“ Peshku i madh” i kokainës
Hetimeve për zbardhjen e plotë të trafikut të drogës dhe laboratorit që u zbulua në Elbasan u janë shtuar dhe disa ekspertë dhe prokurorë gjerman. Ditën e djeshme në Tiranë kanë mbërritur përfaqësues të prokurorisë gjermane për të parë ekzaminuar provat e kapura në laboratorin gjigant nga ku dyshohet se kryhej një trafik miliona eurosh. Por më shumë sesa një ndihmë për autoritet shqiptare, prania e prokurorëve gjerman lë vend për dyshime që mund të kenë autoritetet gjermane lidhur me efikasitetin e shërbimeve shqiptare në hetimin e kësaj çështje. Kjo lidhet me disa detaje që kanë dalë gjatë kryerjes së operacionit. Pas informimit të Prokurorisë shqiptare nga autoritet gjermane për aktivitetin e bandës së dyshuar të trafikut të drogës, disa herë nga pala gjermane është kërkuar mosarrestimi i personave pa u zbuluar më parë baza e trafikut të drogës. Vetëm kur u bindën se laboratori gjigant i drogës ndodhej në Elbasan, Prokuroria dhe Policia ndërhyn për të bërë arrestimet. Bilanci aktual i operacionit është 9 persona të arrestuar. Dy prej të arrestuarve gjatë të mërkurës u lanë të lirë, pasi nuk janë gjetur prova për përfshirjen e tyre në trafik. Por duket se operacioni i datës së mërkurë është i paplotë. Dje, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi pranoi se mund të ketë arrestime të tjera lidhur me këtë trafik droge. Në listë janë disa persona shqiptarë që jetojnë në vendet e Amerikës Latine dhe që dyshohet se janë personat që organizonin dhe bënin porositë për blerjen e drogës. Por arrestimi i tyre pritet të bëhet nga autoritet e vendeve ku ata janë rezident. Një deklaratë e bërë nga zëvendësdrejtori i Policisë së Shtetit, Hako Çako, në emisionin “Opinion” kaloi pa shumë vëmendje. Teksa informoi mbi rezultatet e operacionit, ai tha se baza e grupit nuk ishte në Elbasan, ku u sekuestrua dhe kokaina, por në një vend tjetër, çka do të thotë se baza e vërtetë e tyre nuk është zbuluar ende dhe arrestimet e tjera pritet të mos vonojnë. Ai e tha por asnjë nuk e kapin në emision se kupola duhet të jetë në Tiranë e mu në Bllok.
Detajet e dala nga hetimet e prokurorisë dhe policisë tregojnë se rrjeti i trafikut të drogës ishte shumë i madh. Lënda e parë e kokainës që u sekuestrua në laboratorin e fshatit Xibrak në Elbasan, para se të mbërrinte në Shqipëri nga Kolumbia, ka ndjekur linjën Turqi-Bullgari-Maqedoni. Pas Maqedonisë ajo mbërrinte në Shqipëri ku përpunohej dhe bëhej gati për vendet e Europës. Pas përpunimit në laboratorin e Elbasanit, droga nisej drejt Italisë me anije duke kaluar nga Porti i Durrësit. I gjithë ky aktivitet ka qenë i kamufluar me anë të disa kompanive tregtare, emrat e të cilave dhe pronarët nuk janë bërë të ditur nga policia. Rezultojnë të jenë të paktën dy kompani private që kanë siguruar transportin e drogës. Kompania e parë, ajo që e sillte drogën e papërpunuar nga Turqia rezulton të ketë pasur si aktivitet kryesor të saj importin e veshjeve, kryesisht veshje për fëmijë. Sipas policisë droga ishte e tretur në veshje për fëmijë dhe më pas në laboratorin e Elbasanit bëhej kondensimi i saj. Rezulton se firma që kryente importin e veshjeve ishte kontraktuar nga pronarët për kryerjen marrjen e veshjeve. Por nuk është kompania e vetme me të cilën kryhej trafiku i drogës. Një tjetër biznes garantonte dërgimin e drogës nga Elbasani drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Bashkimit Europian. