Plaga që zbuloi Serbia

 

 

Nga Dritan Hila.

Ka ndodhur një keqkuptim i madh. Nëse tifozët gëmusheshin për të parë kombëtaren duke shkuar në Francë 2016, kryeministri ynë kishte hallin të shkonte në Bruksel. Ndaj nëse njëra palë donte të kapte trenin për Paris me çdo çmim, kryeministrit i duhej i njëjti tren për të vajtur në Bruksel. Dhe meqënëse ka në dorë policinë, ia doli që në tren të vejë rregullat e tij. Domethënë gjithë Shqipëria e Mesme ndejti sus. Dhe publikun i Arenës së Elbasanit ishte po aq i sjellshëm sa do të zilepsnin edhe spektatorët e një shfaqje baleti.

Keqkuptimi i dytë është Ismail Morina. I cili është kthyer në simbol për një fashë të popullsisë si puna e tij. Të pashkolluar, të anashkaluar nga shoqëria, me dëshirën për famë dhe pasuri pa bërë asgjë, dhe me perspektivë të vetme emigrimin ose shpërndarës droge, kanë parë tek ai heroin e tyre. Nuk ka lidhje me nacionalizmin. Shumica e tyre as e dinë çfarë do të thotë kjo fjalë. E duan momentin e lavdisë së tij. E një lavdie që rasti e bëri të kthehej nga një incident banal folklorik siç do të ishte nëse stadiumi Beogradit nuk do të bërtiste “vrite shqiptarin”, në simbol të çlirimit të frustrimit tonë kombëtar. Por dikush do ta kthejë në idhull. Nëse e kanë zgjedhur për të tillë, le ta mësojnë edhe të sillet dhe mos të vijë vërdallë me kobure në brez.

Me kaq mbaron edhe çudia e së enjtes. Por humbja e kombëtares tonë ndaj Serbisë, më tepër se evenimenti sportiv për t’u shënuar, është kore që i hiqet plagës për të treguar mahisjen e gjendjes në sportin tonë dhe përgjegjësitë e politikës. Pas një agonie 25 vjeçare, as talenti i De Biazit dhe as përkushtimi i djemve të kombëtares, nuk mund ta fshehin katastrofën ku jemi. Nga kjo humbje, ata që kanë më pak faj, janë futbollistët. Jemi në nivelin ku shumica e tyre nuk janë aspak meritë e investimit të klubeve shqiptare, por të atyre të huaja ku debutojnë dhe e familjeve të tyre. 

Që të kesh sport kompetitiv, duhen tre kushte themelore: popullsi e madh që të krijon larmishmëri talentesh, traditë, dhe sisteme zinxhir. Popullsia jonë dihet sa është, ndërsa tradita edhe ajo modeste që kemi pasur, po humbet. Shkolla shqiptare e sporteve është shuar. Ekipet zinxhir në futboll nuk egzistojnë, ndërsa sportet e tjera më pak ndjellëse për biznesin që shërbejnë edhe si serbator për talente, nuk ka më. Shteti shqiptar dhe politika, e përdor sportin vetëm për shou. Asnjë ndërhyrje e saj qoftë edhe në anën organizative nuk bëhet. Presidentët e klubeve të futbollit, janë që të gjithë biznesmenë që nuk kanë lidhje me këtë sport. Shumica e tyre, janë obezë, tahmaqarllëku i të cilëve për fitime ju shihet që në portrete. Në krye të Federatës së Futbollit, është një tjetër biznesmen i cili po përcjell kryeministrin e katërt, dhe ai vetë ngjan i paluajtshëm. Duhet të kesh doza budallallëku të besosh se ky sistem nuk është i kalbur nga korrupsioni dhe shitja e ndeshjeve.

Politika i ka larë duart nga ky komponent i rëndësishëm i një shteti siç janë sportet si burim mirëqenia dhe zbavitjeje. Tashmë nuk ndjek as shëndetin e federatave, të cilat e kanë humbur aspektin e tyre si organizatore të pavarura profesionistësh dhe janë kthyer në sipërmarrje biznesi. Jo më kot edhe shefat e tyre janë të gjithë biznesmenë të mëdhenj. Do të ishte plotësish e ligjëruar një ndërhyrje në këto lunga qelbi, por shteti kënaqet me opsionin e heshtjes në komplicitet sipas parimit “nuk të kërkoj, mos më kërko gjë as ti”.

Nëse duam klube dhe kombëtare që të konkurojnë denjësisht, është koha e një reforme në sport ku shteti të ketë rolin e kirurgut. Përndryshe duhen hapur klube dronistësh. Presidencën e të cilës është e sigurtë që nuk do ta marrë Ismail Morina, por ndonjë biznesmen që do t’i vejë syrin.

SHKARKO APP