Policia mësyn te Teatri Kombëtar, artistët thirrje popullit: Merrni hunjtë nëse guxojnë të prekin Teatrin!
-Regjisori Edmond Budina paralajmëron Edi Ramën: “Kujdes të mos derdhet gjak. Bëni kujdes dhe ruani mendjen! I bëj thirrje popullit të Tiranës të ngrihen dhe të marrin hunjtë”. Ndërkohë qeveria po pret rastin ta shembë në mesnatë, kur njerëzit të jenë në gjumë që të nesërmen të jetë pastruar çdo gjurmë e Teatrit Kombëtar
Ende pa u tharë boja e vendimit të qeverisë që ia kalonte pronën e Teatrit Kombëtar Bashkisë së Tiranën, policia bashkiake e Erion Veliaj ka mësyrë në godinën historike, ku breza artistësh kanë luajtur role brilante e ku mijëra qytetarë kanë duartrokitur. Dhjetra punonjës të policisë bashkiake kanë rrethuar dje objektin dhe kanë kërkuar nga anëtarët e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit largimin nga godina. Aktivistët e aleancës kanë më shumë se dy vite që bëjnë roje në këtë objekt për të ndaluar fadromat e qeverisë që të shembim ndërtesën historike. Tensionet mes intelektualëve dhe policisë nuk kanë munguar as dje. Një grup policësh me letra në duar deklaruan se do të bënin konstatimet për marrjen në dorëzim të godinës. Ndërkohë aktivistëve u janë bashkuar dhe qindra qytetarë që janë mbledhur në kohë rekord pas alarmit të shpërndarë nga artistët në rrjetet sociale. Regjisori, Edmond Budina, pjesë e grupit të intelektualëve që mbrojnë teatrin i bëri thirrje kryeministrit dhe kryetarit të Bashkisë që të mos provokojnë qytetarët. “Kujdes të mos derdhet gjak. Në pak minuta jemi shumë këtu dhe do të jemi shumë më tepër. Bëni kujdes dhe ruani mendjen, i bëj thirrje popullit të Tiranës të ngrihen dhe të marrin hunjtë”,- deklaroi regjisori i njohur.
Policia u tërhoq, por duket se vetëm përkohësisht, pasi projekti për shembjen e godinës tashmë është një “betim” i hershëm i Edi Ramës. Ndërkohë aktorë, intelektualë dhe qytetarë po ruajnë teatrin nga ndonjë mësymje gjatë natës e policisë dhe nisjen e shembjes së tij. Tensionet e djeshme duken si “prova teknike” të qeverisë për shembjen e Teatrit Kombëtar. Ora kur veproi policia, rrethimi i objektit dhe mbledhja e qindra forcave policore ngjan si një stërvitje për goditjen finale. Në mënyrë diabolike drejtuesit politik të këtij aksioni po përdorin policinë për të provokuar qytetarët. Gjithashtu, në këtë mënyrë shihet dhe se cili do të jetë reagimi në kryeqytet dhe të gjithë banorët e tjerë të vendit. Kryeministri Edi Rama e ka deklaruar disa herë qëllimin e tij kryesor për shembjen e kësaj godine historike. Për vlerat kulturore, artistike dhe arkitekturore të këtij objekti, kryeministri është shprehur se kjo është një ndërtesë pa rëndësi. Megjithatë këtë herë ka zgjedhur që shembjen dhe damkën e barbarizmit të mos e marrë mbi vete. Vendimi i qeverisë për ta kaluar teatrin si pronë të bashkisë është dhe një lëvizje e Edi Ramës për të hequr emrin e tij nga ky turp historik. Për këtë arsye operacioni anti kulturor i është lënë në dorë Bashkisë së Tiranës dhe kryebashkiakut Erion Veliaj. Nuk ka shumë rëndësi se kush do të guxoj i pari të shemb objektin, por kush do ta jap urdhrin. Në këtë rast, ideatori, zbatuesi dhe ai që po i bën atentat trashëgimisë historike të Tiranës dhe Shqipërisë është Edi Rama. Problemi me çështjen e Teatrit Kombëtar është se nuk kemi të bëjmë me një betejë politikë dhe qeveria nuk mund të akuzojë opozitën, mediat siç bën zakonisht. Teatri Kombëtar është një pasuri publike dhe pjesë e identitetit kombëtar që prek çdo shqiptar. Kryeministri nuk e ka betejën me disa artistë, por me shumicën e heshtur të qytetarëve dhe shembja e teatrit, nëse do të ndodhë, nuk do të kalojë si një ekskursion i rilindjes.
Pas provokimit të policisë ditën e djeshme, në sheshin e teatrit u mblodhën jo vetëm artistë, por shumë qytetarë. Është sinjali i parë që kryeministri duhet ta analizojë me seriozitet. Prekja e Teatrit Kombëtar nga qeveria nuk do të ishte vetëm nisja e një përplasje me policinë, por një reagim qytetar që mund të kthehet në revoltë kundër pushtetit.