Pronat në këmbë të Toro-s
Nga Laert Skiro.
Po të vëzhgosh praktikën se si Agim Toro u soll me pronat, të duket se mbiemri i tij është sajuar pikërisht me kuptimin e sulmit mbi… pronat
"Toro", një emër i ardhur nga gjuha catalane, që në shqip do të thotë "dem", në rastin e tregimit në ketë shkrim lidhet me një sjellje prej demi real kundër ligjeve të pronës. Ka një koincidencë mahnitëse se si njeriu në krye të shoqatave për pronat, dy mandate në krye të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, edhe emrin e ka si të përshtatur për të mos u ndalur në fushën e tij.
Agim Toro i shfaqur vonë në publik, pas viteve '90 e ca, kishte qënë një ushtarak i gradës së fundit. Megjithëse njeri me lidhje të forta me Sigurimin e Shtetit, arrin te konvertohet shpejt si kontigjent demokrat. Synimi i tij ishte marrja e pronave, të qëna ose të paqëna, me origjinë nga familja e tij. Vetëm duke u konvertuar si demokrat mund të merreshin pronat pas viteve 90; aq më shumë që Demokratët po vinin fuqishëm në pushtet. Agim Toro, vit pas viti, arriti të marrë jo te vetmen pronë që pat, por të gjitha pronat e parashikuara prej tij (me të njëjtin dokument) nën emrin e Bido Toros. Në Shqipëri nuk ka asnjë tjetër që i ka marrë, jo gjithë pronat, por as edhe nje te vetme, përveç këtij zyrtari të shoqatave dhe Agjencisë së Kthimit të Pronave
Si një funksionar i lartë i "Pronave", fillimisht si kryetar i një shoqate, pastaj sekretar i KKKP nën qeverinë Nano dhe nga viti 2013 nënkryetar i Agjencisë së Kthimit e Kompesimit të Pronave, Toro i hyri marrjes për vete aq sa e ktheu institucionin "Agjenci Kombëtare…." në një agjenci imobilare për pronat e tij.
Toro (Agim) ka marrë për vete ato prona ku i ka shkuar syri, me të drejtë ose pa të drejtë. Çështja është se zyrtarë si ky kanë shërbyer veten duke abuzuar me postin, ose e thënë më qartë, duke e përdorur postin zyrtar për interesat përsonale.
Mjafton veç sjellja e Agim Toros me pronat në Ksamil, Sarandë, për të kuptuar se si vetë shteti dhe ligji vihen nën këmbët e një personi. Funksionari i misionit shtetëror për kthimin e pronave ka marrë ato pjesë që ka dashur të marrë nga toka në Ksamil.
Jo vetëm i ka marrë, por i ka marrë me sjellje të dyshimta deri në pikën që me muaj e vite ka "fjetur" nëpër korridore gjykatash e prokurorishë në Sarandë e Gjirokastër. Presioni i tij mbi organet e Drejtësisë, si funksionar i lartë shtetëror, ka kaluar kufijtë e tregimit.
Në misionin për kthimin, me të drejtë a pa të drejtë të pronave, u ndihmua edhe nga djali i xhaxhait, Përparim Toro, që shërbeu në Gjirokastër si kryetar i KKKP (i perfolur dhe i arrestuar, më pas i liruar nga gjykata, per korrupsion në lidhje me pronat)
Pronat e "veta" Toro i ka kthyer jo vetëm një herë. Duket si çudi? Sigurisht, nuk ka një rast të dytë në botë që një "e drejtë" ose send, të kthehet disa herë.
Legjenda nisi në vitin 1996. Me vendimin nr. 308, datë 26.04.1996, Komisioni i Kthimit të Pronave Sarandë, e ka njohur Toron si pronar të një trualli prej 16.690 metro katror në Ksamil. Këtë truall ia ka njohur si kompensim për një pronë të zënë që as dihet ku ndodhet. Njeriu më me fat në botë, Toro kompensohet në zonën më të bukur të atdheut. I vetmi në këtë lloj.
Me të njëjtin vendim të komisionit të Sarandës, Toro njihet si pronar i disa parcelave toke po në Ksamil. Lexuesi mund të lodhet me hollësira. Por janë këto: Një siperfaqe trualli prej 10 mijë metra katror në fshatin Ksamil; një parcelë toke me objekt nr 9 po në Ksamil me sipërfaqe prej 793 metra katrorë; një parcelë objekt nr 1 me sipërfaqe trualli 8898 metra katror; një parcelë objekt nr 3 me 500 metra katror; një parcelë tjetër objekt nr 9 po në Ksamil me sipërfaqe toke 685 metra katror; parcela objekt nr. 7 me 3924 metra katror po në Ksamil. Dhe në fund të të njëjtit vendim, "do të kompensohet" një pronë tjetër "prej organit kompetent, me sipërfaqe 1690 metra katrorë".
… Agim Toro, kthehet përsëri në Ksamil. Tashmë në vitin 1997. Sapo kishin nisur trazirat që e çuan vendin në kolapsin e vitit 1997, trazira me pikënisje nga pronat, nga humbja e financave në skemat piramidale. Ishte shkurt 1997, në mars do të shpallej gjendja e jashtëzakonshme në vend. Saranda ishte një nga zonat më të prekura prej revoltës popullore që kulmoi në rënien e institucioneve të shtetit. Pikërisht në ketë gjendje amullie dhe turbullirash politike, Agim Torro mbledh Komisionin e Sarandës për pronat e veta në Ksamil.