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se një kompani që kryente eksportin e lëndëve minerare jashtë vendit garantonte dërgimin e drogës në Itali. Kokaina fshihej në brenda ngarkesave të mineralit dhe në këtë mënyrë e ka pasur më të lëhtë për të kaluar kontrollet në pikën kufitare shqiptare. Këtu pra ka hyrë në lojë një tjetër kompani private që zyrtarisht vepron në industrinë minerare. Mesohet se pas përpunimit në Elbasan, trafikantët e dërgonin drogën pikërisht tek kjo kompani që merrej me nxjerrjen dhe eksportin e mineraleve. Më pas, kokaina fshihej në ngarkesat e mineralit dhe merrte rrugën drejt Portit të Durrësit. Aty kontrolli ishte jo i imtësishëm, për shkak edhe të llojit të mallit që eksportohej (mineralit). Por nuk përjashtohet mundësia që trafikantët të kishin edhe aty bashkëpunëtorët e tyre. Prej Portit të Durrësit, kokaina merrte rrugën drejt vendeve europiane, kryesisht Gjermani. Dhe ishin pikërisht shërbimet gjermane ato që i ranë në erë këtij trafiku të sofistikuar dhe kërkuan bashkëpunimin e hetuesve shqiptarë. Sipas informacioneve të parë, policia gjermane kishte gjetur një sasi droge të fshehur në një ngarkesë minerali ose mermeri dhe prej aty ka nisur investigimin e saj. Zhvillimi i më pasëm i ngjarjes dihet. Hetimet nisën në muajin tetor 2014, atëherë kur Gjykata e Mynihut dërgoi një letërporosi prokurorisë shqiptare për të mbajtur nën kontroll shtetasin Ilir Hyseni. Në vijim autoritetet kanë vëzhguar dhe ndjekur hyrjen në Shqipëri të tre ngarkesave me drogë për të cilat shteti gjerman ka këmbëngulur që të lejohen derisa të zbulohet i gjithë grupi dhe baza ku ajo përpunohej.
Siç shihet, goditja e punishtes së drogës është vetëm një pjesë e aksionit antidrogë. Pjesa tjetër, dhe më e vështira, ka të bëjë me hetimin e kompanive që bënin transportin nga Turqia për në Shqipëri nëpërmjet importit të veshjeve dhe nga Shqipëria në Europë, nëpërmjet eksportit të mineraleve. Thuhet se pas tyre janë emra mjaft të njohur dhe me pushtet dhe se prokuroria e Krimeve të Rënda ka një sfidë të madhe përpara. Fakti që në këtë operacion është përfshirë edhe Gjermania, është një mbështetje pozitive për të zbardhur deri në fund funksionimin dhe lidhjet e rrjetit kriminal të trafikut të drogës.
Linja e trafikut të drogës nga Turqia, përmes importit të veshjeve, ka qenë shqetësuese edhe vite më parë për policitë partnere të Shqipërisë. Në shumë raporte të policisë italiane evidentohej kjo rrugë e trafikut.
Trafiku i drogës përfshin të paktën 7 shtete, Kolumbi-Turqi-Bullgari-Maqedoni-Shqipëri-Itali-Gjermani. Baza e përpunimit të drogës ka qenë në Shqipëri ku dhe kryhej aktiviteti më i madh i organizatorëve. Por veç të arrestuarve janë dhe bizneset që mundësonin trafikimin e drogës në pikat doganore duke e fshehur herë si veshje për fëmijë dhe herë mes mineraleve. Emrat që fshihen pas kompanive, që siguronin transportin, pritet të jetë një hetim edhe më i vështirë, pasi pas kompanive të tillë qëndrojnë njerëz me pushtet të madh financiar, bile thuhet edhe politik, por edhe njohje në sferat e larta të politikës. Mësohet se Kryeministri Rama ka udhëruar që të hetohet kushdo të jetë ai, qoftë edhe në parlament.
Ardhja ditën e djeshme të prokurorëve gjermanë pritet të jetë edhe një garanci më shumë për punën e Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit, për të bërë të mundur zbardhimin dhe arrestimin e të gjithë pjesëmarrësve në grupin që qarkullonte miliarda lekë nga trafiku i drogës. Por “peshku i madh” ende nuk është arrestuar. Po survejohet edhe nga hetuesit gjermanë me anë të pajisjeve të sofistuara. Mësohet se këto ditë “peshku i madh” nuk është në Shqipëri dhe biletën e kthimit për ditën e dielë e ka shtyrë pa limit. Janë angazhuar Interpoli, Europoli dhe Policia Gjermane që ta gjejnë kokën e trafikut, natyrisht në bashkëpunim me palën shqiptare.