Prapë përmbytje!
Vitet e mëvonshme ndryshoi niveli i ujit, një herë deri në oborr dhe herët e tjera brenda në dhomat e gjumit, por përmbytje pati rregullisht në këto vite. Dy ditët e fundit, përmbytjet janë kthyer furishëm. Ndryshe nga më parë, bilanci këtë herë është tragjik. Tre viktima brenda pak orësh është një alarm për marrjen e masave dhe për rishikimin e strukturave të emergjencës në vend. Qytetarët, mosekzistenca e shtetit vitet e fundit, i ka bërë të duruar dhe i kanë pritur reshjet e shiut si një dënim nga qielli. Nuk thanë gjë kur pronat dhe tokat e mbjella i falimentuan si fermerë, nuk thanë gjë kur bagëtitë dhe shtëpitë e tyre i mori lumi. Por humbja e jetës është një alarm për të gjithë shtetin dhe shoqërinë. Në Shqipëri mund të humbasësh jetën për një mijë e një arsye, por është fyese për shoqërinë dhe shtetin që njerëzit të vdesin për një kanal të papastruar. Ministria e Brendshme, Ministria e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera të emergjencave kanë reaguar në kohë për përballimin e situatës. Brenda pak orësh u ngritën shtabet dhe ka nisur puna për normalizimin e situatës. Reagimi ka qenë efikas dhe angazhimi i Ministrit Saimir Tahiri ka vënë në lëvizje strukturat e shtetit. Por menaxhimi i përmbytjeve nuk është çështje e angazhimeve personale të qeveritarëve. Situatat emergjente si këto të ditëve të fundit nuk përballohen vetëm në pak ditë, por duhen investime afatgjata dhe projekte disa-vjeçare që të mund t’i shmangin. Projektet e tilla kanë munguar gjatë tetë viteve të fundit. Ish-kryeministri Berisha, një herë fajësonte Hënën blu për përmbytjet dhe herë të tjera rrymat e ajrit që sillnin reshje nga Serbia apo Italia, por asnjëherë nuk miratoi projekte që të shmangnin njëherë e mirë përmbytje të tilla. Por Berisha ka ikur. Tashmë është tjetër qeveri. Nuk mund të justifikohen më se “ishte Berisha”! Tashmë duhet me urgjencë të miratohen projekte se si mund të përjashtohet mundësia e përmbytjeve dhe emergjenca të jetë efikase e jo me pesë mjete të turresh mbi lumenj me ujë që pushtojnë qytetet.
Çështja e përmbytjeve nuk është nga ato ngjarje që lidhet vetëm me shkaqe atmosferike. Më shumë se punë e “Zotit” janë mëkatet e “robit” ato që sjellin humbje jetë njerëzish dhe pamje gati apokaliptike, si ato që pamë në Lezhë, por edhe në Tiranë. Shqipëria është një vend që rrezikohet nga fenomenet natyrore. Përmbytje ka patur në Itali dhe në shtetet e tjera të rajonit e sigurisht ka pasur viktima. Por ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri situatat mund të jenë më të menaxhueshme. Arsyeja se pse nuk ndodh dhe pse dy ditë më parë institucionet e emergjencave civile u kapën në befasi, lidhet me mënyrën sesi janë bërë investimet publike që duhet të shmangnin katastrofat. Në Lezhë dhe zonën e NënShkodrës, bordet e kullimit kanë marrë gjatë qeverisjes së PD-së më shumë fonde se çdo sektor tjetër. Por fakti është që investimet nuk janë bërë siç duhet e ku argjinaturat e lumenjve dhe kanalizimet në hyrjen e zonave të banuara nuk kanë funksionuar siç duhet, tregon se investimet nuk kanë përfunduar në destinacion. Paratë e buxhetit të shtetit dhe projekteve të huaja për mbrojtjen nga përmbytjet në vend të investoheshin për sistemet e kullimit, i ka marrë “lumi” i korrupsionit të qeverisjes së kaluar. Por rreziku mbetet se mos edhe kjo qeverisje ecën në rrugën e përmbytjeve të kaluara, duke bërë që nga përmbytja të kalohet në moçale. Ka nevojë që të zgjidhet njëherë e mirë kjo situatë, pasi janë shumë vite me premtime e njerëzit janë lodhur nga fjalët e sakatuar nga uji që vjen papritur duke mos patur asnjë masë mbrojtje.
Në Tiranë, problemi është edhe më kompleks. Vitet e fundit çështja e përmbytjeve nuk është më problem vetëm tek Bregu i Lumit, por edhe në akset kryesore të qytetit. Zhvillimi urban i kryeqytetit është bazuar vetëm në fitimin e bizneseve që ndërtojnë dhe jo në planet e emergjencave apo parashikimin e situatave gjatë reshjeve të mëdha të shiut. Sikur të mos mjaftonte uji që përmbyti disa lagje, dje banorët e zonave të prekura në Tiranë, “u përmbyten” dhe nga deklaratat e politikanëve. Për Bashkinë e Tiranës, faji është i pushtetit qendror që nuk ka dhënë fonde për këto zona. Kjo u tha dje nga nënkryetari Enno Bozdo, por në qëndrimet e mëparshme të Bashkisë së Tiranës nuk gjendet asnjë deklaratë apo shqetësim publik lidhur me përmbytjet. Pak e vështirë të mendohet se një kërkesë e tillë është bërë në qeveri, e shkruar e zeza mbi të bardhë ku thuhet se kaq lagje dhe biznese do përmbyten dhe nga ministrat e kabinetit “Rama” nuk u dha asnjë fond. Megjithatë, logjikës politike të PD-së, Partia Socialiste i është përgjigjur në të njëjtën mënyrë. Sipas saj, faji është i Bashkisë së Tiranës që nuk ka realizuar asnjë projekt dhe nuk ka marrë masa. Debati i djeshëm PD-PS shërben për përgatitjen e kampeve për fushatën e ardhshme politike dhe për të mbushur edicionet e lajmeve, por nuk u kompenson dëmin e shkaktuar nga përmbytjet, banorëve të Tiranës, të Lezhës, Lushnjës apo Shkodrës.
Boll me fjalë, akuza e përmbytje nga shirat! E mira e do që edhe prokuroria të fillojë të marrë ndonjë të pandehur nga ish-zyrtarët apo zyrtarët e sotëm që ka përgjegjësi në këtë problem që po sakaton biznese e mori edhe jetë njerëzish. Vërtet shiu dhe katastrofat janë të paparashikueshme, porse parapërgatitje për çdo rast emergjent, mbetet vepër e njerëzve të pushtetit, të çdo kohe.