Komisioni lëshon vendimin nr 1 ( nuk mund të kidhte vendim nr 2 ose 3 në kohë lufte si '97), datë 26 shkurt 1997, për kompesimin e Toros. Kompesohet një sipërfaqe prej 229 mijë metra katrorë tokë. Toro fiton nga shteti që po binte nën skemat piramidale, një shumë prej 2723790 lek. "Ngarkohen organet e financës" të shlyejnë shumën sa më shpejt, shkruhet në vendim.
Pra përsëri, për po të njejtën pronë, atë të 4,e1/2 te 96 pjesë të një kullote në bashkëpronësi në Ksamil, kompensohet në natyrë dhe në lek.
Po të shikosh si lëviz "demi" në drejtim të pronave, do të konstatosh se ai fle në periudhën kur nuk qeverisin demokratët dhe lëviz furishëm kur këta vijnë në pushtet. Në vitin 2005, sapo Demokratët marrin pushtetin, Toro iu sulet përsëri pronave.
Heshti pas vitit '97 dhe u aktivizua pas vitit 2005.
Në vitin 2005 regjistroi në zyrën e Sarandës pronat që kishte marrë "para luftës" dhe nisi marrjet e tjera.
Më 31 korrik 2006, Komisioni i Kthimit të Pronave në Vlorë vendos që të njohë si pronar Torot në Ksamil, në një sipërfaqe toke prej 4 1/2 e 96 pjesë e 710 hektar pyll dhe një sipërfaqeje prej 8.9 hektar pyll. ( Kjo pronë do të vazhdojë t'i kthehet Toros edhe në vendime të tjera të komisionit).
Komisionet vendosin pa mendje, në mënyrë automatike për Toron. Aq shumë e pakthyeshme është "e drejta" Toro, saqë Komisioni i Vlorës mblidhet me 31 korrik 2006, por vendimin për kthimin e pronave Toro e ka marrë që me datën 2 korrik 2006, dmth., një muaj përpara. ( Shih shkresën me prot nr 91, datë 2/07/2006). Nuk ka rast tjetër në botë që një vendim të shpallet para se të merret nga organi kompetent, veçse në rastin e pronave Toro.
Mbi bazën e një vendimi fantazmë, vendim që merret para se të merret (Veç Konfuci kishte lindur para të atit), Toro iu afrohet përsëri pronave në Ksamil. Por përsëri, në vitin 2008. Komisioni i Qarkut Vlorë, me datë 31/03/2008, vendos që t'i kthejë Toros një sipërfaqe tokë prej 4 e 1/2 e skpërfaqes 490 hektarë. Kjo sipërfaqe është kthyer edhe një herë më parë, nga i njëjti komision në Vlorë. Por sipas vendimit të datës 31. 03. 2008, Komisioni i referohet një vendimi të tij të korrikut 2006. Atëherë ishte vendosur një gjë para se të vendosej; ndërsa dy vjet më vonë vendoset e njëjta gjë që ishte vendosur para se të vendosej! Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave në Vlorë, në këtë rast dha një vendim për të cilin është shprehur një herë, në vitin 2006.
Gjatë gjithë histriosë personale me pronat, Toro ka marrë kompensim në tokë, kompensim në lekë, kthim në natyrë dy herë, me dy vendime dhe me sipërfaqe të ndryshme per te njejtin dokument te marre nga AQSH.
Nga 96 bashkepronarët e një kullote në Ksamil, vetëm disa pronarëve u është kthyer prona,Torove po se po. Këtu është edhe shteti shqiptar bashkepronar përfaqësuar nga Ministria e Financave, me 12/96 pjese. Megjithëse Torot kanë ardhur vonë në Gjirokastër (as shtëpi private s'kishin, por banonin në pallat) , ai u shtri si pronar që nga Gjirokastra në Sarandë.
Por e rëndësishme është të theksohet se si është shndërruar siperfaqja kullotë nga njesia strem në njesine hektare. Kullota, nga dokumentet arkivore të vjetër ka qënë e shprehur ne strem, nuk dihet se si është ndryshuar kjo siperfaqe një herë në 1320 ha e pastaj me vendimin e dytë në 3200 ha, sigurisht me ndihmën edhe të Arkivit Qëndror Shtetëror.
Shtrohet pyetja: Cili është efekti negativ i këtij fenomeni?
Toro imponon vullnetin e tij mbi shtetin duke qenë funksionar i shtetit. Shpërdorimi i postit zyrtar është akti më negativ dhe dërrmues për shtetin aktualisht. Institucionet e Bashkimit Europian po i kërkojnë shtetit shqiptar të vendosë rregull për të mos lejuar shpërdorimin e pushtetit.
Po pse vallë i duhen Toros më shumë se dy vendime për të njëjtën pronë?
Nëpunësit hileqarë e dinë çfarë bëjnë; nesër mund të nevojiten disa vendime për një lojë me pronat
Po çfarë efekti negativ i krijohet precedentit ligjor të kthimit të pronave?
Përsëri goditet cilësia e shtetit dhe e qeverisjes së qytetarëve. Toro i ka dhënë shtetit dëshmi se ligji dhe institucioni janë pa memorie. Shteti që lejon të merren të njëjtat vendime, në kohë të ndryshme, për të njëjtin objekt, mund të bëjë dëme shumë të mëdha për individin dhe interesat e mëdha të vendit. Përshembull, një i dënuar me burgim, mund të ridënohet me anë të përsëritjes së vendimit, deri në fund të jetës. Një i pakompensuar për pronat mund të spallet disa herë i pakompensuar derisa kompensimi të kthehet në pamundësi shistorike…. Një shtet pa memorie mund të dënojë shtetasit e tij sa herë të dojë, pavarësisht se janë të pafajshëm; ashtu siç mund të falë fajtorët pavarësisht nga faji .
Ja ky është fenomeni i " demit" Toro në sensin e violencës mbi ligjin dhe mbi të Drejtën