Po bien qeveritë e Ballkanit
Frrok Çupi.
Aida Dragutin, një zonjë imcake deputete, opozitare, e Kuvendit të Kosovës, e pikasën se shkoi në toilet dhe iu sulën derës ku hyri. Sa doli, dhjetë a pesëmbëdhjetë burra të armatosur, i vunë prangat dhe dërguan në burg. Kjo ndodhi dje, te dera e toiletit të Kuvendit të Kosovës. Jashtë bërtisnin shumë njerëz kundër qeverisë; por rënia nuk vjen prej andej, rënia erdhi prej këtij akti vulgar të burrave të armatosur të shtetit. Qeveria, po të mos jetë duke rënë, sigurisht nuk do të shkonte te ky akt me derën.
Rënia e vërtetë e qeverive, edhe në Ballkanin e “egër të burrave”, ka qenë historikisht aq pa dinjitet sa vetë qeveritë. Qeveritë kanë rënë “në banje”, si në alegori ashtu edhe realisht. Siç po ndodh në Dibër të shtetit të Shqipërisë, ku po luftohet me të gjitha armët për të fituar një “qeveri” të rënë në banjë para pak muajsh. Edhe lufta për të fituar po bëhet aq e ndotur. “Puna” e kryetarit që ishte në Bashki, një “rilindës” që u bë legjendë “veshjesh të brendshme”, ishte një punë banjash. A mund ta ngrejë më “bajrakun” e Dibrës nga vendi ku i ka rënë Rilindjes?! Edhe po e ngriti, punë toiletesh mbetet…
Nuk është aspak apokaliptike kjo lloj rënieje; është vetë substanca e qeverive që “plaken” e degradojnë aq sa kur bien, bien keq. Në trevat ballkanike, si askund tjetër, migron një thënie e shkurtër: “Qenit kur i vjen e fundit, vete përmjerr në xhami…”. Këtë bëjnë qeveritë këtu, ndryshe nga qeveritë e përparuara që i largohen momentit vulgar të fundit; ata kurrë nuk i kacaviren me thonj e me dhëmbë “derës së toiletit”. Po më vjen në mendje çfarë lexova sot për kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy. Edhe pse fitoi zgjedhjet tre herë brenda vitit, ky nuk mundi ta krijojë qeverinë; dhe sot deklaroi se “heq dorë nga kjo punë, kurrë nuk do të jem më kryeministër”. As shkoi të blejë deputetë, as iu vardis aleatëve, as përdori cocainë nga ankthi, as shau, as fyu.
Ku nuhatet rënia e qeverive ballkanike?
Dje në Shkodër, kryetarit të qeverisë Rama “i dolën sytë” nga kafka kur u përball me një zonjë, kryetare e Bashkisë së Shkodrës. I iku truri dhe nisi të sulmojë zonjën që sa më shumë fyhej prej kryeministrit, aq më shumë Voltanës i ndriste nuri. Kryeministri kishte rënë; kishte rënë, prandaj nuk përmbahej dhe i thoshte popullit të Shkodrës se “nuk të jap më asnjë kokërr leku”…
Qeveria nuk ka më punë me popullin e vet.
Qeveria e Kosovës ndodhet përballë protestave popullore dhe ka humbur arsyen. Qeveria e Malit të Zi, siç shkruajnë mediat e vendit, ka mbedhur forcat speciale ushtarake dhe i ka dërguar në kufi me Kosovën “për të mbrojtur tokat” e periudhës së Titos. Që në momentin e nervozizmit të papërmbajtur nacionalist, qeveria ka rënë. Qeveria e Shkupit ka rënë e ka rënë. Qeveria e Serbisë, në praninë e Presidentit, dje- pardje, zhvilloi një stërvitje ushtarake “kundër terrorizmit” bashkë me serbët e Republika Sërbska. Në fund të stërvitjes tha se “në rast terrorizmi nuk i njohëm kufijtë mes shteteve”. Terrorizmi sajohet dhe ndodh marrëzia me kufijtë. Nuk ka mënyrë tjetër më vulgare për të rënë se sa të kopjosh metodat e “luftës së burrave” kur shtëpinë e kanë lënë bosh me fëmijë të uritur.
Qeveritë e Ballkanit, pasi nuk kanë ushqyer dot popujt e vet, pasi nuk i dhanë dot as punë, paqë, as siguri, u drejtuan për të “dera e xhamisë”.
