Projektligji:Nuk pagove dritat, Shteti të merr shtëpinë!
Një projektligj i ministrit të Energjisë Damian Gjiknuri ka sjellë probleme serioze mes mazhorancës. Drafti për Sektorin e Energjisë Elektrike, i cilësuar nga Gjiknuri si reforma më e madhe e institucionit të tij, nuk ka mbledhur numrin e votave të nevojshme për të kaluar në seancë. Kryetari i Kuvendit, pas miratimit në parim të ligjit me 67 vota, u detyrua ta shtyjë për javën tjetër. Sipas dokumentit të sjellë nga Gjiknuri, qytetarët që kanë më shumë se 150 mijë lekë të reja borxh energjie, (në seancë u ndryshua në 300 mijë lekë), në rast se nuk i shlyejnë humbasin shtëpitë e tyre. Me kalimin e këtij ligji, veç detyrimeve të tjera për energjinë qytetarët do të vendosin si garanci hipotekat e banesave apo bizneseve. Një absurditet ! Ky draft ka sjellë debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës, por nuk kanë munguar dhe zërat kundër edhe nga rradhët e deputetëve të PS. Deputetët Koço Kokëdhima, Paulin Sterkaj dhe Erjon Braçe kanë qenë kategorikisht kundër vendosjes së barrës hipotekore, çka ka bërë që edhe brenda koalicionit të mos plotësohej numri i votave për kalimin nen për nen të projektligjit.
Në mënyrën si është prezantuar ligji dhe masat që parashikon rezulton të jetë një nismë me kosto të paimagjinueshme për qytetarët. Më shumë duket si një projekt i hartuar në mënyrë të papërgjegjshme. Le të marrim një shembull; shuma e vendosur nga Ministri Gjiknuri për debitorët e energjisë është 300 mijë lekë të reja. Nga të dhënat e sistemit rezultojnë se në gjithë vendin janë 260 mijë debitorë, qytetarë dhe biznese. Nga këta, rreth 100 mijë kanë shuma të mëdha të papaguara, pra fatura që kalojnë shifrën 300 mijë lekë. Me ligjin e paraqitur nga Ministri Gjiknuri, nëse vihet në zbatim, numri i personave që humbasin shtëpitë dhe bizneset mund të jetë mbi 100 mijë familje!! A mban përgjegjësi sociale një ministër i tillë kur sjellë në Kuvend një draft që hedh në rrugën 100 mijë familje? Me një të rënë të lapsit ministri merr përsipër të krijojë një kaos social për vendin.
Vendosja e rregullave është e nevojshme në sistemin energjetik në vend. Masat shtrënguese mund të jenë më efikase ndaj biznesit që nuk paguan dhe ndaj vjedhësve të energjisë. Por teksa dje mburrej për ligjin e mirë që kish sjellë në Kuvend, ministri i majtë Damian Gjiknuri duhet të dinte se një pjesë e debitorëve janë ata që nuk kanë asnjë të ardhur ekonomike. Në vend të sugjeronte një skemë të re, ai u jep dhe goditjen finale të varfërve, u merr të vetmen gjë që mund të kenë, shtëpinë. Ligji i jep kompetenca të çuditshme ministrisë së Energjetikës, pra edhe t’u marrë shtëpitë qytetarëve. Para se ministri Gjiknuri të marrë përsipër të bëjë dhe rolin e përmbaruesit, a nuk do ishte më mirë që çështja e borxheve ta zgjidhet shumë më thjeshtë, mjafton t’u ndërpresë energjinë atyre që nuk paguajnë. Të mbrosh një ligj që u sekuestron banesat qytetarëve për 3 milionë lekë të vjetra, kur dihet sa është vlera e banesave në Shqipëri, duket si grabitje e hapur e pronave. Dhe kjo grabitje nuk bëhet nga keqbërës, por nga një person që thotë se është ministër i një qeverie të majtë. Më saktë nga Shtetit.
Edhe nëse miratohet ligji për “grabitjen e shtëpive nga Ministria” problemi i borxheve nuk zgjidhet. Arsyeja është e thjeshtë, pasi edhe në këtë rast forcën goditëse të shtetit e hanë të varfërit, jo bizneset. Këta të fundit do e gjejnë një mënyrë që të mos u sekuestrohet prona, lekët nuk u mungojnë, por thjesht nuk janë korrekt me pagesat. Ndërsa ai qytetar që nuk ka paguar lekët nuk e ka bërë këtë gjë se s’ka dashur, por se nuk ka pasur. Ku do i gjejë paratë për të mos humbur shtëpinë? Do shkojë të vjedhë, apo të bëjë ndonjë vepër tjetër penale. Në këtë mënyrë projekti i Gjiknurit i bënë dhe një shërbim tjetër rritjes së kriminalitetit në vend, duke shtuar kontingjentin e njerëzve që nuk duhet të mendojnë vetëm për të ushqyer fëmijët, por edhe të gjejnë lekët që të mos humbasin shtëpitë.
Mes mazhorancës dje pati njerëz që u bindën për efekt shkatërruese të këtij ligji. Efekte që jo vetëm prekin qytetarët, por edhe imazhin e një qeverisje të majtë. Brenda një jave kohe mund të gjendjet një zgjidhje më sociale, për të shmangur të paktën familjet me të ardhura minimale nga kjo skemë. Por e gjitha kjo nuk e heq shijen e keqe të një debati antisocial në Kuvend. Një ministër i majtë që fliste për sekuestrim pronash në një situatë krizë ekonomike duket sikur nuk jeton në këtë vend. Mesazhin e parë ja dhanë vetë kolegët e tij; nuk ia votuan projektligjin. Sesa i ka vlejtur leksioni do të shihet të enjten e ardhshme.