërë të ditur se janë shoqëruar mbi 20 persona për të dhënë dëshmi mbi ngjarjet dhe zbardhjen e tyre. Gjithashtu është marrë në pyetje Emiliano Shullzai për të identifikuar atentatorët ose porositësit e mundshëm të atentatit. Kronika e ngjarjes është e ngjashme me shumë përplasje bandash në vend, si ato të Durrësit, apo të Lushnjës disa vite më parë.
Debati në këtë rast duhet të ishte mbi rolin e policisë, aftësive parandaluese dhe mbi një kontroll më të rreptë mbi elementët me precendentë penalë. Por prej 24 orësh, politika ka nisur debat sa të pabazuar në prova, aq edhe të dëmshëm për vendin. Numri dy i partisë demokratike, Sekretari i Përgjithshëm Arben Risani, në një deklaratë të pazakontë drejtoi gishtin ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për implikim në këtë ngjarje! “Përfshirja fizike në këtë histori e një efektivi të policisë, është një fakt i rëndë, kompromentues, që bën përgjegjës drejtpërdrejt Saimir Tahirin, që bën përgjegjës shefin e Tahirit, Edi Ramën. Efektivi policor, pjesë e kësaj përplasjeje bandash, është aty me dijeninë dhe miratimin e Ministrit, është aty për të shërbyer favoret politike… Kjo ngjarje tregon se banda ka jo vetëm lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj kriminal, por ka drejtpërdrejt mbështetjen e qeverisë me burime njerëzore”, – tha dje Risani. Si gjithmonë, më i ashpër dhe gati në ekstrem ka qenë ish-kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, “vendi u është lënë në dorë bandave”, duke përdorur si argument praninë e një efektivi të policisë, Roland Meta, në ngjarjen në ndodhur të martën. Për të vazhduar me ngjyrosjen e atentateve me elementë politikë, Partia Demokratike publikoi mbrëmjen e djeshme në Facebook, një foto ku njëri prej të plagosurve, Pajtim Serjani, ishte fotografuar disa kohë më parë para selisë së Partisë Socialiste. Në traditën e reagimeve politike, deputeti i PS-së, Ervin Bushati tha nga selia rozë se Partia Demokratike bën sajesa të rrezikshme duke dëmtuar punën e policisë dhe duke e akuzuar atë për çdo ngjarje të ndodhur në vend.
Lehtësia me të cilat hidhen akuzat, përlyhet Kryeministri dhe ministri i Brendshëm është një fenomen jo i ri në politikën shqiptare. Por përfshirja nga drejtuesit më të lartë të PD-së, të drejtuesve të shtetit në një aferë banale bandash krijon një precedent të rrezikshëm. I vetmi argument që sjell PD-ja është prania e një polici në ngjarje. Efektivi i policisë është arrestuar dhe një oficer policie, mes rreth 12 mijëve që ka Ministria e Brendshme, nuk bën automatikisht përgjegjës drejtuesit më të lartë të institucioneve. Në morinë e akuzave dhe kauzave që ka zgjedhur Partia Demokratike për të dëmtuar mazhorancën, kjo është më e dëmshmja, jo thjesht për mazhoracën, por për impaktin që jep në opinion. Të akuzosh policinë si institucion të vendosur në shërbim të krimit dhe bandave do të thotë të minosh shtyllën kryesore të funksionimit të rendit në vend. Edhe kur e ka bërë në raste të veçanta PS-ja kur ishte në opozitë kundrejt PD-së ka bërë një gabim të madh. Sulmi ndaj Policisë së Shtetit është një krim, nga kushdo që bëhet. Ata luftojnë me krimin, me paga të ulëta, natë-ditë, pa pushim, pa shpërblime dhe duke rrezikuar jetën. Ndaj futja e Policisë së Shtetit në këtë rast duke përdorur politikën e ditës është me shumë se krim.
Një ngjarje kriminale dhe një përplasje bandash vlen të shihet si sfidë që krimi i bën shtetit dhe opozita duhet të kërkonte më shumë llogari nga Ministria e Brendshme për kapjen e autorëve dhe dënimin e personave me precedentë penalë. PD-ja bëri të kundërtën: shtetin dhe kriminelët po i trajton si të jenë e njëjta bandë. Efektivët e policisë, përveç drejtuesve, janë po ata që kanë punuar gjatë qeverisjes së PD-së, ndaj mesazhi që u është dhënë dje nga PD-ja ka qenë fyes për të gjithë punonjësit e rendit. Nuk mund të bëhet politikë me krimin, sepse nëse i referohemi logjikës gati anormale të PD-së, se nëqoftëse “Shullazi është pjesë e bandës së qeverisë”, në këtë mënyrë, ata që i bënë atentatin duhet të “ishin pjesë e bandës së opozitës”!
Logjikë pa logjikë! Por përdorimi i politikës në dëm të mbrojtjes së qytetarëve dhe forcimit të rendit publik nuk është në të mirë të qytetarëve. Kësisosoj, PD-ja duhet të futet në Parlament, të thërrasë në seancë pyetjesh urgjente ministrin e Brendshëm, të debatojë, por edhe të kërkojë se si mundet të jenë dakort për luftën kundrejt krimit të organizuar, bashkërisht. Nëse një polic apo edhe shef është i përzier në afera me krimin, nuk do të thotë se është e gjithë Policia e Shtetit, apo na qenka vetë ministri Tahiri. Kjo nuk e forcon kredibilitetin e opozitës. E njëjta gjë mund të thuhet se edhe kur sulmohej Flamur Noka si pjesë e krimit nga PS-ja, ishte një gjë e gabuar dhe asfiksuese për vendosjen e rendit kudo e mbi këdo.
Ndaj politika ta lërë Policinë e Shtetit të qetë nga loja e saj dhe e interesave meskine. Policia duhet mbështetur me gjithçka e jo anatemuar. Ndryshe, bandat do hyjnë edhe në selitë e partive politike, megjithëse në ndonjë parti kanë futur një këmbë!