Presidenti Nishani sulmon Edi Ramën
Reforma në drejtësi, një nga nismat më serioze të premtuara në mazhoranca, është bërë shkak i një konflikti të hapur mes mazhorancës dhe Presidentit të Republikës. Në takimin e dytë mes përfaqësuesve të forcave politike, drejtuesve të institucioneve të drejtësisë dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë, kur projekti i reformës në drejtësi duhet të kishte prodhuar çështje konkrete, Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka shpërthyer në kritika të hapura ndaj mazhorancës. Në cilësinë e numrit Një të Shtetit, njëherazi dhe kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bujar Nishani ka renditur të paktën 10 kritika ndaj procesit dhe mënyrës sesi mazhoranca dhe Ministria e Drejtësisë kanë operuar për diskutimet lidhur me reformën. Fjalimi i kreut të shtetit është mbajtur në takim pa praninë e mediave.
Sipas kreut të shtetit: tryezat për diskutim nuk janë gjithëpërfshirëse, janë zhvilluar vetëm formalisht. Takimet dhe propozimet janë bërë vetëm nga ana e mazhorancës. Po sipas kreut të shtetit, edhe disa ligje që kanë ndërhyrë në sistemin e drejtësisë, si ai i Gjykatës së Lartë kanë qenë të përshpejtuar dhe të pakonsuluar me gjithë faktorët e sistemit. Opinioni publik, mediat, gjyqtarët dhe opozita nuk kanë pasur transparencë të plotë për disa projekte ligjore. Sipas kreut të shtetit, procesi i reformës që pretendohej se do mbyllej para gjashtë muajsh është zvarritur duke e çuar në një afat të papërcaktuar. Dhe në fund, ajo që duket se është dhe një akuzë direkte për Qeverinë dhe mazhorancën, kreu i shtetit nuk rezulton të jetë ftuar në asnjë prej takimeve teknike ku janë diskutuar propozime për reformën në drejtësi. Me pak fjalë, këto janë kritikat e shprehura në takimin e djeshëm që ngrejnë pikëpyetje për mënyrën sesi po zhvillohet reforma dhe sesi po trajtohet pozicioni i kreut të shtetit. Deklarime të tilla nuk janë bërë nga subjektet politike, por nga numri Një në hierarkinë e shtetit dhe pavarësisht rezervave që mund të ketë mazhoranca, fakti që nuk ftohet as në takime, do të thotë se klima mes institucioneve është e acartë edhe në kohë vere.
Ndaj dhe më shumë se kritika, fjalimi i djeshëm i Kreut të shtetit ka akuza të hapura dhe sulm publik ndaj mazhorancës, për një reformë që ende pa dhënë një projekt konkret, cilësohet me mangësi. Nga ana e mazhorancës nuk ka munguar reagimi. Kreu i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, pretendon se Presidenca ka qenë e pranishme me përfaqësues të tjerë në takimet për reformën zgjedhore. Debati i thjeshtuar në çështjen; “është ftuar apo jo kreu i shtetit si institucion” shërben vetëm për të devijuar problematikën reale.
Mes mazhorancës dhe kreut të shtetit prej gati dy vitesh marrëdhëniet nuk quhen normale. Së fundmi, një propozim i Ministrisë së Drejtësisë synon t’i heqë të drejtën kreut të shtetit për të qenë edhe kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjë që është krejt e padrejtë dhe bëhet vetëm që t’ia heqin zotit Nishani këtë kompetencë kushtetuese. Ndërkohë një sërë kompetencash të tjera si ajo për Forcat e Armatosura dhe procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë kanë pasur si qëllim heqjen e vendimmarrjes nga kreu i shtetit. Këto nisma, të gjitha së bashku, pavarësisht dëshirës së mirë të mazhorancës në dukje mund të çertifikohen dhe me ndryshime në Kushtetutë dhe mazhoranca i ka votat nëse do të ndërmarrë një hap të tillë. Por me një opozitë që është në minimumin e numrave në parlament dhe me mos dakortësinë e Presidentit, një reformë pa konsensus do ishte vetëm shprehje e arrogancës së mazhorancës. Ndaj dhe qëndrimi i djeshëm i kreut të shtetit ishte një sulm ndaj Kryeministrit, një sinjal se kriza për kontrollin e institucioneve të drejtësisë nuk ka nisur tani. Tani vetëm sa është bërë publike dhe duket se do të vazhdojë gjatë.
Në të vertetë drejtësia ka nevojë për reformë drastike, por duhet sa më shumë debat e konsensus që t’i sherbejë dekadave e jo viteve, sepse me këtë mënyrë çdo forcë politike që merr pushtetin e fillon nga e para sipas interesave të saj politike. Bujar Nishani ka të drejtë për shumë pika të reformës, ndaj duhet dëgjuar.