Prokuroria në sulm
Ndalimi i Emiljano Shullazit dhe dy bashkëpunëtorëve të tij u krye pas kërcënimit të dy profesorëve të njohur, Dhori Kule dhe Mynyr Koni, por sot në gjykatë Shullazi do të përballet me gjashtë akuza. Informacioni i rezervuar që ka dalë këto ditë në mediat nga prokuroria është vetëm maja e ajsbergut të një “biznesi krimi” që nis me trafik droge, gjobëvenie, grabitje pronash, përdorim eksplozivësh dhe akuza më e lehtë është ajo e armëmbajtjes pa leje. Një aktivitet që së fundi kishte nisur të hynte dhe në garën e akademikëve, ndërsa prej disa vitesh ishte kthyer në tmerrin e biznesmenëve të mëdhenj në vend për shkak të gjobave kriminale. Sipas prokurorisë ka të dhëna se ky grup kriminal u ka vendosur kohët e fundit gjoba 4 biznesmenëve të njohur.
Ndërsa veç rastit të ish-hotel “Vollgës” i cili u sekuestrua dje nga Gjykata e Durrësit, dyshohet se në proces “faljeje” ishte dhe Parku Sportiv në Durrës, një hapësirë prej mijëra metrash katror. Veç këtyre procedurave dyshohet se anëtar të këtij grupi kriminal kanë kërcënuar dhe u kanë bërë presion zyrtarëve të Hipotekës në Durrës dhe në Tiranë për të bërë kalimet e pronësisë në shkelje të hapur me ligjin.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje nëse ka prova dhe dëshmi për të gjitha rastet e përmendura, por dihet se shumë dokumenta e fakte po mbahen sekret nga organi akuzës për t’i nxjerrë rast pas rasti deri në gjykimin final të këtij grupimi të rrezikshëm. Ndërkohë ajo që dihet është se kallëzimi i vetëm mbetet dëshmia e Jani Zaka e Mitri Priftit, të cilët janë kërcënuar nga Shullazi për t’ju marrë pronën, një parkim 1200 metra në Tiranë. Hetimet e prokurorisë tregojnë se grupi që drejtohej nga Emiljano Shullazi prej disa vitesh kishte shtrirë aktivitetin në Tiranë dhe Durrës, duke ndërtuar një nga grupet më të rrezikshme kriminale në vend.
Paraditen e sotme pritet që gjykatat të caktojë masën e arrestit për tre të arrestuarit, ku do të bëhet dhe njohja zyrtare me akuzën dhe provat që disponon prokuroria. Ndërkohë procesi i gjykimit të këtij grupi kriminal, sipas prokurorisë, nuk është vetëm një çëshje procedurale gjyqësore. Për vetë atë ç’ka përfaqëson në historinë e drejtësisë shqiptare emri i Shullazit, ky proces do të jetë një nga sfidat më të rëndësishme të Prokurorisë dhe gjykatave në vend. Emri i Shullazi është ndër më të njohurit për Policinë dhe organet e drejtësisë. Brenda disa viteve është arrestuar, akuzuar dhe më pas është lënë i lirë për mungesë provash, ose është dënuar shumë pak nga drejtësia. Dhe gjithmonë ka pasur dyshime për ndikime të politikës në këto procese. Ndikime që kanë ardhur nga të dyja kampet politike. Njëherë si mbështetës i Partisë Demokratike dhe së fundi si mbështetës i Partisë Socialiste. Në të gjitha rastet emri i tij është lidhur me politikanë dhe njërëz që dyshohet se i kanë garantuar lirinë për të vendosur gjoba dhe për të ngritur një rrjet të rrezikshëm kriminal. Kjo mbështetje direkte, apo indirekte bëhet edhe më e rëndë kur flitet se ka zyrtarë të lartë që janë kërcënuar direkt nga Shullazi dhe sot që ai ndodhet në paraburgim nuk kanë bërë asnjë kallëzim publik ndaj ti. Nëse akuzat nuk janë thashetheme, atëherë kjo heshtje vjen nga frika që është mbjellë në opinion se edhe këtë herë ky proces do të përfundoj në një farsë. Edhe ambasadori amerikan Lu e përmendi me emër Shullazin, por nuk u ndje shteti për ca kohë, derisa erdhi arrestimi e ku prokuroria është në pararojë të luftës kundër krimit.
Ndaj Prokuroria e Përgjithshme ndodhet sot përballë sfidës jo vetëm për të provuar akuzat që ka ngritur në dosje, por edhe për të vrarë frikën që krimi dhe të fortët kanë mbjellë në shoqëri. Nga mënyra si rrodhën ngjarjet pas denoncimit për kërcënimin e pedagogëve, Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla duket se e ka bërë zgjedhjen e tij. Ka vendosur ti shkojë deri në fund një procesi ku paraardhësit e tij dhe Policia e Shtetit ishin dorëzuar duke mbyllur sytë, edhe nga frika, por mundet edhe nga ofertat. Madje sipas të dhënave, ishte prokuroria që po e ndiqte dhe përgjonte Shullazin prej disa muajsh pa dijeninë e policisë. Përgjimet, provat, akuzat janë dëshmi se prej kohësh prokuroria është hedhur në sulm.
Tashmë procesi hyn në një fazë tjetër, ku veç Prokurorisë rëndësi ka dhe pjesë tjetër e drejtësisë, gjykatat. Është në ato raste kur gjithë sistemi vihet në provë. Nëse institucionet dështojnë, atëherë ky shtet nuk duhet marrë më seriozisht dhe duhet të ikim me vrap nga Shqipëria.
Ndaj Prokuroria duhet mbështetur fort e hapur, jo vetëm në përgjithësi, por edhe në këtë rast i cili është më flagranti ku tregon se si politika dhe zyrtarë të lartë janë kapur peng nga një bandë. Kjo duhet shkatërruar si frikë që kanë përhapur në shtet e në popull dhe si krim që sfidon shtetin hapur tash sa vite.
Prokuroria është në rolin e saj aktiv dhe nëse dështon nga pazaret e gjykatësve apo politika që mund të ketë futur hundët natën tek gjykata atëhere duhet të bërtasim me të madhe se MAFIA ËSHTË JO VETËM NË PARLAMENT, POR KUDO NË SHTET.