“Për një gozhdë…”, por “gozhda” përherë i hyn popullit të thjeshtë!

Nga Nikoll Lesi.

Lulzim Basha kërcënoi të shtunën mazhorancën që nëse ndërmerr hapa të mëtejshëm për ta futur në parlament Reformën siç është nisma e 33 deputetëve të PS-LSI-PDIU, atëhere reagimi i PD-së do të jetë “djegia publike e mandatëve të deputetit”. Dhe më pas kuptohet destabilitet politik. Në fakt ka muaj që sillen e pështillen rreth një neni 88 që duhet pranuar se është rekomandim i Komisionit të Venecias, i cili flet  se nëqoftëse palët politike nuk bien dakort atëhere ka një zgjidhje. Dhe kanë firmosur për variantin e nenin 88. Fakti është se PD dhe PS janë në drejtime të ndryshme në lidhje me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit të Lartë  Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Dhe jo vetëm kaq. PS-ja thotë se sistemi aktual i drejtësisë është kriminal, ndërsa PD-ja akuzon se Edi Rama kërkon të marrë drejtësinë dhe të vendos diktaturë, duke futur nën kontroll të gjitha pushtetet, duke nënkuptuar edhe pushtetin presidencial, pasi në korrik të vitit të ardhshëm mbaron mandati i Bujar Nishanit.

Komisioni i Venecias sugjeron nenin 88 ku anëtarët në Institucionet e Drejtësisë zgjidhen në parlament sipas një sistemi proporcional përfaqësimi. Pas kësaj kapet Opozita. Edi Rama deklaron prerë se “jo” sipas nenit 88. LSI në parim është për të votuar, por duke ndjerë destabilitetin e faktit se pas djegies së mandatëve të deputetit PD-ja do të bllokojë rrugët, institucionet etj, pra shkohet drejt një kaosi; ndaj Petrit Vasili doli dhe tha se “vijën e kuqe” e përcakton Komisioni i Venecias e jo dikush tjetër. Indirekt goditi kokëfortësinë e kryeministrit. Ndërkohë Edi Rama duket shumë i vendosur për të shkuar në votim në parlament, nxitur edhe nga ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE, Vlahutin.

Analistë të njohur kanë theksuar se ky nxitim i Lu dhe Vlahutin suportohet për të mbaruar punë, sipas disa skemave që kanë në kokë. Ata (diplomatët) nuk janë shumë për të pritur debatet, diskutimin dhe gjetjen e një konsensusi për të miratuar një reformë drejtësie e cila ti rezistojë 100 viteve të ardhshme. Analistët kritikë ndaj Ramës dhe Lu  thonë këtë akuzë nisur edhe nga ndërhyrja e dikurshme e ish-ambasadorit amerikan Rajerson në vitet 1991-1994, i cili hapur, pa ruajtur asnjë etikë diplomatike doli krah ish-presidentit Berisha duke e kthyer atë në një uzurpues të shumë pushtetëve dhe lirive themelore të Njeriut. Bile ishte ish-ambasadori amerikan Rajerson që e nxiti për të larguar sistemin e vjetër të drejtësisë të kohës komuniste duke hapur shkollën e “Plepave të Durrësit”, një kurs 6 mujor që e dërmoi drejtësinë, që solli një “sistem kriminal drejtësie” siç akuzon sot kryeministri Rama. Edhe në vitet e Berishës së I-rë kush e kundërshtonte shkollën e “Plepave” cilësohej antidemokratik, antiamerikan dhe i financuar nga krimi.

Pra një eksperiencë e keqe është në memorie, ndaj edhe insistimi i huaj për ta mbyllur brenda këtij sesioni parlamentar duket si ato planet e kohës së Enverit ku duhej raportuar patjetër korrja dhe shirja e grurit brenda korrikut. Natyrisht që nuk duhet lenë që të zvarritet, porse edhe nxitimi na kujton Rajersonin dhe buqëqeshja na ngrin në buzë.

Fill pas Bashës ku të shtunën kërcënoi fort për djegie mandatesh, doli Erion Braçe një eksponent historik i PS-së dhe korrekt me parimet e tij të shpallura publikisht. Ai iu përgjigj kreut të opozitës me një humor të idhët, duke thënë mes rrjeshtave se nuk don t’ia dijë për djegien e mandatëve të deputetëve të opozitës. Nuk vonoi dhe shkruajti në facebook edhe ish-kryeministri socialist Majko , ku mes rrjeshtave thoshte me ironi se “për një gozhdë…” po bëhet sherri, ndonëse i linte udhë bisedimeve. Por “gozhdën” e tha dhe “gozhdën….” e la varur për PD-në!

