Po dërmohen katolikët
Nga Frrok Çupi
1.
Kur u hap lajmi se kryetari i Kuvendit të Shqipërisë kishte paguar për vrasjen e dy deputetëve, njerëzit thuajse në masë, u ndalen te emrat: Tomë Doshi dhe Mëhill Fufi. Fillimisht askush nuk nisi të lodhë kokën nëse akuza ishte e vërtetë ose e pavërtetë. Fillimisht syri mbeti te emrat e dy deputetëve; të dy katolikë.
Viktimat e shtetit, përsëri, edhe në shekullin e ri do të ishin katolikë…
2.
Kur u publikuan deklaratat e kundërta të dy deputetëve shumë të ngushtë në miqësi, Tomë Doshi e Mark Frroku; po kjo mendje njerëzore që kishte ndaluar te emrat e "viktimave" katolike, u ndal po te emrat katolikë të Doshit e Frrokut. Por kësaj here opinioni u shfaq shumë i dyzuar në dy pamje të kundërta. Opinioni i parë ishte ky: "Këta katolikët kështu e kanë, nuk i mbajnë besë dhe luftojnë njëri-tjetrin! Kokat hëngshin"… Ndërsa opinioni i dytë u manifestua kështu: "Këta katolikët jo vetëm i vrasin, por edhe i përçajnë mes njëri tjetrit".
Që nga periudha e egër e diktaturës komuniste, slogani "përça e sundo", ishte shfaqur fillimisht në Veri të vendit, në ato zona ku zona ku banon komuniteti katolik.
3.
Dhe më në fund, kur Prokuroria vendosi për arrestimin e dy deputetëve të Kuvendit, përsëri po këto mendje njerëzore u përqendruan së bashku në të njëjtin objekt: "Po burgosen katolikët!".
…. Njerëzit gërmuan në kujtesë fakte të shumtë nga "krimi", nga hetimi, nga herezia dhe nga politika. Gërmuan edhe mbi një fakt të fundit, kur në Kuvend është kërkuar heqja e imunitetit të një deputeti të një besimi dhe zone tjetër, por që askush nuk do ta hetojë e as do ta marrë në dorë këtë çështje. Përderisa deputeti nuk është katolik, ai nuk mund të hetohet dhe as burgoset. Sigurisht, askush nuk do ta dëshironte ndëshkimin pa faj të një deputeti të çfarëdo ideje ose besimi; por pse katolikët vendosen gjithnjë në buzë të ferrit?!
Kur u "çlirua" Shqipëria nga diktatura komuniste, aty nga vitet 1990- 92, guri i parë i themelit të lirisë për gjithë shqiptarët, u konsiderua mesha e parë e Dom Simon Jubanit në kishën e Shkodrës. Dom Simoni, legjenda e lirisë dhe e rezistencës kundër diktaturës, teksa rrinte në një minder të vjetër e të vogël të shtëpisë së tij përdhese, zhvillonte një bisedë me gazetarë të huaj. Gazetarët e pyetën nëse prifti i famshëm, i burgosuri i Spaçit, vallë a ndjehej i gëzuar se po hapeshin hapësirat e besimit dhe të lirisë për besimtarët katolikë. Dom Simoni u përgjigj shkurt: "Jo!"
– Na duhet kohë e gjatë -, e vazhdoi bisedën Dom Simoni- Na duhen pesëdhjetë vjet, të paktën!
Gazetarët u duken të paduruar dhe reaguan: "Hirësi, pse kaq gjatë?"
– Gjatë?! Për të ndërtuar nderimin për Krishtin dhe për katolikët do të duhet aq kohë sa u desh për të dërmuar kishën dhe shpirtin e besimtarit katolik- tha prifti.
Dom Simoni besonte se sjellja e keqe alias komuniste do të vazhdonte.
Kur u arrestuan dy deputetët katolikë (vetëm dy katolikë), Dom Simoni nuk është më mes nesh. Por ja që e shikonte ditën.
