PD: S’ka marrëveshje me Ramën pa dënimin e krimit elektoral nga drejtësia

Opozita nuk do të pranojë asnjë marrëveshje me kryeministrin Edi Rama nëse nuk dënohen krimet elektorale të funksionarëve të lartë të PS. Në mbledhjen e zhvilluar dje me drejtuesit e PD-së, Lulzim Basha ka deklaruar se mes opozitës dhe qeverisë nuk mund të flitet për marrëveshje, për sa kohë nuk ka garanci për zgjedhje normale. Basha ka rrëzuar dhe zërat mediatik që flasin për një pak të fshehtë që po diskutohet mes PD dhe PS. Në mënyrë të prerë, Basha u shpreh se kriza në vend ka arritur në pikën që nuk mund të zgjidhet pa rishikim të sistemit.

“Kjo krizë nuk mbyllet me pazar mes PS-PD, siç po flasin mercenarët e Ramës. Kriza zgjidhet me parime. Parimi i parë, është fundi i pandëshkueshmërisë i atyre që kanë vjedhur votat. Për këtë duhet drejtësi e pavarur, por drejtësi me Ramën kryeministër nuk ka për të patur. 30 qershori është dërrmimi më i madh politik dhe moral i ndonjë pushteti në këto 30 vjet. U faktua ajo që ne paralajmëruam: Është varreza politike e Edi Ramës”,- mësohet të ketë thanë Basha në mbledhjen me dyer të mbyllura me drejtuesit e PD dhe ish-deputetët.

Qëndrimi i kreut të PD-së për rrëzimin e çdo pakti të fshehtë vjen në kohën që në mediat afër qeverisë janë publikuar një seri lajmesh të pakonfirmuara që hedhin idenë se mes të deleguarve të Edi Ramës dhe Lulzim Bashës kanë nisur kontaktet. Veç garancive që u dha Basha drejtuesve të degëve të PD, që nuk ka asgjë të vërtetë në këto qëndrime, dje për këtë çështje ka reaguar dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Në një intervistë për “Neës 24”, Spaho i cilësoi lajmet në media si sajesa që e kanë dalë nga zyra e Edi Ramës dhe selia e PS. Ai tha se informacione të tilla kanë qëllim largimin e vëmendjes nga farsa e 30 qershorit, si dhe nga goditet që po i japin qeverisë “Rama”, raportet ndërkombëtare. “Lajmet për negociata me Ramën janë spekulime për të larguar vëmendjen nga refuzimi i 30 qershorit dhe raporti i Departamentit të Shtetit. Nuk mund të ketë dialog me njeriun që është shkaktari kryesor për krizën. Pazar me Edi Ramën nuk mund të ketë”,- deklaroi numri dy i Partisë Demokratike.

Me dënimin e krimit elektoral, opozita nënkupton hetimin e dosjeve që kanë dalë nga përgjimet e gazetës gjermane “Bild”. Në këto përgjime faktohet se në Durrës dhe në Dibër, bandat e krimit të organizuar, si dhe deputetë dhe ministra të qeverisë “Rama” janë përfshirë direkt në vjedhjen e votës. Hetimi i tyre nënkupton që shumë nga njerëzit që sot janë në krah të Edi Ramës, ministra, deputetë dhe ish-ministra duhet të vihen para drejtësie. Prokuroria deri më sot nuk ka bërë asnjë hetim për këto dosje edhe pse bëhet fjalë për zgjedhjet e mbajtura dy vite më parë. Ndërkohë kryeministri nuk ka dhënë shenja se është gati të lëshojë para prokurorisë njerëzit e tij më të besuar që i kanë siguruar vota, sipas përgjimeve të vjedhura, për mandatin e vitit 2017. Por veç këtyre dy dosjeve, Partia Demokratike ka gati dhe dosjen e re të 30 qershorit. Votimet monopartiake të PS-së ishin jo vetëm një skandal politik, por edhe shkelje ligjore dhe manipulim në shumë prej zonave.  Për vjedhjen e votave, numrin më të madh të votave se sa të votuesve, mbushjen e kutive dhe presionet ndaj administratës, ka pasur denoncime pa fund, por edhe për 30 qershorin Prokuroria nuk ka nisur asnjë hetim ndaj zyrtarëve të PS. Ndërsa opozita kërkon ndëshkimin e krimit elektoral, Partia Socialiste thotë se i ka fituar zgjedhjet e 30 qershorit dhe nuk sheh asnjë parregullsi. Edhe pse 30 qershori ishte pa dekret presidencial, PS po detyron edhe gjykatat që të certifikojnë kryebashkiakët me votime të manipuluara dhe pa datë të dekretuar.

E rëndësishme mbetet se opozita nuk pranon asnjë negociatë pa dënimet e krimit elektoral të faktuar me përgjime dhe në dosjet e prokurorisë./Mili Xhani/

SHKARKO APP