Në të vertetë nuk hyjë tek ata që vdesin që kryeministri t’i marrë në telefon apo t’iu nis sms, siç e ka zakon Rama. Dikur e kam patur bashkëpunëtor të gazetës “Koha Jone” Edi Ramën dhe ia njoh vlerat si dhe veset. Sot ai është kryeministër. Ka bërë disa reforma të guximshme, ndonëse me risk. Rama ka të drejtë që insiston për reformim drastik të drejtësisë, pasi jemi dëshmitar të padrejtësisë së drejtësisë sonë. Por turravrapi që ta miratojë me çdo kusht shpejt dhe brenda korrikut më krijon një dyshim, i cili më bën të jemi vigjilent. Pse me kaq zjarr një reformë e tillë ku siç thonë do ti sherbejë 100 viteve të ardhshme vendit tonë? Edhe në vitin 1994 ish-presidenti Berisha bërtiste se reforma e drejtësisë së “plepave të Durrësit” do të jetonte edhe 100 vite ! Por nuk kaloi shumë dhe jemi dëshmitarë të këtij sistemi. Nuk ka njeri në Shqipëri i cili nuk don një reformim (përjashtuar një pjesë të sistemit të drejtësisë e cila humbet privilegjet), por makthi qeveritar për ta kaluar para 31 korrikut sikur të krijon djegie si vetë i nxehti i këtyre muajve. Dikush gjen justifikimin se duhet si kusht për Negociatat me Brukselin,etj. Mundet të jetë edhe kështu, porse pse u la në fund kjo reformë kur dihej se donte shumë debat e polemika? Apo për ti vënë para faktit të kryer se “nuk kemi kohë e duhet para 31 korrikut”?!

Nëse BE dhe politika amerikane kanë hallin që për hir të problemeve mes vendeve të BE duhet të fusin në një kohë rekord si anëtarë të rinjë në Unionin Europian përveç Malit të Zi e Serbisë edhe Shqipërinë, pra në një ditë, kjo duhet thënë shkoqur dhe mund të nxitohet, por duke e lenë hapur riformatimin e plotë të sistemit të drejtësisë në një hap të dytë pas pranimit.

Në fakt neni 88 i jep të drejtë opozitës. E thotë Komisioni i Venecias. Ndaj nuk duhet qëndruar strikt deklaratave politike se “nuk e pranojmë kurrë”, por një Politikan dhe Burrë Shteti tërhiqet, kur flitet për një stablitet politik dhe moskrijimin e konflikteve sociale, të cilat një pjesë e opozitë mezi i pret të ndizen.

“Never say Never !”(Kurrë mos thuaj kurrë!)- thotë një fjalë e urtë britanike ndaj  Edi Rama nuk ka pse rri kokëfortë një togfjalëshi “nuk e pranoj kurrë….”, porse të ulet e të rinegociojë. Asgjë e keqe nuk vjen nga debati dhe nga tavolina. Të këqijat  plasin nga rruga dhe politika e rrugës, e cila nëse nuk mbizotëron arësyeja e politikanëve kryesorë mund të sjellë një destabilitet të tmerrshëm politik dhe ekonomik.

E kemi provuar një ’97, njëherë! Natyrisht që nuk është konteksti historik për diçka të ngjashme, porse kur politika degradon tek rruga dhe synohet ardhja përmes rrugës në pushtet apo mbajtja e pushtetit me mbipushet, prodhohet pak a shumë një ’97 paksa me digjitale, por në thelb ajo “gozhda” e Pandeli Majkos i futet popullit të thjeshtë, pasi politika e mbledhë mirë b.. dhe vesh brekë hekuri për vete.

Prandaj neni 88 po pret ritakim të treshes Rama-Basha-Meta. Më pas vjen Parlamenti.

Nëse nuk ka mirëkuptim mendoj se do ketë destabilitet, ku “gozhda” do bëjë punën e vet, siç ka bërë në këto 25 vite!

Realisht “gozhda” duhej ti hynte klasës politike e cila gjithë barrën e krizës ia faturon popullit. Por  duket se  prapë “gozhda”  do ngulet si këto 25 vite…

SHKARKO APP