Përleshje para Kuvendit, 12 policë të plagosur dhe disa protestues të arrestuar

Dhunë, përleshje, gjak dhe të plagosur është bilanci nga protesta tek Parlamenti.

Banorët e Unazës së Re janë përplasur fizikisht me policinë. Ata kanë tentuar të çajnë rrethimin e formuar nga efektivët e policisë për të hyrë në parlament ku po zhvillohej seanca plenare dhe kur po fliste kryeministri Rama.

Protestuesit kanë hedhur shashka e fishekzjarre. Sipas zëdhënësit të Policisë së Shtetit, Gentian Mullai nga protesta “janë plagosur 12 efektivë policie, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë”.

Ende nuk dihet saktë numri i të plagosurve dhe të arrestuarve. Policia nuk ka dhënë informacion për protestuesit e plagosur, si dhe numrin e të arrestuarëve.

Nga disa video që protestuesit kanë hedhur në rrjetet sociale shihet se gjatë aksionit të policisë ka pasur përdorim dhune. Policia ka shoqëruar disa protestues në komisariat.

Mbi 1 mijë forca policie ishin në sigurimin e sallës së deputetëve, ku ndodhej edhe kryeministri. Ndërkohë mësohet se protestuesit prapë në ora 17.00 do të mblidhen për të protestuar. Prokuroria ka nisur hetimet për dhunën e sotme e policët e plagosur. Priten arrestime sonte në shtëpitë e protestuesve, të cilat do të kryhen në orët e natës.

Video/Momenti i arrestimit të disa protestuesve

https://www.facebook.com/kohajone/videos/252435302092273/

Pas incidenteve para Kuvendit, qytetarët janë larguar, por kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës në orët e pasdites. Banorët kanë deklaruar se do të rinisin revoltën e tyre në orën 17:00.

Banorëve të Unazës së Re iu bashkuan edhe banorët e Shkozës. Me pankarta në duar ku shkruhet: “Të mjerë, të pashpirt, të çmendur” si dhe për “familjen japim jetën” protestuesit i kërkojnë qeverisë të mos preken shtëpitë pa marrë vlerën 100 % te dëmshpërblimet me vlerën e tregut.

Njoftimi i Policisë së Shtetit për efektivët e plagosur

Policia e Shtetit njoftoi se “gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur 12 efektivë të Policisë së Shtetit. Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilët janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore, mes tyre dy me dëmtime më të rënda. Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit”.

Kryeministri Edi Rama: Dhuna nuk tolerohet

Pas plagosjes së 12 efektivëve të policisë para Kuvendit, kryeministri Edi Rama ka përsëritur apelin e tij në Twitter. Ndërkohë, shefi i qeverisë ka dënuar dhunën teksa tha se askush nuk do të tolerohet. “Dhuna ndaj policëve në emër të paligjshmërisë, s’do tolerohet! U bëj thirrje atyre që kanë dokumenta prone a vetëm strehën pa leje: Distancohuni nga zaptuesit profesionistë dhe profesionistët e politikës qorre të shpifjeve e të rrëmujës! Merrni ç’ju jep ligji e largohuni nga rruga” – shkruan Rama duke iu drejtuar protestuesve të ‘Astirit’.

Sandër Lleshaj: Nuk tolerojmë dhunën ndaj policisë

Zv.ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, pas vizitës në Spitalin e Traumës ku takoi punonjësit e Policisë dhe qytetarë të plagosur, gjatë tubimit përballë sallës së seancave plenare të Kuvendit, deklaroi se dhuna ndaj policisë nuk do të tolerohet. Në vijim deklarata e plotë e zv.ministrit Lleshaj:

Mirëdita,siç e shihni kam ardhur për të parë policët e dëmtuar, edhe qytetarët e dëmtuar, sepse kishte dhe qytetarë të dëmtuar. Është për të ardhur keq, është e papranueshme, është e pakuptueshme, që në një ditë të tillë, krejt normale, të na ndodhi një ngjarje anormale, të goditet Policia e Shtetit në krye të detyrës.

Policia e Shtetit është vetëm në një shërbim, në shërbim të qytetarëve për të mbrojtur qetësinë, rendin dhe normalitetin e jetës së qytetarëve. Konstatojmë për fat të keq, se ajo sot është goditur nga qytetarë të papërgjegjshëm, të cilët në shkelje të plotë të ligjit, ngrenë dorën mbi Policinë e Shtetit. Po ashtu Policia është goditur edhe nga përfaqësues të caktuar politikë, të cilët po ashtu në kushtet e papërgjegjshmërisë qytetare dhe politike, inspirojnë dhunë ndaj forcave të Policisë së Shtetit.

