Presidenti mposht kryeministrin në ndeshjen e parë në Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë kreut të shtetit, Ilir Meta lidhur me përplasjen me kryeministrin Edi Rama, për dekretimin e anëtarëve të kabinetit qeveritar. Në vendimin e saj, të votuar 7 me 0 nga gjyqtarët, Kushtetuesja thotë se për rastin e kompetencave të emërimit të ministrave nuk ekziston mosmarrëveshje mes Presidentit dhe Kryeministrit. Në ekstraktin e vendimit që do të publikohet i plotë në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese shprehet se: “Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve (Qeveri-Presidencë-Kuvend. Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion. Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi”.

Përplasja mes Presidentit Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama nisi në janar të vitit 2019, ku kreu i shtetit nuk dekretoi si ministër të Jashtëm, Gent Cakajn. Mes argumenteve ligjorë që paraqiti kreu i shtetit për këtë vendim, shkak kryesor ishte dhe qëndrimet që Cakaj ka mbajtur për ndarjen e territorit të Kosovës. Presidenti argumentoi se një person që promovon idenë e ndarjes së territoreve kombëtare, nuk mund të jetë përfaqësuesi zyrtar i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të mbështesë ide që nuk janë pjesë e politikës kombëtare. Gjithashtu, Presidenti argumentoi se kandidati për ministër Cakaj dhe pse kishte 6 muaj që mbante detyrën e zëvendësministrit të Jashtëm, nuk kishte certifikatën e sigurisë për tu njohur me dokumente të klasifikuara që përputheshin me pozicionin e tij si kryediplomat i Shqipërisë. Kryeministri Edi Rama e cilësoi vendimin e Presidentit si “turp dh qëndrim antikushtetues”.

Sipas qeverisë dhe PS, Presidenti nuk duhet të analizojë figurën e një kandidati për ministri, por duhet vetëm të vulosë “si noter” emrat që i dërgon Kryeministri për emërim. Këtë qëndrim të qeverisë kundër Presidentit e ka rrëzuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Gjykata i njeh Presidentit të drejtën e vlerësimit ligjor të një ministri, njëlloj siç i njeh të drejtën Kryeministrit që emëron dhe Kuvendit që e voton një ministër. Gjykata thotë se ministri emërohet nga tre institucione Qeveri-Presidencë-Kuvend dhe secili prej tyre ka të drejtë të bëjë vlerësime mbi përputhshmërinë ligjore të emrave të propozuar. Në këtë mënyrë, Gjykata Kushtetuese vlerëson se roli i Presidentit nuk është formal dhe aq më pak “noter”, siç thotë Partia Socialiste për aktet e kreut të shtetit.

Gjykata flet për lojalitet në marrëdhëniet mes institucioneve duke pranuar faktin se Presidenti nuk mund të firmos çdo kërkesë që i vjen nga ana e kryeministrit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen në kohën kur socialistët kanë ngritur komisionin hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit lidhur me deklaratat dhe rolin e tij gjatë fushatës elektorale. Argumentet juridikë të Gjykatës Kushtetuese vlejnë dhe për një kthjellim të mendjeve socialistëve që këmbëngulin se Presidenti ka shkelur kushtetutën. Në fund, gjykata po u thotë socialistëve se nuk janë ata që interpretojnë Kushtetutën dhe nuk mund ta lexojnë atë sipas qejfit.

Mili Xhani

 

SHKARKO APP