Pedagogët, ultimatum Kryeministrit Rama: Presim deri me 1 Shkurt!

Pedagogët e gjithë fakulteteve të Tiranës për herë të parë, që pas vitit 1990, janë mbledhur dje bashkë për të kundërshtuar politikat e qeverisë në arsimin e lartë. Në një takim të thirrur nga gjithë asambletë akademike universitare, pedagogët kanë miratuar një dokument të përbashkët ku i bëjnë thirrje qeverisë që të plotësojë 6 kërkesa të tyre. Kërkesat, të cilat marrin nismën nga shqetësimet e ngritura nga studentët dhe protesta e tyre, janë një ultimatum drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij. Tashmë kryeministri ka përballë tij studentët dhe pedagogët. Nuk e ka të lehtë ti përçajë siç është përpjekur me “kolona të pesta” apo edhe me ryshfete qeveritare.

Duke dalë pro studentëve dhe protestës për arsimin, pedagogët kërkojnë nga qeveria: anulimin e ligjit për Arsimin e Lartë, anulimin e Vendimeve të Këshillit të Ministrave të marra gjatë javëve të fundit nga qeveria, rritje të buxhetit për Arsimin e Lartë dhe ndaljen e gjuhës denigruese të kryeministrit Edi Rama ndaj stafit akademik. Nëse këto kërkesa nuk do të plotësohen nga ana e qeverisë “Rama” deri më datë 1 shkurt, e gjithë trupa akademike e pedagogëve do të nis bojkotin dhe grevën në gjithë vendin. “Presim përgjigje dhe masa konkrete brenda datës 1 shkurt 2019 për pikat e mësipërme. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do t’i drejtohemi të gjithë trupës akademike të universiteteve publike në nivel kombëtar, për grevë të përgjithshme”,- thuhet në deklaratën e përbashkët të miratuar dje nga trupa e pedagogëve të gjithë universiteteve të Tiranës.

Ky vendim i marrë në mënyrë unanime nga pedagogët është një zhvillim i ri në revoltën që ka nisur prej më shumë se një muaji në universitete. Profesorët e njohur që janë bërë pjesë e kësaj nisme kanë argumentuar se me ndërhyrjet që janë bërë në ligjin e Arsimi të Lartë dhe me VKM-të e fundit të qeverisë “Rama”, universitetet nuk janë më të pavarura, por pjesë e strukturës së qeverisë. Në më shumë se dy orë takim, emra të njohur si Mark Marku, Agron Gjekmarkaj, Rezar Prifti dhe shumë e shumë të tjerë kanë shprehur shqetësimet se përse situata në arsimin e lartë nuk mund të vazhdojë më kështu. Ligji për Arsimin e Lartë dhe VKM-të parashikojnë që figura e pedagogëve të vlerësohet nga institucione të qeverisë, po ashtu dhe përvoja e tyre e mënyra si japin mësim të vlerësohet nga disa burokratë të ministrisë së arsimit. Një tjetër parashikim skandaloz i vendimeve të qeverisë është se dhe përzgjedhja e librave, kurrikulave universitare dhe programeve mësimore duhet të bëhet nga disa agjenci qeveritare të Ministrisë së Arsimit. Një zhvillim i tillë është jo vetëm kthim pas i arsimit, por edhe kontrollon total i universiteteve nga qeveria. Nëse në një universitet, pedagogët i heq dhe vendos ministria njëlloj si mësuesit e fshatrave, nëse librat dhe programet mësimore ua cakton qeveria, nëse dhe kontrollin e punës së tyre e bën qeveria, çfarë kuptimi ka që universitet të kenë borde, senate dhe organizata akademike, gjoja të pavarura? Me disa vendime antiligjore, praktikisht qeveria ka zhbërë gjithë themelet e universiteteve si institucione të pavarura, duke i kaluar kompetencat te qeveria.

Ndryshimet ligjore që u bënë më VKM-të e fundit zhbëjnë dhe zgjedhjet brenda universiteteve dhe çdo investim personal akademik të pedagogëve, pasi me rregullat e reja, çfarëdo që të ndodhë brenda universiteteve nuk është në dorë rektorëve, dekanëve, pedagogëve dhe studentëve, por vetëm në disa duar të agjencive anonime të Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë. Për këto arsye, si dhe çështjet që lidhen me protestat e studentëve, pedagogët kanë paralajmëruar dje qeverinë për përshkallëzimin e situatës. Me shumicën e studentëve që kanë bojkotuar mësimin që nga muaji dhjetor dhe me pedagogët që kanë dalë pro protestës së tyre, pas 1 shkurtit qeveria pritet të përballet me një revolucion në universitete.

Dhe këtë herë kryeministri e ka seriozisht të rrezikuar karriken e tij kryeministrore nëse nuk korigjohet dhe nuk korigjon ato çka kërkojnë studentët dhe pedagogët./Q.Xhani/

SHKARKO APP