Presidenti Ilir Meta, Brukselit: Hapni Negociatat e BE me Shqipërinë!

Pavarësisht debateve për politikën e ditës integrimi në Bashkimin Europian është një pikë ku të gjithë faktorët në Tiranë bien dakord. Si opozita dhe mazhoranca kanë pasur qëndrime konstante për rrugën që duhet të ndjek Shqipëria. Madje debatet edhe kur janë të ashpra ndaj qeverisë për këtë pikë, ato lidhen me faktin se nuk ka bërë sa duhet për të plotësuar kushtet e integrimit. Përveç rastit të vitit 2010 kur Partia Socialiste në opozitë bllokoi disa muaj marrjen e statusit të vendit kandidat për shkak të kreut të Këshillit Bashkiak të Fierit, deri më sot asnjë votim i të gjitha opozitave nuk ka qenë kundër ligjeve që kanë të bëjnë me BE.

Në 17 prill Komisioni Europian pritet të publikoj progres raporton e vendeve të rajonit. Janë të gjitha mundësitë që për Shqipërinë të ketë një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Fati i çeljes së negociatave do të varet më pas nga Parlamenti Europian dhe Këshilli i Ministrave, por fakti është se në Tiranë, politika po tregohet më e përgjegjshme se gjithë herët e tjera.

PD dhe LSI, si dy forcat kryesore në opozitë edhe pse kanë jo pak pika ku ndahen me qeverinë, kanë shprehur qëndrime të forta pro ligjeve që kërkon nga Bashkimi Europian për çeljen e negociatave të anëtarësimit. Bile Monika Kryemadhi ka deklaruar se opozita ka pezulluar protestat dhe gjithçka tjetër kundër qeverisë vetëm që të jetë prioritet Integrimi Europian. Ndërkohë dje, Presidenti i Republikës Ilir Meta në cilësinë e institucionit që përfaqëson unitetin kombëtar dhe institucional të vendit foli qartë në takimin me gjithë ambasadorët e vendeve të BE. Gjatë bisedës me Komitetin e Çështjeve Politike dhe të Sigurisë së Këshillit të BE-së, të përbërë nga ambasadorë të vendeve anëtare të BE, Presidenti tha se kërkesa e gjithë aktorëve politikë dhe institucionalë në vend është hapja sa më parë e negociatave.

Qëndrimi në një zë për çështjen e integrimit është sinjali më i mirë që Tirana zyrtare dërgon drejt Brukselit. Zyrtarisht asnjë vend i Bashkimit Europian nuk ka qëndrim të hapur kundër integrimit të Shqipërisë. Fakti që gjithë klasa politike ka qëndrim të unifikuar i jep më shumë shans hapjes së negociatave, nisur dhe nga fakti që sherret në Tiranë shpesh herë janë interpretuar në BE si mungesë stabiliteteti.

Në këtë pikë, opozita e vendit dhe partitë kryesore PD dhe LSI për hatër të negociatave duket se e kanë amnistuar paksa qeverinë “Rama”. Pavarësisht probleme me krimin, drogën dhe korrupsionin, në disa deklarata publike Lulzim Basha ka deklaruar se PD do të votojë çdo nismë që lidhet me hapjen e negociatave. Muajt e fundit jo rastësisht tempi i protestave opozitare, akuzave të rënda dhe sherreve politike është lënë mënjanë. Me e sinqertë në këtë tërheqje ka qenë LSI-ja. Kryetarja Monika Kryemadhi jo pak herë ka deklaruar se për opozitën është më rëndësishme që shqiptarët të hyjnë në BE, sesa protestat. Është një deklaratë që ka brenda saj përgjegjshmërinë e një forcë politike, por edhe shpresën se me afrimin e vendit në BE, kontrolli dhe presioni i Brukselit ndaj abuzimeve të qeverisë do të jetë më i madh.

Këto muaj do të vendoset se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë gjatë të paktën 10 viteve të ardhshme. Çelja e negociatave nënkupton vendosjen e Shqipërisë nën monitorim më të rreptë për standardet europiane. Kjo do të thotë se çdo qeveri do të jap më shumë llogari në Bruksel, por edhe do të marrë më shumë fonde për investime dhe projekte. Është një proces që u intereson më së shumti qytetarëve për t’u ndjerë më afër BE dhe për të pasur një shtet më modern dhe më të përgjegjshëm.

Projekti evropian për Ballkanin parashikon që gjithë vendet e rajonit të jenë një ditë pjesë e unionit. Serbia dhe Mali i Zi janë një hap para nesh dhe kanë hapur negociatat e anëtarësimit. Ndërkohë këto muaj Shqipëria pritet të marrë sinjalin e një rrugëtimi që në rastin më të mirë zgjat të paktën 10 vjet deri në anëtarësim. Kryeministri Edi Rama këto ditë në Bruksel ishte optimist se Shqipëria do të hynte edhe para Serbisë në BE.

BE duhet ti hap dyert për Shqipërinë.

E.V.

SHKARKO APP