Policia e Ramës, si Sigurimi i Shtetit në kohën e Enver Hoxhës
-Sipas këtij ligji Ministri Brendshëm thërret SPAK-un, ndërkohë që SPAK u ndërtua të hetojë ministrin apo kryeministrin.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kthyer në dje kuvend ndryshimet në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Ky ligj i miratuar me urgjencë nga parlamenti dhe deputetët e Partisë Socialiste është një dokument që tregon se qeveria “Rama” ka në plan jo vetëm të vjedhë zgjedhjet, por ta kthejë Policinë e Shtetit në një strukturë të mirëfilltë politike. Shkeljet ligjore në këtë ligj janë pa fund, por vetëm tre prej tyre shërbejnë për të ilustruar faktin se Rilindja po rikthen në funksion modele të strukturave politike të Sigurimit të Shtetit.
Rasti i parë është i dhënies së policisë kompetenca survejuese gjatë procesit zgjedhor. Deri më sot, mënyrën sesi sillet policia e shtetit gjatë zgjedhjeve e ka përcaktuar Kodi Zgjedhor, i cili është më i rëndësishëm se një ligj i thjeshte. Sipas Kodit, gjatë ditës së zgjedhjeve policia nuk hyn në qendrat e votimit dhe nuk ka asnjë punë me zgjedhësit apo komisionet, përveç rasteve kur kërkohet nga shumica e anëtarëve të komisioneve. Në ndryshimet ligjore që ka miratuar PS thuhet se Policia e Shtetit përfshihet në zgjedhje dhe referendume edhe sipas urdhrave të hierarkisë. Edhe në rast se ligji ka qëllim të mirë, që në këtë pikë ndryshimet e PS bien në kondradiktë me Kodin Zgjedhor, sepse në këtë mënyrë policia merr dy detyra gjatë zgjedhjeve, një nga eprorët dhe një nga Kodi Zgjedhor. Pra, ligji u jep të njëjtën të drejtë si urdhrave të shefave të policisë ashtu dhe detyrimeve ligjore. Gjasat janë që më shumë të zbatohen urdhrat e shefave, të cilët zakonisht janë emëruar politikisht në këto detyrë. Në argumentet që Presidenti Ilir Meta ka dorëzuar në Kuvend thotë hapur se kjo dispozitë ligjore u jep të drejtë forcave të policisë të përfshihen në veprimtari politike.
“Ky nen krijon mundësinë që Policia e Shtetit të aktivizohet në procesin zgjedhor edhe përtej kërkesës objektive të administratës zgjedhore dhe vlerësimit që ajo i bën situatës në terren. Kjo paqartësi e veprimtarisë së Policisë së Shtetit përgjatë proceseve zgjedhore, e lidhur edhe me kompetencën tjetër shtesë që i jepet asaj përmes këtij ligji për të gjurmuar dhe mbikëqyrur çdokënd e jashtë kontrollit gjyqësor, krijon shteg që në praktikë, edhe përgjatë procesit zgjedhor, Policia e Shtetit mund të keqpërdoret për të survejuar kundërshtarët politik të forcës qeverisëse dhe intimiduar qytetarët apo mbështetësit”,- thuhet në argumentet ligjore të kreut të shtetit.
Pika e dytë e ligjit që rikthen politizimin e Policisë së Shtetit ka të bëjë me emërimet. Në ligjin aktual, lëvizjet dhe emërimet kryesore të forcave të rendit bëhen me anë të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Socialistët kanë vendosur që në këtë pikë, veç firmës së drejtorit në çdo emërim të vendoset dhe firma e Ministrit të Brendshëm. Pra, Drejtori i Policisë propozon emërimet dhe është ministri ai që miraton! Ky ndryshim cenon gjithë parimin e depolizimit të policisë, pasi Ministri deri më sot ka pasur rolin e hartuesit të politikave të rendit, por jo të emërimeve nominale në strukturën e policisë. Më ketë ligj, emërimet në polici do të jenë sipas bindjeve politike të ministrave dhe jo sipas profesionalizimit në strukturat e rendit.
Pika e tretë e ligjit që i jep Policisë së Shtetit drejtim politik lidhet me ndërhyrjet direkte të politikës te drejtësia dhe prokuroria e posaçme SPAK. Ligji i Edi Ramës thotë se gjoja ka si qëllim të mirë luftën ndaj krimit të organizuar dhe konfirmon se Prokuroria dhe SPAK kryejnë hetimet me anë të Komitetin Kombëtar të Politikave për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar. Ndërkohë, pasi ka mbledhur në komitet, SPAK-un dhe prokurorët e pavarur, Rama u vendos si shef të tyre Ministrin e Brendshëm, i cili pavarësisht nga emri është gjithmonë njeriu më politik i çdo qeverie. Injoranca ligjore në këtë rast është flagrante. SPAK ka detyrë hetimin e kryeministrit dhe çdo ministri apo zyrtari të lartë sepse kjo është arsyeja pse u krijua, por Rilindja u vendos si shef special prokurorëve të SPAK, ministrin e Brendshëm. Me këtë ligj, planin e punës për luftën kundër korrupsionit dhe krimit, SPAK-ut do t’ja bëjë ministria e Brendshme.
Këto ndryshime dhe pikat e tjera të diskutueshme të këtij ligji, e kthejnë Policinë e Shtetit nga një strukturë e pavarur në një shtojcë të pushtetit, konkretisht Partisë Socialiste. Ndryshime të tilla ligjore, pak ditë para zgjedhjeve janë një alarm për masakrën që po përgatit Rilindja. Policia, nga garantuese e procesit, po tentohet të futet në zgjedhje si palë e pushtetit dhe ky është sinjali më i rrezikshëm për shoqërinë.
Mili Xhani