Përplasja/PS-ja rrëzon LSI-në në parlament.Pritet kundërsulmi i Metës
Ka kohë që flitet se nuk ka ndonjë dashuri të madhe për të bashkëqeverisur mes Edi Ramës dhe Ilir Metës. Replika, sulme nën tavolinë të PS-së kundrejt Metës, media kombëtare të sponsorizuara me leje ndërtimi apo privatizime të cilat sulmojnë Kreun e Parlamentit, policia që po survejon dhe mbledh dosje për zyrtarë të lartë të LSI, kundërshtime dhe rrëzime të projektligjeve të LSI për koncensionet,etj. Dhe një shenjë e durimit me njëmijë halle të deputetëve të PS-së ndaj aleatit të tyre ishte dhe projektligji i ditës së enjte. Në fakt projektligji i LSI u rrëzua me votim dhe Meta e pranoi, porse me nxitim të madh e në panik nxitoi Ruçi që të ripërsëritej votimi. Dhe e kaluan me gurë nëpër dhëmbë.
Seanca parlamentare ishte e qetë për shkak të mungesës së opozitës e cila kishte deklaruar bojkotin 10 ditor pas penalizmit të ish-kryeministrit Berisha. Për pak sa nuk filloi kriza qeveritare pas votimit të parë. Shkak është bërë një projekt-ligj i propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim për Punën Vullnetare.
Është një nismë ka kaluar pa shumë bujë në komisionet parlamentare, por mesa duket nuk ka marrë mbështetjen e të gjithë deputetëve socialistë.Në këtë pikë, kreu i Kuvendit kaloi një moment të sikletshëm kur ky ligj u hodh në votim në parim.
Në sallë ishin 76 deputetë, por ligji morri vetëm 70 vota. Pas një pauze, Meta tha se ligji ishte rrëzuar pasi nuk ishte plotësuar kuorumi i nevojshëm prej 71 votash.
“Ligji nuk miratohet”, – konfirmoi kryeparlamentari Meta nga foltorja e kuvendit.
Por në këtë moment ka ndërhyrë kreu i deputetëve socialistë Gramoz Ruçi i cili “u justifikua” se nuk kishte punuar elektronika për disa deputetë.
“Nuk më duket se është çështje elektronike” – iu përgjigj Meta.
Ruçi kërkoi përsëritje të votimit dhe vetëm pas këmbënguljes së tij ligji u hodh sërish për votim.
Ata që ishin të pranishëm në sallë panë se si nënkryetari i gripit të PS-së, Taulant Balla i kërkonte Vasilika Hysit të votonte për ligjin, por ajo kundërshtonte.
Ky moment nuk i ka shpëtuar kryeparlamentarit Meta që i ka tërhequr vëmendjen Ballës: “Zoti Balla, deputetët e dinë vetë se si të votojnë. Nuk ka nevojë…”
Në votimin e dytë ligji mori 72 vota pro dhe një abstenim, por “shija e keqe” e këtij votimi tregoi marrëdhëniet mes PS dhe LSI në minimumin e tyre.
Sinjali e mori hapur Ilir Meta nga PS. Por dihet se Meta është politikan me eksperiencë dhe e njeh mirë “shahun politik”. Ndaj në sirtaret e Kryesisë së Kuvendit endet një projektligj për koncensionet ku në thelb LSI kërkon që për koncensione që kalojnë mandatin qeverisës të miratohet në parlament. Pra të mos ketë të drejtë Qeveria të jap çfarë ajo mendon për 20 apo 30 vjet, pasi janë pasuri publike koncensionet të cilat ajo firmos. Dhe ka të drejtë LSI. Edhe ministri i LSI Ylli Manjani ka kundërshuar ditët e fundit hapur kryeministrin për vendimin e tij ku do të jap me koncension dritat për qytetet e Durrësit dhe Tiranës.
LSI do ta çojë në sallën e Kuvendit projektligjin e rrëzuar nga PS. Dhe është Kuvendi që voton për një projektligj. LSI do të marrë kundër votat e PS-së, pra të kryeministrit Rama. Ndërsa synimi i PS-së mbetet që ta rrëzojë edhe në parlament, por informacione të besushme janë se LSI do të marrë votat e PD-së, PR-së, PAA, PBDNJ, PDIU, LZHK dhe votat e deputetëve të PS-së si Ben Blushi, Mimoza Hafizi, Arta Dade dhe mendohet edhe të Namik Dokles.
Nëse puna shkon në këtë votim praktikisht koalicioni quhet i rrëzuar ose qëndron në këmbë me paterica. Ilir Meta e rrëzon kur të dojë qeverinë.
Të enjten e goditi PS-ja Ilir Metën, ndaj pritet se kur do të kundërgodasë LSI. Por çështje javësh është!