Presidenca, Ministrisë së Mbrojtjes: Papagajtë s’kanë nevojë për fakte
Ministria e Mbrojtjes, një nga institucionet që publikoi në media letrën konfidenciale të Presidentit për marrjen e masave për fatkeqësitë natyrore, ka reaguar sot publikisht. Në një përgjigje drejtuar Presidentit Ilir Meta, Ministria e Mbrojtjes thotë se tërmetet nuk mund të parashikohen shkencërisht. Ndërkohë në letrën e tij Presidentit kërkonte informim për kapacitet dhe gatishmërinë që kanë institucionet shqiptare, pushteti vendor dhe qendror, për fatkeqësitë natyrore, jo vetëm për rastin e tërmeteve.
Në përgjigjen zyrtare Olta Xhaçka e trajton me ironi shqetësimin e kreut të shtetit duke u marrë edhe me komentet mediatike mbi tërmetet dhe jo me çështje që kanë të bëjnë më emergjencat civile.
Pas letrës së Ministrisë ka reaguar zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi. Në një postim në facebook, Blushi shprehet se përgjigja e Olta Xhaçkës nuk ka argumente, por vetëm përsëritje që qëndrimeve politike.
“Papagajtë nuk kanë nevojë për fakte dhe as për argumente, ata vetëm përsërisin veten çdo herë. Për ata që kanë dëgjuar sot “zëdhënësen” e re në Shqipëri të z.Tselentis, po u rikujtojmë shkrimet e publikuara në mediat ndërkombëtare dhe kombëtare që i gjeni në linkun më poshtë. Ndërsa për ligjin “Për Mbrojtjen Civile” bën mirë të jetë e informuar se është dekretuar para se të përfundojë afati!”,- deklaron Tedi Blushi.
Blushi ka publikuar dhe reagimin e një dite më parë të Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare të Presidentit, Bahri Shaqiri, i cili jepte argumente se ku bazohej kërkesa konfidenciale e kreut të shtetit, drejtuar Kryeministrisë, Zëvendëskryeministrit dhe Ministrisë së Mbrojtjes.
Reagimi i Zëdhënësit të Presidentit, Tedi Blushi
Letra e Ministres Xhaçka për Presidentin
I nderuar z. president,
jam njohur përmes shkresës, datë 29.07.2019, me shqetësimin e ngritur nga ju, lidhur me rrezikun që i kanoset vendit tonë dhe mbarë rajonit, nga një tërmet i përmasave apokaliptike që pritet të godasë së shpejti, jo vetëm Shqipërinë por mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Përfitoj nga rasti për t’ju informuar ju, e përmes jush edhe mbarë opinionin, pas konsultimeve me Institutin e Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), se aftësia për të parashikuar vitin, datën e orën kur do të godasë një tërmet, apo fuqinë me të cilën do të godasë shkon përtej mundësive të shkencës. Tërmetet për fat të keq janë të paparashikueshëm. Ky është një fakt që e konfirmojnë sizmiologët tanë dhe çdo sizmiolog kudo në botë. Për më tepër, e konfirmon edhe vetë sizmiologu i njohur Tselentis, fjalët e të cilit janë bërë shkas për shqetësimin tuaj.
Besoj që jeni informuar, që në një reagim të tij ndaj alarmit tuaj, ai është shprehur disi i çuditur mbi lajmin e rremë, siç e quan ai duke thënë se, “nuk mundem dhe asnjëherë nuk kam bërë asnjë parashikim specifik për tërmete”. Shpresoj që përgjigjja e sizmiologut të sipërcituar, e cila përputhet edhe me qëndrimet e sizmiologëve shqiptarë e sizmiologëve në mbarë botën, i jep një përgjigje ezauruese arsyes së shqetësimit tuaj: tërmetet janë të paparashikueshëm.
Sidoqoftë, përfshirja juaj në debatin lidhur me përgatitjen e Shqipërisë për t’u përballur me emergjencat e fatkeqësitë natyrore është e mirëpritur. Kjo është një çështje, së cilës edhe Qeveria e Shqipërisë, dhe institucioni që unë drejtoj i kemi kushtuar vëmendje maksimale.
Unë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria është sot më e përgatitur për t’u përballur me emergjencat, sesa në çdo moment tjetër gjatë 30 vjetëve të fundit. Kapacitetet tona reaguese janë sot shumë më të mëdha, profesionalizmi i burrave dhe grave që mbulojnë këtë sektor është i jashtëzakonshëm dhe koordinimi institucional është shumë më efikas se çka qenë ndonjëherë. Mënyra sesi i përballuan pasojat e tërmetit në Korçë janë prova më domethënëse e seriozitetit të përgatitjeve tona.
Ndërkohë, shprehja më e qartë e seriozitetit të punës sonë është ligji “Për Mbrojtjen Civile”, që pret sot dekretimin nga ana juaj. Është një ligj i hartuar me ekspertizën e mbështetjen e ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, dhe që do të transformojë qasjen e vendit tonë ndaj emergjencave duke e zhvendosur fokusin nga reagimi, tek parapërgatitja, parandalimi e zvogëlimi i riskut.
Unë besoj që duke dekretuar këtë ligj, pa humbur kohë, ju do të jepni një kontribut real në përgatitjen e vendit tonë për t’u përballur sa më mirë, e me sa më pak dëme me çdo lloj fatkeqësie natyrore, përfshirë edhe tërmetet, të cilat, pavarësisht dëshirës sonë, në fund, mbeten të pakontrollueshme e të paparashikueshëm.