Politikanë shqiptarë në “skandalin e shekullit”?

Ka nisur të cilësohet si “skandali i shekullit” në financat ndërkombëtare. Një investigim i Rrjetit të Gazetarëve Ndërkombëtarë ka publikuar mbi 11.5 milionë dokumente që tregojnë se krerë shtetesh, njerëz të famshëm dhe kriminelë kanë përdorur parajsat fiskale për të fshehur paratë. Dosja gjigante përmban aktivitetin një prej kompanive me bazë në Panama, Mossack Fonseca e cila kryente veprimet ligjore për hapjen e kompanive fiktive që kryenin veprimet. Dokumentet tregojnë sesi janë pastruar paratë për gati 40 vjet. Është një nga ngjarjet që ka tronditur botën e financave dhe ka vënë në pikëpyetje, në dy ditët e para, ekzistencën e disa qeveritarëve në vende të ndryshme të botës. Dokumentet e publikuara kanë të dhëna për 240 mijë kompani, të cilat rezultojnë se operojnë në rreth 200 shtete.

Informacionet e para të publikuara tregojnë se edhe Shqipëria është pjesë e kësaj skeme gjigante të fshehjes dhe të pastrimit të parave. Sipas dokumenteve të deritanishme janë dy kompani, tre përfitues dhe 22 aksionerë shqiptarë në radhët e emrave që janë gjetur në dokumentet e firmës “Mossack Fonseca”.

Gazeta izraelite “Haaretz”, e cila  është një prej mediave kryesore të angazhuara në ekspozimin e skandalit financiar të pagëzuar me emrin “Panama Papers” publikoi dje emrin e Ismail Mulletit. Emri i tij rezulton si ortak në një prej kompanive të biznesmenit izraelit, Assaf Halkin. Biznesi që përmend gazeta është “GFI Technologies”, e cila rezulton se ka aktivitet në Shqipëri. Kjo kompani është regjistruar në majin e 2013-ës në ishullin e Anguillas në Karaibe. Regjistrimi i kësaj kompanie është bërë vetëm pak javë para se të fitonte nga qeveria shqiptare kontratën e ngjyrosjes së karburanteve. Sipas gazetës izraelite “Haaretz”, “pronarët e kompanisë janë  avokati izraelit Halkin, firma kanadeze “Global Fluids International” si dhe një shtetas shqiptar Ismail Mulleti”. Para nënshkrimit të koncesionit “Global Fluids International”, u bashkua me një kompani tjetër të quajtur “Petrolium Consulting Partners” duke arritur të nënshkruajnë kontratën si një bashkim kompanish. Ndërkohë që nëse sheh sot skedën e biznesit të markimit të karburanteve rezulton se firma me pronar shqiptarin Mulleti dhe izraelitin Halkin ka shitur shumicën e aksioneve, duke mbajtur vetëm 0.7 për qind nga gati 80 për qind që kishte në nënshkrimin e kontratës.  Kjo kompani e cila është themeluar sipas skemës së parajsave fiskale rezulton se ka marrë nga Qeveria Shqiptare një kontratë biznesi prej 150 milionë eurosh. Kontrata e markimit të karburanteve është një prej më të debatuarave në vend dhe është cilësuar si ndër koncesionet më abuzive të dhëna nga qeveria “Berisha”. Duke pasur parasysh dhe mënyrën sesi është krijuar kompania që e fitoi atë, shtohen edhe më shumë dyshimet. Tentuam të lidheshim për ti marrë një prononcim Ismail Mulletit, por ishte pamundur.

Por a është ky i vetmi rast kur kompani me të ardhura të pa verifikuara kanë hyrë në tregun vendas. Të dhënat e para të publikuara nga skandali “Panama Papers” tregojnë se do të dalin emra të tjerë. Dokumentet e publikuara deri mbrëmë tregonin se dy kompani, tre përfitues dhe 22 aksionerë shqiptarë. Gjë që do të thotë se nga Panamaja janë kryer operacione financiare për 22 persona në Shqipëri. Ose më sakë, 22 persona kanë fshehur paratë me anë të firmës Mossack Fonseca. Ndërkohë që në mediat ndërkombëtarë shkruhet se ka mjaft personazhe nga Ballkani të përfshirë në skemat e fshehjes së parave në Panama, të cilët do të dalin në ditët e ardhshme. Dje doli emri i parë nga Shqipëri. Investigimi pritet të tregojë edhe emra të tjerë, ku nuk përjashtohen edhe politikanë.

Flitet e flitet për një emër nga bota e biznesit dhe politikës, porse akoma nuk ka dalë emri, ndaj për të qenë të saktë po presim të zbardhen zyrtarisht nga dokumentat që tashmë po “zbërthehen” nga pak e përditë nga media botërore.

Q.XH.

SHKARKO APP