… Tashmë ndodhemi në momentin kur sado konferenca të gjata të mbajë Prokuroria, sado hekura dhe pranga të kërcëllijnë nëpër duar gardianësh, sado fjalime nderi dhe lirie të mbahen në Kuvend, njerëzit dinë një gjë: "Fajtorët" nuk janë fajtorë; fajtorët kanë faj veç pse janë katolikë!
Edhe në historinë e keqe të diktaturës ishte urdhëruar kështu:
"Trokisni në dyert e mësuesve që vijnë nga jashtë dhe arrestojini!… Trokisni në dyer të priftërinjve katolikë dhe arrestojini!… Trokisni në dyer të katolikëve të thjeshtë dhe u tregoni të rrinë urtë… ".
Nervi i këtij realiteti tragjik të ngulitur gjatë diktaturës së gjatë e të egër komuniste, ka hyrë jo vetëm te besimtarët katolikë; por po aq te besimtarët myslimanë ose ortodoks ose hebrej; dhe po i helmon.
Tashmë ndodhemi para një realiteti gati- gati të pakuptueshëm:
Politika shtetërore po gjuan katolikët, edhe pse deklaron se ka paanshmëri.
E pakuptueshme është edhe kjo sjellje politike: Asnjëri nga tre krerët kryesorë të shtetit nuk i përket komunitetit katolik. Dy ministra që janë rekrutuar si katolikë, asnjëra nga zonjat nuk është katolike qind për qind. E pakuptueshme është pse vallë politika shtetërore është "e drejtë" vetëm në fushën e ndëshkimit, flakë për flakë ndaj katolikëve, ndërsa është "e padrejtë" me të tjerët. Po të ishte pak "e pandershme" politika shtetërore, do ta kishte zgjidhur ndryshe sulmin mbi deputetët katolikë. Sjellja ndryshe do të thotë që për një kohë të caktuar të anashkalohej "krimi" katolik. Përderisa vetë Parlamenti dhe qeveria janë vetdeklaruar "të inkriminuar" dhe përderisa në rrugë ka krim real. Rruga anash "krimit" të katolikëve do ta kishte vënë politikën e shtetit në anë të Altarit dhe jo në kupën e helmit që po i jep shoqërisë aromë diktature.
Po ku është krimi?
Të vetmit "kriminelë" janë shpallur këta emra: Tomë Doshi, Mark Frroku, Mëhill Fufi, Pjerin Ndreu, Arben Ndoka, Gjovalin Kadeli… A ka më katolikë në Kuvend? Po të ketë të tjerë, ata e kanë radhën herën që vjen.
Secili prej këtyre ka një krim në rrugën nga ka ardhur në Parlament. Përshembull Tomë Doshi. Tomë Doshi, krim të parë ka se është nga një familje antikomuniste dhe e dërrmuar në diktaturë. Është nipi i Prek Calit, patriotit të madh të Veriut që vuri jetën për të mos lejuar ngushtimin e kufijve të atdheut. Është nip i Dom Markut që komunizmi e burgosi tërë jetën për shkak se nuk ia dorëzoi besimtarët diktaturës. Është nipi i At Zef Pllumbit, shenjtorit të madh të kthyer në shpirt njerëzor.
Këtej më duket se fillon edhe inati i shtetit ndaj katolikëve, këtej nga mëkati i të qenit dhe i të parëve. Tani liria dhe nderi i shtetit kanë marrë plasaritje të thellë. O është hapur varra e shtetit me qëllim që të mbushet me katolikë; o është hapur varra e shtetit që kërkon të mos kryhet mëkati. Katolikët jezuitë, filozofë, poetë, gjuhëtarë, e atdhetarë u dërmuan burgjeve dhe gjyqeve gjatë gjithë diktaturës komuniste.
Tani përsëri janë zgjedhur katolikët. Këta janë të vetmit "kriminelë".
KOHA JONE