Prokuroria trondit qeverinë me arrestime
Drejtori i Tatimeve të Tiranës, Androkli Kokthi u arrestua pasditen e djeshme nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Hetimet e Prokurorisë kanë arritur në përfundimit se kreu i tatimeve të kryeqytetit ka abuzuar me detyrën, duke lejuar kthimin e mallit të sekuestruar pa faturë tatimore, porse po hetojnë edhe për fakte të tjera të cilat, sipas tyre, janë nën shqyrtim. Dosja e hetimeve ndaj Kokthit pritet të shtohet edhe me raste të tjera abuzimesh me bizneset në kryeqytet, sipas burimeve të besueshme në organin e akuzës.
Por cilat janë shkeljet që ka kryer Drejtori i Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë? Sipas Prokurorisë Hetimi ndaj tij ka nisur në mars të vitit 2015. Kontrolli Tatimor i Drejtorisë së Tiranë ka sekuestruar një sasi malli pa faturë në një kompani, me vlerë totale prej rreth 4 milionë lekë të reja. Bazuar në procedurat ligjore, malli i konstatuar pa faturë është konfiskuar nga Drejtoria e Hetimit Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Malli i konfiskuar është dërguar për ruajtje në magazinat e Rezervave të Shtetit. Por disa ditë pas bllokimit të mallit, Drejtori Rajonal i Tatimeve Tiranë, Androkli Kokthi me një shkresë urdhëron lirimin nga konfiskimi të mallit dhe kthimin e tij subjektit privat që i ishte gjetur malli pa faturë. Në bazë të ligjit ky veprim është shkelje flagrante. Kjo pasi malli i konfiskuar nuk mund të rikthehet, por vetëm mund të blihet nga subjektit, të cilit i është gjetur pa faturë. Shkelja e tyre është se urdhri i nxjerrë nga një organ më i lartë, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve nuk mund të shfuqizohet nga një organ më i ulët. Në rastin konkret, Drejtori Rajonal ka shfuqizuar urdhrin e konfiskimit të institucionit epror, që është Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.
Doganat dhe tatimet janë dy nga institucionet ku regjistrohen abuzimet më të mëdha. Shumica e shkeljeve ligjore, abuzimeve me detyrën apo edhe gjobave ndaj biznesit vendosen pikërisht në këto institucione. Arrestimi i djeshëm i drejtuesit të Tatimeve në Tiranë është një nga rastet që tregon se Prokuroria po vepron fort dhe pa asnjë mëdyshje. Këtë herë jo duke goditur inspektor tatimesh të parëndësishëm, por drejtuesin më të lartë të Kryeqytetit. Androkli Kokthi ishte emëruar në këtë detyrë në vitin 2014 dhe cilësohej si nga drejtuesit e rinj që do të rilindte tatimet. Hetimet e prokurorisë treguan se jo vetëm nuk pati rilindje, por abuzimet vazhduan njëlloj si më parë. Fakti që prokuroria goditi pikërisht numrin një në Tiranë të tatimeve, e cila është dega më e madhe në Shqipëri e ku arkëtohen mbi 60 përqind e parave në buxhetin e shtetit, duke mos harruar se ai ishte një nga miqtë e kryeministrit Rama, tregon se roli i prokurorisë po rritet në luftën ndaj korrupsionit dhe shkeljeve të ligjit. Drejtori i Tiranës është njeriu më i fuqishëm pas Briseida Shehajt drejtoreshës së përgjithshme. Mësohet se ka patur shumë ndërhyrje në Prokoruri nga Ekzekutivi që të mos arrestohet, por urdheri i Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe i Kryeprokurorit të Tiranës Petrit Fusha ka qenë i prerë se asnjë lëshim nuk bëjmë dhe më pas është arrestuar.
Hetimet e Prokurorisë për rastin e tatimeve në Tiranë nuk janë të vetmet. Pritet që organi i akuzës të firmos procedimet penale edhe për një sërë zyrtarësh të tjerë të nivelit të lartë. Nën hetim janë drejtorë ,por edhe ministra dhe ish-ministra, për të cilët rezulton se kanë kryer shkelje të ligjit. Shkelje kanë të bëjnë kryesisht me tenderët dhe koncesionet që janë kryer gjatë kohëve të fundit nga drejtuesit e institucioneve. Prej disa kohësh Prokuroria e Përgjithshme është hedhur në aksion duke realizuar goditjen edhe në nivelet e larta. Edhe pse ky institucion gjithmonë është sulmuar politikisht, madje edhe duke i kufizuar fushën e veprimit me fonde të pakta financiare dhe me uljen e burimeve njerëzore, Kryeprokurori Adriatik Llalla po dëshmon se është i vendosur për të mos bërë kompromise. Të paktën deri tani.
Disa javë më parë u arrestua ish-ministri Spiro Ksera duke çuar pas hekurave për herë të parë pas shumë vitesh një ish-anëtarë kabineti. Sot në pranga ra një drejtor i rëndësishëm dhe duket se nuk do të jetë i fundit.
Në prokurori po punojnë me intentsitet, pa orar, duke mbledhur fakte, dosje, etj për të çuar para hekurave zyrtarët e niveleve të ndryshme të administratës. Një burim nga prokuroria që nuk donte të prononcohej për mediat tha se në koridoret e prokurorisë ka ditë që po zien emri i dy ministrave, njëri ish-ministër e tjetri është sot në kabinet, të cilët po hetohen dhe duket se prangat do të kërcasin mbi të dy.
Prokuroria ka prekur zemrën e pushtetit të sotëm dhe pikërisht mu në kryeqytet, duke arrestuar njerin prej njërëzve më besnikë të qeverisë.