Po parlamentarët i paguajnë dritat?

 

Prej disa muajsh, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka nisur një nga fushatat me masive në gjithë vendin për mbledhjen e faturave të papaguara nga debitorët e energjisë në gjithë vendin. Një zëvendësministre është shkarkuar nga detyra për mospagimin në kohë të detyrimeve. Dhjetra persona janë futur në burg për shkak të borxheve deri në miliona lekë të pashlyera. Administratorë biznesesh të mëdhenj e të vegjël janë paditur dhe arrestuar për shkak të vjedhjes së enërgjisë. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi disa javë më parë se të gjithë nëpunësve të administratës do t’u verifikoheshin librezat e energjisë. Ata që nuk kanë paguar detyrimet ndaj shtetit për energjinë do të largoheshin nga puna. Rastet nuk kanë munguar në disa qytete. Por teksa fushata e zbatimit të ligjit ka nisur, natyrshëm lind pyetja: Po ligjvënësit a i paguajnë dritat? Janë 140 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, shumica prej tyre me disa shtëpi banimi dhe me bizneseve të mëdha në shumë qytete të vendit. Për shkak të imunitetit dhe privilegjeve ligjore që u njeh detyra e ligjvënësit, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike nuk mund të bëjë inspektime direkte. Por edhe nëse ligji e lejon, kush mund të imagjinojë në Shqipëri një faturist apo një elektriçist që shkon dhe i pret dritat një deputeti?! Aq me tepër se shumica e deputetëve i kanë nën emra grash, kushërinjsh apo rojesh bizneset e tyre dhe asnjërit prej punonjësve të OSHEE nuk ia mban t’u ofrohet pronave të tyre që harxhojnë energji dhe nuk e pagujanë e aq më keq që e vjedhin atë në mënyra të ndryshme.

Për këtë qëllim, Operatori i Shpërndarjes ka dërguar një shkresë gjatë javëve të fundit në adresë të Kuvendit të Shqipërisë. Letra e datës 29 dhjetor i është dërguar Sekretares së Kuvendit, Albana Shtylla, ndërsa për dijeni dhe kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Në të, OSHEE i kërkon Kuvendit informacion për kontratat e furnizimit me energji elektrike që kanë në përdorim deputetët, si për objektet e banimit, ashtu edhe për ato të bizneseve të tyre. Drejtuesit e OSHEE-së parashtrojnë në kërkesën e tyre, se informimi duhet të bëhet në kuadër të fushatës për pagimin e faturave të energjisë elektrike, pasi një kërkesë e tillë më parë u bë për qeverinë dhe institucionet e tjera. Nga pikëpamja ligjore, kërkesa e OSHEE-së ka shkaktuar ironi dhe batuta në radhët e deputetëve. Bile disa deputetë të mazhorancës kanë përqeshur një kerkesë të tillë, duke treguar gishtin e mesit kur iu kanë thënë se duhet të sillni faturat e paguara të energjisë elektrike. Ata, deputetët, ndjehen të blinduar nga ligji dhe nga forca e pa arësyeshme se janë deputetë e nuk mund të kontrollohen nga askush. Por ata kanë imunitet për gjëra të tjera e jo kur vjedhin energjinë, siç ka informacione në OSHEE për më shumë se 23 deputetë. Deputetët duhen të jenë të parët që zbatojnë ligjin e jo ta shkelin atë, aq me tepër që ta vjedhin energjinë.  Nënvlerësimi që i bëjnë kësaj kerkese të OSHEE është e thjeshtë, sipas logjikës së tyre. OSHEE-ja është një institucion varësie që jep llogari tek Ministria e Energjetikës dhe Qeveria. Këto të fundit japin llogari dhe në Kuvend, ndaj dhe t’i kërkosh llogari Kuvendit për një pjesë të deputetëve, iu duket absurde. Pjesa tjetër lidhet me atë çfarë ndodh nëse verifikohet që një deputet s’ka paguar dritat. Do t’i heqin mandatin? Jo. Asgjë nuk i ndodhë parlamentarit tonë!

Jashtë aspektit juridik, kërkesa e OSHEE-së ka një bazë morale që duhet të merret seriozisht. Kur në burg po hyjnë njerëz që nuk kanë paguar lekët e dritave, edhe për pamundësi financiare, si mund të tolerohet diçka e tillë tek deputetët që marrin paga dhe shpërblime të majme. Ligjërisht OSHEE-ja mund të mos ketë të drejtë, por moralisht vetë deputetët, të parët duhen të jenë deputetët e majtë, t’i përgjigjen kërkesës për të bërë verifikimin e të dhënave. Nëse sheh pasuritë e ligjvënësve në Inspektoratin e Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, rezulton se shumë prej tyre kanë disa biznese. Lokale, hotele, firma ndërtimi dhe kompani tregtie. Dhe qarkullojnë shuma marramendëse në valutë. Në deklarime, sigurisht janë bizneset e transferuara tek të afërmit, po që dihet se u përkasin deputetëve. Në pasuritë e tyre nuk mungojnë dhe disa banesa, shtëpi në Tiranë, shtëpi në zonat elektorale, shtëpi në bregdet, etj. OSHEE-ja nuk ka dhënë emra, por në këtë mori biznesesh dhe banesash është pak vështirë të mendosh se deputetët kanë qenë korrektë në respektimin e ligjit. Aq më tepër, që mandati është një garanci shqiptare për t’i mbajtur larg faturistët dhe punonjësit e Operatorit të Shpërndarjes. Derisa kryetarët e komunave kishin miliona lekë pa paguar, deputetët duhet të jenë një hap më para në këtë pjesë, pasi dihet që janë më të pushtetshëm. Ndaj verifikimi i pagesës së detyrimeve do të ishte rasti më i mirë për të parë nëse ata që miratojnë ligjet, i zbatojnë ato.

Kryeministri Rama që të jetë më i besueshëm në këtë nisëm ligjore e që duhet përkrahur ka nevojë të tregojë forcën edhe mbi deputetët e tij e jo vetëm të tij. Deputetët që nuk paguajnë ose më keq që e vjedhin atë duhen penalizuar. Nëse e bën këtë gjë kryeministri ka fituar të drejtën mbi këdo në këtë nisëm, pasi mund të quhet si kryeministri që vuri ligjin edhe mbi njërëzit e ligjit.Por pak e vështirë duket të realizohet kjo. OSHEE është në pritje të përgjigjes për emrat e deputetëve, banesave, bizneseve, pronave të tyre që ti kontrollojë nëpërmjet sistemit të saj . Nëse nuk ka përgjigje nga ana e Parlamentit atëhere edhe OSHEE nuk ka forcën e duhur për të ndëshkuar shkelesit e tjerë.

SHKARKO APP