Politikanët gjermanë, “veting” për Vettingun
Në ditët kur klasa politike është e angazhuar me zhurmën që solli dorëheqja e mandatit të Saimir Tahirit, një delegacioni i parlamentit gjerman, Bundestagut, ka mbërritur në Tiranë për të mbledhur fakte për situatën në Shqipëri. Deputetë të Bundestagut, përfaqësues të partisë së Angela Merkel CDU dhe ekspertë të drejtësisë janë takuar me drejtuesit e institucioneve kryesore në vend. Qëllimi i takimit është hartimi i një raporti të detajuar për zhvillimet politike dhe reformën në drejtësi në Shqipëri, i cili do tu prezantohet partive gjermane që do të vendosin për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Ndryshe nga vendet e tjera të BE që janë mjaftuar me raportin e Komisionit Europian që rekomandoi hapjen e negociatave, politikanët gjermanë kanë vendosur të zbresin vetë në terren për të parë sesa qëndrojnë ato që KE i cilëson reforma në Shqipëri. Një vizitë e tillë nga ana e deputetëve gjerman flet dhe për një klimë mosbesimi mes Gjermanisë dhe qeverisë shqiptare. E thënë ndryshe, në Berlin nuk i “hanë” kollaj raportet e Tiranës për arritje të jashtëzakonshme.
Reforma në drejtësi është cilësuar si suksesi më i madh i Shqipërisë në këto vite. Por bashkë me miratimin e saj në Parlament me konsensus pozitë-opozitë, në zbatimin e ligjeve të reja ka jo pak akuza ndaj mazhorancës. Opozita akuzon që qeveria “Rama” e ka nisur zbatimin e reformës në mënyrë të njëanshme, duke vendosur në krye të institucioneve njerëz që janë të njohur për lidhjet me segmente të qeverisë. Kritika kryesore e opozitë është se reforma nuk po përdoret për të pastruar drejtësinë, por marrë në dorë gjithë sistemin juridik të vendit me argumentin.
Ndaj dhe në vizitën e tyre një vëmendje e veçantë u është kushtuar institucioneve të reja që janë ngritur si pjesë e reformës në drejtësi. Ditën e sotme, deputetët gjermanë janë takuar me e kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Natasha Mulaj dhe kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Genta Tafaj. Këto institucione janë të vetmet që janë ngritur deri tani si pjesë e reformës në drejtësi dhe mënyra sesi u zgjodhën anëtarë dhe po operojnë më vendimet është kritikuar nga opozita dhe ekspertët e drejtësisë.
Po sot, deputetët gjermanë janë takuar dhe me kreun e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Aktualisht institucioni më i rëndësishëm i drejtësinë në vend është jashtë funksionit, për shkak se Komisionit i Pavarur Kualifikimit ka shkarkuar disa gjyqtarë duke e bllokuar vendimmarrje. Deputetët gjermanë gjatë vizitës së tyre dy-ditore në Tiranë, kanë organizuar takime edhe me ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj, drejtorin e “Shkollës së Magjistraturës” Sokol Sadushi, nënkryetarin e Komisionit të Ligjeve Oerd Bylykbashi.
Nëse vërehet lista e takimeve të deputetëve gjerman, duket se jo rastësisht janë zgjedhur institucionet më të rëndësishme të drejtësisë dhe sidomos institucionet e reja që janë ngritur si pjesë e Vettingut. Deputetët gjermanë kanë kërkuar informacione sesi po funksionon reforma duke drejtuar dhe pyetje konkrete që janë renditur si shqetësim për keqpërdorimin politik të saj. Reforma në drejtësi është e domosdoshme, por frika e logjikshme jo vetëm e opozitës, por edhe ekspertëve të drejtësisë është se mos bashkë me reformën në vend instalohet një drejtësi e kontrolluar totalisht nga qeveria.
Vizita e deputetëve gjermanë është një lloj “vetingu” (kontrolli) që Gjermania i bën pikërisht procesit të Vettingut të reklamuar si sukses i jashtëzakonshëm nga qeveria “Rama”. Politikanët gjermanë kanë zgjedhur që të shohin nga afër sesi po realizohet në praktikë ky proces duke trajtuar dhe shqetësimet e opozitës që flet për rrezikun e kapjes së sistemit. Nga raporti që do të mbajnë deputetët gjerman në Bundestag do të varet dhe vota finale e Gjermanisë.