Projekti/ Sekuestrim pasurive të korrupsionit

Nga Qamil Xhani/

Përveç Vetingut, ligjit që kontrollon figurën dhe pasurinë e gjyqtarëve, një tjetër nismë ligjore kundër zyrtarëve të korruptuar pritet të miratohet si pjesë e reformës në drejtësi. Projektligji i ri, si pjesë e ligjit “Antimafia” që pritet të kalojë në Kuvend parashikon që paratë dhe pronat e zyrtarëve të korruptuar të trajtohen njëlloj si pasuritë e grupeve kriminale. Aktualisht, prej disa vitesh është në fuqi ligji i njohur me emrin “Antimafia”, i cili sekuestrohen pronat e bosëve të krimit dhe anëtarëve të bandave kriminale. Në rastet kur pasuria rezulton e pajustifikuar dhe është vendosur për shkak të aktivitetit kriminal, gjithë paratë në llogari bankare dhe pronat e regjistruara u sekuestrohen nga shteti. Pas zbatimit për botën e krimit të një ligji të tillë, hartuesit e reformës në drejtësi kanë vendosur që një nismë të ngjashme ligjore ta shtrijnë jo vetëm tek njerëzit e drejtësisë, por tek gjithë funksionarët shtetërorë.

Projektligji parashikon që pasuritë e zyrtarëve të korruptuar do të trajtohen njësoj si pronat e kriminelëve, duke u sekuestruar menjëherë. Sekuestrimi do të bëhet qoftë edhe mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme se pasuria është vendosur si pasojë e aktivitetit korruptiv dhe abuzimi me detyrën të zyrtarëve të lartë. Ligji i shtrin efektet edhe ndaj pasurive të personave që kanë lidhje të afërt gjaku me personin e dyshuar si të përfshirë në korrupsion. Disa nga pikat kryesore të projektligjit kanë të bëjnë më sekuestrimin e menjëhershëm të pasurive të zyrtarëve, në rastet kur ata kanë bërë deklarim të rremë, apo edhe kur refuzojnë deklarimin e pasurisë.

Pika më interesante e nismës së re ka të bëjë me faktin se ky projekt ka fuqi prapavepruese. Gjë që do të thotë se, sekuestrimi i pasurive dhe pronave do të bëhen edhe kur ato janë vënë para hyrjes së ligjit. Parimi i ligjit është i thjeshtë, lufta kundër korrupsionit nis me konfiskimin e pronave dhe parave të vendosura në mënyrë abuzive nga ana e zyrtarëve të lartë.

Nuk ka një shifër zyrtare sesa mund të jetë shuma e eurove dhe dollarëve të vjedhura me anë të korrupsionit përgjatë viteve, por sigurisht që disa buxhete të shtetit kanë përfunduar në xhepat e klasës politike dhe zyrtarëve. Mjafton të shohësh nivelin ekonomik të një pjese të madhe politikanësh, të cilët nuk mund të justifikojnë as 1 për qind të pasurisë që kanë, nëse do të kishin marrë vetëm pagën. Nëse ligji do të zbatohet me dorë të hekurt dhe reforma në drejtësi nuk do të devijojë rrugës, përveç dënimeve penale, shumë zyrtarëve të lartë do t’u konfiskohen pronat e pafundme dhe bizneset që kanë në zotërim prej kohësh.

Kjo është e vetmja mënyrë që korrupsioni të dënohet si fenomen. Sepse, përvoja e viteve të fundit ka treguar se nuk mjafton që zyrtarët e korruptuar t’i largosh nga zyrat dhe t’i dënosh për shpërdorim detyre disa muaj apo vite burg. Një zyrtar që ka vjedhur miliona euro nuk e ka problem të kalojë disa javë në qeli, sepse kur del e di që ka llogarinë bankare të plotë. Ndërsa miratohet marrja e pasurisë menjëherë ky është ndëshkimi më shembullor ndaj të korruptuarve.

Ajo që projektligji vendos si kriter është se zyrtarët e korruptuar tashmë do të trajtohen njëlloj si kriminelët dhe grupet e krimit të organizuar. Pavarësisht sesa do të jetë efekti konkret i këtij ligji, të paktën vendos një standard të ri. Deri më sot, zyrtarët e korruptuar për shkak të pasurisë dhe paprekshmërisë kanë fituar statusin e njerëzve “suksesshëm” dhe të “zotë” sepse vjedhin dhe nuk kapen nga ligji.

Tani bëhuni gati të shikoni prona, pasuri, llogari bankare të zyrtarëve të korruptuar që do të sekuestrohen.

Ky është ligj që duhet për Shqipërinë.

SHKARKO APP