Poshtërimi i fundit i kryeministrit Rama ndaj Fatmir Xhafajt
Dorëheqja e ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj akoma mbetet në dyshime serioze se nuk ka qenë e vullnetshme, por e detyruar nga mosmarrëveshjet e thella me kryeministrin Rama. Fakti që kryeministri mezi priti t’i merrte një “po” Fatmir Xhafajt dhe mënjëherë e shpërndau në Twitter largimin e ministrit, ndërkohë që ministri Xhafaj akoma nuk e kishte firmosur, tregon se Ramën nuk e mbante vendi derisa ta hiqte nga ministër. Dhe ia arriti, ku më pas nga Lushnja, atë ditë, e shigjetoi kur tha “se kush don të hedhë gurë mbi shtëpinë tonë të PS, më mirë të iki”.
Ishte fjala për arrestimet e fundit VIP nga radhët e PS, ku pritej të arrestohej edhe një kryebashkiak i rëndësishëm.
Nuk vonoi Fatmir Xhafaj dhe ia ktheu përgjigjen nga Tirana, krah për krah Erion Veliajt, ku citoi se “dikush e do pushtetin për të qëndruar për ambicjet e tij, dhe dikush tjetër për njerëzit”, çka ishte direkt për kryeministrin.
Ndërkohë Rama propozoi me një letër pa stemë zyrtare, me nxitim, këshilltarin e tij të sigurisë, Sandër Lleshin. Presidenti i Republikës nuk e dekretoi dhe sot kryeministri nxitoi ta emërojë zv/ministër të brendshëm me fuqi ministri.
Deri këtu një normalitet politik, disi korrekt, por prapë i pranueshëm në kushtet shqiptare te demokracisë. Por ajo që e poshtëron aktin dhe inatin kryeministror del nga njoftimi që iu bë sot deputetëve të Kuvendit se duhet të mblidhen në seancë të jashtëzakonshme parlamentare (a thua ka plasur lufta) për të votuar dekretin e shkarkimit të ministrit Fatmir Xhafaj. Puna pret, sepse policia e shtetit po punon korrekt çdo ditë, ministria e brendshme ka tre zv/ministra dhe nuk ka ndonjë ngut për të mbledhur parlamentin në seancë të jashtëzakonshme. Ka vetëm një rend dite: Votimin e dekretit për shkarkimin e tij, gjë që fare mirë mund ta bënte ditën e enjte në seancën e radhës.
Inati qenka kaq i madh sa duan ta poshtërojnë, mediatizojnë dhe sakatojnë publikisht Fatmir Xhafaj se “u mblodh parlamenti në seancë të jashtëzakonshme dhe e shkarkoi”, a thua se Fatmir Xhafaj ka bërë krime, apo ka vrarë njeri!
Nuk duket mirë mazhoranca, pasi “rilindja” po ha bijtë e PS-së dhe më vonë do të hajë edhe bijtë e saj. Mundet dhe në bashki!
Fatmir Xhafaj po hesht dhe nuk po flet, ndërkohë që po e masakrojnë politikisht dhe mediatikisht, aqsa edhe Baton Haxhiu, miku personal i kryeministrit tha në TCH se Fatmir Xhafaj duhej larguar se po dëmtonte si përceptim publik, qeverinë dhe Ramën.