Analizat më të mira të Perëndimit po dëshmojnë se Ballkani tani ndodhet në prag të një konflikti. Konflikti është nxitur nga qeveritë, të cilat nuk janë të afta të qeverisin pa vulgaritetin e luftës; njëkohësisht konflikti shpejton rënien e qeverive. Në gjithë Ballkanin perëndimor po kërkohet largimi i qeverive. Alternativa ironike popullore: “O largohuni ju, o po ikim ne!”, është më tragjikja e gjithë historisë së këtyre popujve. Rreth 30 për qind e shqiptarëve të Shqipërisë dhe njëkohësisht e qytetarëve të shteteve të Ballkanit perëndimor (sipas statistikave të instituteve perëndimore) po kërkojnë të lënë vendin. Shqipëria që u kthye në fillesa të Luftës Ballkanike për shkak të vijës bregdetare, po bëhet përsëri një sferë që “nuk e mbajnë nervat” e qeverisë dhe po bën të pamenduarën. Kësaj here rënia e qeverisë vjen o për shkak të marrëzisë me fqinjët, o për shkak të konfliktit për drogën! Nuk ka më rënie si ato të viteve 90 ose 97. Slogani diplomatik i qeverisë shqiptare “zero problem me fqinjët”, i kopjuar fjalë për fjalë nga tirania e Erdoganit të Turqisë, është kthyer në “problemi zero brenda vendit”. Nuk ka asgjë që e mban qeverinë këtu në vend, as ekonomia, as siguria, as besimi, as popullariteti. Ky është “problemi zero”; qeveria ra duke e reklamuar vulgaritetin jashtë kufijve.
Trazirat ballkanike mund të fillojnë për shkak të “zeros” së brendshme.
… Pse e burgosën sot Aidën e Kosovës në toiletin e Kuvendit? Bash në kohën kur ushtria e Malit të Zi doli në kufi. Qeveria e Kosovës nuk e ka frikën nga Mali i Zi, as nga Serbia. Pakica parlamentare e serbve nuk u paraqit në seancë dje se tha “nuk kemi siguri” nga qeveria e Kosovës. Frika e qeverisë së Kosovës vjen prej qeverisë së Kosovës. Elita shumë e korruptuar politike e vendit është kthyer në një “yes-mene”, tek shtrin dorën: “E doni bjeshkën e Rugovës? Merreni… E doni gjysmën e Mitrovicës?… Merreni”. Qeveritë e Ballkanit mendojnë se mbahen në varëset ndërkombëtare; krijojnë zero problem me fqinjët dhe “problemin zero brenda vendit“. Qeveritë “kaush” nuk mund të rezistojnë.
Shpresat e qeverive ballkanike për të mbajtur pushtet, varen si në tezgjah. Andej nga shtrihen krahët e njërës, nuk janë krahët e tjetrës. Po shpresojnë krijimin e disintegrimit, me qëllim që të dalin nga kontinenti dhe secila të krijojë celulën e autokracisë. E vetmja shpresë! Qeveria e Shqipërisë i kishte shpresat te Erdogani i Turqisë. Rënia e tij ndodhi pikërisht si “te dera e toiletit”. Sa sajoji trillin e “grushtit”, aty ka rënë. Shpresat e “vëllait Rama” nuk kanë rënë akoma; ndoshta pse nuk ka tjetër. Krahët e qeverisë së Serbisë janë shtrirë drejt Rusisë dhe Kinës; veç këtë vit Beogradi siguroi 1.5 miliardë euro investime nga Kina. Shtrirjen drejt Banjallukës e bën për të pritur rrënimin e Bosnjës.
Bosnjë Heercegovina, sado që betohet qeveria, prapë e frustruar mbetet. Frustrimi, plus besimi, e çojnë të shpresojë në Saudi. Luftëtarët më të shumtë të Shtetit Islamik furnizohen nga Ballkani.
Qeveritë ballkanike “nuk po shikojnë bahçen e fqinjit”, por i kanë çuar sytë larg. Nga njëra anë bëhen “bashkëkohës” dhe “brukselas” duke qenë të paqtë formalish; nga ana tjetër mashtrojnë popujt e tyre se “lumturinë nuk e kemi këtu (“ nuk kemi para”- tha Rama), por po ua sjellim nga larg”.
Kësaj here rënia është vulgare, aq sa ç’është vulgare rezistenca si kjo e qeverisë së Tiranës që mbahet “në tregun e njerëzve”duke shitur e blerë deputetë./