Përmbytjet në Shqipëri, hakmarrja e natyrës ndaj njeriut

Në një shkrim të gjatë sot, ambientalisti Sazan Guri, fajëson për përmbytjet e ditëve të fundit, dëmin që njeriu i ka bërë natyrës në çerekshekullin e fundit: "Në sa e sa dikur pyje, u dhanë leje mjedisore për kompani të huaja të prisnin ca shqopë e mare, por ja që ata morën edhe ca ah, edhe ca lis e pishë, edhe ca pare. Rezultati, Shqipëria nga një vend me 83% të territorit me pyje në vitet e mbretit, arriti në 35% në vitet e dovletit (para `90), dhe sot kemi 1,020,700 ha (10,000 km2) sipërfaqe të njohur për pyje, por që pyje s`kanë ose 10% të sipërfaqes së vendit, kundrejt 65-70% që ka pothuajse çdo vend sot në botë, por që vetëm pyje kanë". Me tej Guri shpjegon se pse më parë të parët tanë nuk ndërtonin pranë ujit: "Ndaj dhe qëmoti, ky popull nuk gaboi, kur ndërtoi me kilometra larg vijës bregore, si fshatin Velipojë, po kështu edhe Lezhën, madje nëpër kodra, po kështu edhe Talen apo Fushë- Kuqen. Si mendoni ju, homosapiensit e sotëm që fushat zutë, se ky popull nuk dinte të ndërtonte alla golemçe, me ndërtesa para dunave të detit, shpesh edhe brenda në det, sikundër po ndodh sot. Jo ore jo, sepse njerëzimi ka qenë po aq i mençur, por jo harrakat me natyrën, ndaj dhe ndërtoi Divjakën 5km larg, Nartën e Zvërnecin prapa dunave bregore, Fushë Kuqen 6km larg detit dhe qytetin e Vlorës larg skelës, etj.  Ndaj dhe kjo mbytje apo përmbytje nuk të falet sot.

SHKARKO APP