Përgjimet gjermane shkatërrojnë Ramën

Gazeta më madhe në Gjermani dhe Europë, “Bild”, ka publikuar dje faktet më të forta që implikojnë qeverinë “Rama” dhe zyrtarët të lartë të PS në lidhje dhe në bashkëpunim me mafien. Në pesë biseda telefonike të zbardhura nga media prestigjioze gjermane jepen detaje sesi anëtarë të grupit kriminal të ndaluar për trafik droge në Shijak, komunikojnë me zyrtarë të PS për manipulimin e votave. Në biseda është regjistruar kryebashkiaku i Durrësit dhe anëtari i kryesisë së PS, Vangjush Dako si dhe drejtues të tjerë të PS në Shijak dhe Durrës, të cilët komunikojnë me anëtarë të bandës së Avdylajve. Në ato minuta regjistrim, jepen pasqyra e gjithë asaj që ka ndodhur me zgjedhjet në 2017, por edhe mënyra se deri në çfarë pike zyrtarë të qeverisë bashkëpunojnë me krimin e organizuar. Qytetarët kanë mundësi të kuptojnë nga këto përgjime se Astrit Avdyli, person i dënuar për disa vepra penale dhe i njohur si drejtues i grupit kriminal, sipas “BILD”, ka aq pushtet në PS sa vendos se kush do të jetë kandidat për deputet në Durrës. Po ashtu, nga bisedat rezulton se dhe emrat e drejtuesve vendorë kalojnë më parë për miratim nga ky grup dhe socialistët i marrin vesh shumë më vonë. Përgjimet tregojnë se votat jo vetëm manipulohen dhe vidhen, por  votuesve të opozitës iu bëhet presion kriminal, që në zgjedhjet e 2017 të votonin për Partinë Socialiste.

Skenari që zbulojnë ato pak minuta përgjime flet për një mekanizëm të frikshëm që është vënë në zbatim në këto zgjedhje, ku realisht drejtuesit e fushatës, njerëzit që sigurojnë me blerje, presione dhe kërcënime votat janë anëtarët e një bande. Ndërsa PS-ja e Durrësit, Shijakut dhe gjithë zyrtarët duket nisur nga Vangjush Dako, në përgjime dalin si shërbëtor të bandës dhe jo si zyrtarë të shtetit. Me emblematike në gjithë përgjimet është një moment i bisedave, ku Astrit Avdyli telefonon vëllain e Ilir Ndranxhit, deputeti i PS që u zgjodh në 2017, dhe i thotë se e ka ndarë “muhabetin” për kandidimin e tij. Në bisedë Avdylaj thotë se do të punojnë fort në Durrës për të marrë një rezultat aq të thellë sa që “do të çudisnin” edhe vet Edi Ramën. Ilir Ndranxhi është sot deputet i PS-së në Kuvend. Ndërsa emra të tjerë që janë në përgjime vijojnë detyrat në Bashkinë e Durrësit dhe njëri prej tyre kandidat i PS për Bashkinë e Shijakut. Po ashtu përgjimet flasin për emërime njerëzish në administratë, për kryerjen e punëve në hipoteka për prona, si dhe heqjen e gjobave me qëllim manipulimin e zgjedhjeve parlamentare. Ajo çfarë e bënë skandaloze këtë situatë është se personat që kanë marrë përsipër fitoren e PS janë një grup i akuzuar për trafik ndërkombëtar të drograve të forta dhe me një dosje penale që nis që nga fillimi i viteve ’90. Dhe gjithë ky grup, pikën kryesore të kontaktit ka Vangjush Dakon, anëtarin e kryesisë së PS dhe një njerëzit më të afërt të Edi Ramës. Këtu hyn në lojë kryeministri dhe përgjegjësia e tij direkte për atë që ka ndodhur. Edhe sikur të mos jenë të vërteta informacionet se pjesë e këtyre përgjimeve ende të papublikuara është vet Edi Rama, kaq mjafton për të bërë atë bashkëfajtorë në atë që ka ndodhur në Durrës gjatë zgjedhjeve. Pak javë më parë, Edi Rama ka dalë garant se në përgjimet e dosjes së Durrësit 339 nuk është implikuar Vangjush Dako në vjedhje të votave. Materiali i “Bild” provoi të kundërtën dhe e nxjerr Dakon të përfshirë kokë e këmbë më bandën e Avdylajve dhe Edi Ramën si gënjeshtar. Por bomba që ka plasur dje “Bild” tregon shumë më tepër sesa atë që ka ndodhur në Durrës. Skema që vuri në zbatim PS-ja në Durrës, në blerjen e votave me bandat kriminale siç e vertetoi dhe “BILD” është përdorur në të njëjtën mënyrë dhe në gjithë rrethet e vendit. Pra bandat kriminale u vunë në shërbim të qeverisë për t’i siguruar asaj fitoren e zgjedhjeve të vitit 2017. Madje jo vetëm morën votat, por futën në Kuvend edhe njerëzit e tyre, siç tregojnë përgjimet në Durrës. Kaq mjafton për të konfirmuar se zgjedhjet u masakruan në vitin 2017 dhe se gjithë produkti politik pas këtyre zgjedhjeve është i jashtë ligjshëm. Deputetët u zgjodhën nga krimi dhe për pasoja dhe mandati i qeverisë “Rama” është i paligjshëm. Bomba e “Bild” përfundimisht shkatërroi dje Parlamentin e dalë me vota të vjedhura dhe qeverinë që qëndron në këmbë po më këto vota të krimit.

Praktikisht përgjimet shkatërruan gjithë qeverinë “Rama”. Pas këtij skandali kryeministri nuk ka shumë mundësi për të gjetur rrugën e daljes. Qeveria dhe mazhoranca e tij dje ra moralisht dhe ligjërisht, pasi u faktua se në pushtet nuk është me votat e socialistëve, por me votat e kriminelëve. Mënyra sesi duhet të reagojë është ajo që opozita po i kërkon prej kohësh, dorëheqjen sa më parë. Reagime të shëmtuara, si ai Prokurorisë dje, që me urdhër të qeverisë, kërkonte dënimin e gazetarëve që e publikuan materialin, janë gjeste paniku që vetëm sa rëndojnë pozicionin e qeverisë dhe Edi Ramën. Është koha të ikë, para datës 8 qershor! Sepse me ato që panë shqiptarët në Durrës, ku del sesi shtetin e drejtojnë kriminelët, qytetarët kanë të drejtë të largojnë këtë qeveri me çdo kusht.

Dhe me sa duket data 8 qershor do jetë ditë e vështirë për kombin pasi protesta do marrë para gjithçka.

Qamil Xhani

 

SHKARKO APP