PS-ja, dje me ligj, u fali taksat super të pasurve
-Bizneseve të oligarkëve u ulen taksat për fitimet nga 15 në 8 përqind. Vendimi vlen edhe për vitet paraardhëse. I vetmi ligj në histori që ka fuqi paravepruese. Miliona euro i merren shtetit dhe i jepen biznesi të madh ose 5 deri në 10 persona.
-Skandali i mazhorancës qeverisëse, sepse voton në Kuvend dekretin e Presidentit pa e diskutuar në komisione dhe pa qenë në rendin e ditës të seancave. Biznesmenët vendosën kalimin me urgjencë në parlament ose në të kundërt qeveria të kthente eurot që ka marrë nga çantat e oligarkëve.
Në seancat e dy ditëve të fundit të Kuvendit janë shënuar skandalet më të madha të qeverisë “Rama”. Në mesnatën e ditës së enjte, në një procedurë të paqartë parlamentare, deputetët e Partisë Socialiste kanë votuar ndryshimet në ligjin për “Tatimin mbi të ardhurat”. Ligji në fjalë ishte kthyer nga Presidenti Ilir Meta, pasi binte ndesh më kushtetutën dhe krijon një gropë të madhe në buxhetin e shtetit. Ky është ligj vetëm në favor të supër të pasurve të Shqipërisë. Bile këtyre u lind e drejta, me këtë ligj, të marrin edhe dhjetra milionë euro që kanë paguar që nga viti 1991, sepse qeveria ua uli taksën nga 15 % në 8 %, gjë e pa dëgjuar mdonjëherë. Pra jo për tani e më vonë, por edhe për më përpara!
Ky ligj i propozuar nga PS ka vetëm një nen që vlen dhjetra miliona euro. Sipas ndryshimeve në këtë ligj, tatimi i dividentit që ndajnë aksionerët e një kompanie nga 15/% që ishte më parë tashmë do të jetë 8%. Për ta kuptuar më thjeshtë të gjitha kompanitë e mëdha me aksionerë ose për fitimet që marrin nga biznesi i tyre në një vit, do t’i japin shtetit gjysmën e taksave që i jepnin më parë. Absurditeti në këtë ligj është se jo vetë që tani e tutje gjithë kompanitë e mëdha do paguajnë gjysmën e taksave për fitimin, por vendimet e ligjit janë dhe për vitet e mëparshme. E thënë ndryshe, Qeveria do t’u kthejë taksat që u marrë gjatë viteve të fundit. Përfituesit e këtij ligji nuk është biznesi i vogël, por vetëm biznesi i madh që qarkullon qindra milionë euro në vit. Tani e tutje, ky biznes që asnjëherë nuk ka pasur probleme mbijetese si biznesi i vogël, do të marrë bonus nga qeveria milionat e taksave që duhet t’i derdhte në arkën e shtetit. Është një vendim që nuk ka as logjikë sociale dhe as ekonomike. Qeveria “Rama” erdhi në pushtet me premtimin se do të merrte më shumë taksat nga të pasurit dhe do të ulte taksat për të varfrit. Miratimi i një ligjit të tillë është prova se si qeveria ka bërë krejtësisht të kundërtën. U ka rritur taksat deri në falimentimin biznesit të vogël dhe po i ul deri në çmenduri taksat për biznesin e madh. Por jo vetëm kaq, absurditeti arrin deri në pikën që u njeh borxhet për biznesin e madh edhe tatimin që e kanë paguar gjatë viteve të mëparshme.
Duke vënë theksin në këto pabarazi dhe sjellje preferenciale të qeverisë me biznesin, Presidenti Ilir Meta e ktheu ligjin të enjten në Kuvend, duke e cilësuar antikushtetues. Kreu i shtetit jepte argumentet juridikë dhe ekonomik se për ligj i tillë do të krijonte pabarazi dhe “amnisti” vetëm për një pjesë e bizneseve duke diskriminuar pjesën tjetër. Për këto arsye Presidenti kërkoi më datën 20 që ligji të hyjë dhe një herë në procedurat parlamentare dhe të rishikohet. Por pas kthimit të ligjit në Kuvend, nis dhe skandali tjetër i mazhorancës. Në mënyrën anti-ligjore, mazhoranca brenda natës që mori dekretin e Presidentit e futi për votim në seancë. Një ngjarje e tillë nuk ka precedentë të tjerë në historinë e Kuvendit, pasi një dekret presidencial duhet të protokollohet në Kuvend, të vendoset në kalendarin e punimeve të Kuvendit nga Konferenca e Kryetarëve, të dërgohet për diskutime në komisionet përkatëse dhe më pas të kalojë në seancë. Kjo procedurë, nëse ndiqet në mënyrë normale kërkon të paktën dy javë kohë. Por mazhoranca, theu dje të gjitha ligjet duke e votuar në mënyrë klandestine brenda ditës.
Shkelja me të dyja këmbët nga ana e PS i ligjeve dhe Rregullores së Kuvendit tregon edhe një herë se ligji nuk ishte thjesht çështje e politikave ekonomike, por një detyrim që qeveria ka ndaj bizneseve të lidhura me të. Ligji favorizon bizneset e mëdha, por më së shumti një grup të vogël brenda kësaj kategorie që vitet e fundit nuk ka paguar taksat për fitimin. Pra janë disa emra që përfitojnë dhjetra milionë euro vetëm falë kësaj lëvizje ligjore. Në këtë vendim të fundit të qeverisë “Rama” gjendet dhe shpjegimi më klasik i termit oligarki. Një grup biznesmenësh detyrojnë qeverinë që jo vetëm t’u jap tendera dhe fonde, por tashmë edhe të “prodhojë” ligje enkas për ta.
Me këtë ligj për supër të pasurit, tashmë nuk ka më asnjë çudi se ç’mund të ndodhë në Shqipëri. 5 deri në 10 persona drejtojnë qeverinë, vendin dhe pasurohen në mënyrë marramendëse. Kurse shumica varfërohet. /Q.Xhani/