Për një ditë, Tirana qendra e Ballkanit
Nga Qamil Xhani/
Ballkani ka hyrë në një kapitull të ri. Tirana mblodhi dje 6 kryeministra të rajonit në Forumin Ekonomik të Vjenës. Një aktivitet që si pikë kryesore pati projektet ekonomike, por që në kontekstin rajonal nuk mund të shpëtonte nga mesazhet politike. Dhe mesazhet që dha ky takim ishin disa.
I pari dhe më i rëndësishmi për rajonin, ishte fillimi i paqes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Vizita e kryeministrit, Aleksandar Vuçiç ishte e para e një kryeministri serb në Tiranë, por edhe testi real për të parë sesa seriozisht e kanë liderët e rajonit bashkëpunimin. Vizita nuk pati incidente dhe as provokime. Kryeministri serb, siç dhe pritej, nuk bëri ndonjë hap prapa në qëndrimet e njohura për Kosovën, apo geocidin serb ndaj shqiptarëve. Kryeministri shqiptar, po ashtu, mbajti të njëjtin qëndrim që prezantoi 6 muaj më parë në Beograd. Kuptohet, në cilësinë e mirëpritësit Rama ishte pak më i rezervuar në deklarata duke mos i dhënë rastin delegacionit serb të fliste për një tjetër provokim nga shqiptarët në shtëpinë e tyre.
Mesazhi i dytë ishte takimi formal mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij serb, Vuçiç. Një shtrëngim duarsh në një forum rajonal në rrethana të tjera nuk do përbënte lajm. Por tre ditë më parë u fol për braktisje të forumit dhe largim të delegacionit serb para kohe, nëse në sallë do të futej delegacioni kosovar. As braktisja dhe as protesta e delegacionit serb nuk ndodhi. Në vend të kësaj, edhe pse në dukje diçka rutinë, ndodhi një takim formal mes dy kryeministrave, vendet e të cilëve i ndajnë shumë gjëra të cilat nisin që nga njohja e Pavarësisë së Kosovës.
Po më e rëndësishmja në këtë takim është mesazhi që Ballkani çoi në Bruksel. Në një rajon kur derisa para disa vitesh një pjesë e fqinjëve ishin në luftë me njeri-tjetrin, dje kryeministrat e 6 vendeve treguan se mund të bashkëpunojnë. Një mesash paqeje që vjen nga Tirana drejt Brukselit, duke treguar se gadishulli grindavec ka dhe liderë të përgjegjshëm. I tillë ishte takimi formal Mustafa-Vuçiç, por edhe takimi mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski. Në këtë pikë, merita e një mesazhi pozitiv drejt BE-së i takon edhe kryeministrit Edi Rama. Nga mënyra sesi u zhvillua vizita e para 6 muajve në Beograd, mund t’ia kthente reston Vuçiçit. Po ashtu, gati dy javë pas Kumanovës mund të kishte përdorur takimin e djeshëm si një shenjë force dhe presioni ndaj Maqedonisë. Në vend të këtyre, zgjodhi të bëjë lëvizje diplomatike të moderuara, duke folur për bashkëpunim dhe për projekte të përbashkëta. Si vazhdimësi e samitit të Berlinit mes kancelares Merkel dhe liderëve të rajonit, takimi u ndal në projekte konkrete duke hedhur pas historinë e gjatë të konflikteve.
Takimi i dy ditëve më parë me Vuçiç dhe takimi i djeshëm, e ktheu Tiranën në qendërn e zhvillimeve të Ballkanit. Kur mesazhet e paqes së rajonit vijnë nga kryeqyteti shqiptar, kjo është dhe një meritë për mënyrën sesi kryeministri Rama ka zgjedhur të përballët me sfidat e rajonit. Dje nuk u fol për retorikë nacionalistë, problemet që kanë vendet me njëri-tjetrin dhe ndasinë e shumta. Në vend të kësaj, fjalimet ishin për projekte të përbashkëta në infrastrukturë dhe investime, duke e parë Ballkanin si një rajon që aspiron të jetë i gjithi në Bashkimin Europian.
Pavarësisht fotove familjare mes kryeministrave, rajoni nuk është i imunizuar nga problemet. Dëshmi e kësaj është mungesa e kryeministrit grek në këtë takim, Aleksis Tsipras. Një mungesë që tregoi se problemet nuk janë eliminuar mes fqinjëve. Mjafton një gërvishtje e vogël, për të nxjerrë krye kërcënimet, retorika e shekullit të kaluar dhe bojkotet. Megjithatë, Tirana dhe kreu i qeverisë shqiptare dha mesazhin se është në gjendje të tejkalojë ndasitë edhe me vende me armiqësi shekullore si Serbia, duke dëshmuar se problemet Ballkanit nuk i kanë ardhur asnjëherë nga shqiptarët.
Pas stinës së paqes mbetet të shihet sesi deklarata dhe dëshirat e mira të kryeministrave do të të kthehen në projekte konkrete dhe investime për jetën e 20 milionë banorëve 6 gjashtë shteteve. Nëse BE-ja do të mjaftohet vetëm me duartrokitjen e takimeve të tilla dhe nuk do të drejtojë fondet në rajon, forume të tilla do të mbahen mend vetëm për shtrëngime duarsh dhe foto të kryeministrave në Facebook dhe Twiter. Pa fonde dhe integrimin e ekonomisë së rajonit si pjesë e projekteve të BE-së, Ballkani e ka treguar se nuk e ka problem të kthehet tek sherret e vjetra.