Qëllimi i ardhjes sime këtu është të shpreh solidaritetin me punonjësit e rendit, të cilët me përgjegjshmëri të lartë, me profesionalizëm dhe me durim shembullor përballojnë skena krejtësisht të papranueshme dhe të panevojshme.

Në qoftë se sot kemi një konflikt të disa qytetarëve, të cilët janë të pabazuar në ligj me autoritetet civile, ky konflikt nuk ka asnjë arsye pse të spostohet ndaj policëve të rendit. Janë një numër i konsiderueshëm policësh të dëmtuar, madje edhe me dëmtime të rënda, të cilët pa asnjë shkak, pa asnjë arsye paguajnë një çmim të pamerituar.

Dua t’ju bëj një thirrje të gjithë qytetarëve të vendit tonë, të kuptojnë mirë që Policia është Policia e tyre. Kjo polici mban mbi supe dhe në uniformë simbolet e kombit shqiptar dhe kush vë dorë ndaj saj, kush ngre dorë ndaj saj, ngre dorën ndaj interesit të madh publik, ndaj interesit tonë të përgjithshëm dhe ndaj simboleve tona kombëtare.

Dua t’ju bëj një thirrje edhe përfaqësuesve politikë të caktuar, të cilët mundohen të krijojnë kapital politik nga një konflikt civil, që të distancohen nga dhuna dhe nga aktet e papërgjegjshme dhe të vihen në mbështetje të Policisë, e cila e theksoj dhe njëherë, është Policia jonë, Policia e Shtetit shqiptar, Policia e qytetarëve shqiptarë.

Njëkohësisht u shpreh familjarëve të të gjithë policëve të dëmtuar përkrahjen time, fëmijëve dhe bashkëshorteve të tyre, dhe garantoj mbështetjen e plotë të institucioneve të shtetit shqiptar ndaj këtyre policëve të dëmtuar.

Gjithashtu u bëj thirrje qytetarëve të kuptojnë mirë faktin se Qeveria shqiptare, institucionet e saj janë të angazhuar plotësisht për të plotësuar me përgjegjshmëri të plotë të gjitha detyrimet përballë çdo individi. Në rastin në fjalë, edhe ndaj individëve që preken nga projekti i “Unazës së re”, në bazë të ligjit dhe të akteve të tjera nënligjore.

Por, nga ana tjetër dua të bëj të qartë për të gjithë ata që kanë guxuar të përballen me Policinë e Shtetit se maturia, përgjegjshmëria e Policisë së Shtetit nuk duhet të kuptohet kurrësesi si dobësi e saj. Edhe njëherë duhet të kuptojmë që toleranca, në njëfarë mënyre, edhe e tepruar e Policisë së Shtetit ndaj akteve të dhunës nuk është akt dobësie dhe nuk ka për t’u toleruar. Faleminderit!”.

Prokuroria nis hetimet për protestën para Kuvendit

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet pas protestës së mbajtur sot para parlamentit ku pati policë dhe qytetarë të plagosur. Një grup pune i prokurorisë së Tiranës ka mbërritur në Spitalin e Traumës për të hetuar në lidhje me policët e dëmtuar dhe të goditur, dhe një grup tjetër i prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kryejnë veprimet në vendngjarje. 12 efektivë policie pësuan lëndime të ndryshme gjatë përplasjes fizike në protestën e sotme, dhe dy prej tyre raportohet se janë më rëndë. Policët janë vizituar edhe nga Ministri Lleshaj.

Ndërkohë në spital kanë përfunduar edhe disa banorë që protestuan, por numri i saktë i tyre nuk dihet. Të dhënat paraprake flasin për 26 protestues.

Ndërkohë deputetë të opozitës kanë shkuar në Spitalin Ushtarak për të vizituar qytetarët e plagosur gjatë përplasjes me policinë.

Video/Qytetarët e plagosur në Spitalin Ushtarak

https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/351489248761532/

Video/Përplasja e banorëve me policinë para Kuvendit

https://www.facebook.com/zeriamerikes/videos/2207553806126334/

SHKARKO APP